Aktualitet

Universiteti dhe Shoqëria

Shkruar nga Liberale
Universiteti dhe Shoqëria

Selami Xhepa

President i Universitetit Europian të Tiranës

Fundvera shënon edhe rikthimin në auditore të nxënësve dhe studentëve; fillimin e ciklit të krijimit të një brezi të ri të dijes që vazhdon për gati një dekadë e gjysmë. Pika nisëse e ciklit, është themeli mbi të cilët ndërtohet e gjithë ngrehina e shoqërisë së ardhshme. Është një nga investimet afatgjata më me rëndësi për një vend dhe prandaj debatet mbi reformimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet, janë një axhendë e përhershme e shoqërisë. Përgjatë viteve, sistemi ynë arsimor ka trashëguar problemet e veta pa mundur ti zgjidh, përkundrazi duke i shtuar ato dhe më shumë. COVID 19, për shembull, i shton edhe më shumë problematikat e arsimit në tërësi dhe gjendja infrastrukturore dhe përgatitja teknologjike janë shumë larg nevojave për të ofruar një arsim virtual me një standard të pranueshëm cilësor. Por nuk po ndalem specifikisht tek ky problem aktual, por do të përgjithësoj mbi çështjen në tërësi. Kjo gjendje problematikash të pazgjidhura dhe të agravuara, vjen jo se mungojnë idetë dhe përvojat në këtë fushë, porse veprimi politik ka mbetur peng i interesave të ngushta politike afatshkurtra. Në këtë shkrim do ndalem vetëm në raportin midis masivizimit dhe problemeve të cilësisë në arsimin e lartë, një çështje që në gjykimin tim është trajtuar në mënyrë të njëanshme, herë për motive politike, e herë për arsye të konflikteve të interesit të palëve pjesëmarrëse në debat.

Masivizimi arsimit të lartë: një prirje botërore si shprehje e një nevoje të dukshme e stadit të zhvillimit teknik e teknologjik të shoqërisë.

Rritja e ndjekjes së arsimit të lartë është një trend botëror me një rritje të theksuar pas viteve 1990. Sipas të dhënave të nxjerra nga database i Bankës Botërore, rezulton se në vitin 1970, 9.7% e popullsisë në moshën e popullsisë së kualifikuar për ndjekjen e arsimit të lartë ishin të regjistruar në arsimin e lartë, ky tregues u ngjit në rreth 14% në vitin 1990. Pas kësaj periudhe shënohet një rritje eksponenciale, duke u ngjitur në 38% në vitin 2015, një rritje me 2.7 herë brenda gati dy dekadave. Në shkallë botërore, në çdo 100 nxënës që mbaronin arsimin e mesëm, 38 ndjekin nivelin e formimit akademik universitar. Në Shqipëri, masivizimi arsimit të lartë dhe ofrimi shërbimit edhe nga sektori privat, kanë mundësuar që pas viteve 2000, më shumë se gjysma e nxënësve që mbarojnë arsimin e mesëm (55% e tyre) të ndjekin dhe arsimin e lartë. Duket sikur ky tregues është shumë i lartë dhe mbi mesataren botërore. Por në fakt, po të krahasohemi me vendet e zhvilluara ky tregues është poshtë mesatares. Në vendet e zhvilluara më shumë se 70% e popullatës në moshën e shkollimit ndjekin arsimin e lartë. Për shembull, po ti referohemi disa vendeve të veçanta,  ky tregues për Kroacinë është 68%; Danimarkë, 81%; Gjermani dhe Estoni, 70%; Francë, 66%, Irlandë, 78%; Serbia 67%, etj.

Përqindja e popullsisë me arsim të lartë në mesataren e OECD-së për kohortën e popullsisë në moshën 55-64 vjeç ishte 27% e popullsisë, ndërsa për popullsinë e moshës 25-34 vjeç është 44.5%. Popullsia me arsim të lartë në Shqipëri ka vetëm gjysmën e kësaj shifre, dhe kjo falë masivizimit të arsimit të lartë pas viteve 2000. Një nga vendet me rritjen më të fortë të popullsisë me arsim të lartë është Koreja e Jugut. Popullsia me arsim të lartë e kohortës 55-64 vjeç e këtij vendi është 23%, ndërsa për kohortën 25-34 vjeç ky tregues është 69.6%. Pra nga rreth 1/3 e popullsisë që ishin me arsim të lartë para tre dekadash, sot 2/3 e popullsisë janë me arsim të lartë. Sigurisht kjo është dhe një nga arsyet se përse sot Koreja është një nga ekonomitë më kompetitive dhe teknologjikisht e sofistikuar të botës.

Programi doktoraturave në Shqipëri krijoi përshtypjen se këtu po bëhen të gjithë doktor shkencash. Në fakt, në Shqipëri vetëm 0.1% e popullatës mbajnë këtë gradë shkencore. Edhe Bosnja ka dy herë më shumë doktorë shkencash (0.2% e popullatës), Serbia 0.4% e popullatës dhe një vend i BE-së, si Gjermani ka një prej treguesve më të lartë, 1.3% e popullatës.

Kjo do të thotë se me masivizimin e arsimit, vendi ka bërë përpjekje ti afrohet vendeve të zhvilluara, por akoma jemi larg niveleve që kërkon ekonomia e dijes dhe standartet e teknologjive që zbatohen sot. Masivizimi ishte zgjidhja e problemit të treguesve tepër të ulët që vendi trashëgoi në fushën e arsimit dhe dijes, dhe jo problemi, siç është anatemuar gjatë viteve të fundit.

Ideja se masivizimi arsimit të lartë në Shqipëri ishte një gjë e keqe për sistemin tonë arsimor, ka zënë rrënjë kryesisht nga retorikat politike që në fakt e kanë burimin tek aftësitë e kufizuara të tregut të punës për të përthithur burimet e reja njerëzore që krijohen nga sistemi arsimor, por edhe nga cilësia e burimeve njerëzore që ofrohen. E para mund të shpjegohet me shkallën e ulët të përdorimit të teknologjive, madhësinë e vogël të sipërmarrjes dhe organizimin kryesisht familjar të punës në firma, lidhjet e kufizuara me tregjet e huaja dhe mungesën e nevojës për dije më të sofistuara në zhvillimin e produkteve dhe tregjeve të reja, etj. E dyta lidhet me cilësinë e ulët të formimit universitar; problemet e cilësisë së sistemit tonë arsimor të cilat janë të pakapërcyeshme pa rritjen e konkurencës në sistem. Këtu nuk e kam fjalën thjesht në konkurencën midis sektorit publik dhe atij privat, por brenda për brenda secilit institucion të arsimit të lartë, pavarësisht pronësisë, dhe mbi të gjitha, rritjen e konkurencës midis sistemit tonë universitar me atë të rajonit dhe pastaj me atë europian. Ky është thelbi prej nga burojnë problemet serioze të cilësisë së arsimit tonë universitar. Ruajtjes së gjendjes së mosreformimit të arsimimit të lartë në Shqipëri i kanë kontribuar sa vetë institicionet e arsimit të lartë (për shembull, mungesa e seriozitetit në procesin e akreditimit, në përzgjedhjen e stafeve akademike, etj), edhe politikat publike populiste të shtimit pafundësisht të kuotave të studentëve, por pa u shoqëruar me rritje të financimeve në mënyrë që investimet për student të përafrohen gjithashtu me vendet e  tjera më të zhvilluara. Shpenzimi mesatar për student në vendet e OECD në vitin 2016 ishte 9,800$, ndërsa Shqipëria shpenzon më pak se 500$ për student në vit!

Pra, rritja e treguesve të arsimimit të vendit ka një faturë të caktuar buxhetore të cilën ose duhet ta paguajë shoqëria në formën e taksave më të larta, ose vetë individi përfitues. Personalisht nuk shoh rrugë tjetër përveçse këtyre dy alternativave. Përballë dilemave të forta për të zgjidhur këtë problem, një alternativë që propozoi reforma e arsimit të lartë ishte kanalizimi i më shumë fondeve publike në programet e studimit të cilat janë një nevojë më e fortë e ekonomisë së ardhshme dhe e shoqërisë (që nga shkencat ekzakte dhe degët e inxhinjerisë, deri tek ato shoqërore me rëndësi për vendin, si për shembull shkencat albanologjike). Ndërkohë, në degët ku aktualisht nevojat e tregut mund të përmbushen sipas rregullave të tregut (ekonomi, ligj dhe shkencat sociale), studenti të paguajë një tarifë shkollimi të paktën që të mbulojë kostot. Kjo ishte një zgjidhje me një kosto të lartë politike, por siç u dëshmua nga protestat e studentëve, forcat politike të vendit nuk janë të gatshme ta marrin përsipër. Qeveria u tërhoq nga reforma ndërsa propozimet opozitare ishin akoma dhe më populiste. Në këto rrethana, zgjidhja që i kanë dhënë studentët ka qenë braktisja e vendit për një arsim më të mirë, dhe në përmasa gjithnjë në rritje, braktisja dhe e vetë vendit. Arsimimi gjithnjë e më shumë po bëhet një formë e emigrimit masiv të rinisë gjatë viteve të fundit.

Personalisht kam ndjerë keqardhje kur shoh se disa mendjengushtë e kanë parë gjithnjë betejën për reformimin e arsimit të lartë, si një ndeshje midis sektorit publik dhe atij privat. Sikur e keqja e arsimit të lartë janë “privatët” ndërkohë që më shumë se 80% e diplomave lëshohen nga sektori publik. Pikërisht një konceptim i tillë e ka lënë të gjithë arsimin e lartë në një gjendje prapambetje cilësore dhe paaftësie për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri. Sikur institucionet publike të arsimit të lartë të ofronin arsim cilësor dhe kujdesje ndaj studentëve, universitetet private mund edhe të mos ekzistonin fare në kontekstin shqiptar. Janë beteja për cilësinë, për standartet e mësimdhënjes, kujdesit ndaj studentit, përmirësimet e kurrikulës dhe lidhjet me tregun e punës që duhet ti diferencojnë institucionet. Kjo do të thotë se Ministria e Arsimit në vend që të kërkojë “qerre” me letra e shkresa që nuk i lexon kush apo të centralizojë vendimmarrjen edhe për çështjet më sekondare të punës së instititucioneve arsimore, të zbresë në terren, të monitoroj nga afër institucionet, të punojë me ta për ngritjen graduale të standarteve në përputhje me mundësitë financiare dhe njerëzore, të mundësojë autonominë reale të universiteteve duke bërë politikë përmes buxheteve dhe jo përmes kuotave dhe kritereve të pranimit, etj.

Sasia dhe cilësia nuk janë dy objektiva që bien ndesh mes tyre, porse çdo objektiv në njërin indikator ka pasoja për indikatorin e dytë. Nëse vendosim një kriter sasior që të arrijmë nivelin mesatar të vendeve të OECD në treguesit e arsimit të lartë, kjo do të thotë se edhe kostot duhen targetuar që gradualisht ti përafrohen mesatares së OECD. Nuk mund të arrijmë vetëm njërin indikator, atë sasior, pa i parë të dy indikatorët në harmoni mes tyre. Përndryshe, do të kemi probleme, si ato që renditëm më sipër. Siç e kam shkruar dhe një shkrim të mëhershëm, nga Shqipëria dalin rreth gjysmë miliardë euro në vit për shkollimin e fëmijëve, e cila, po të reformohej sistemi ynë universitar dhe të bëhej konkurues me universitetet e huaja, do të ishte një shumë e konsiderueshme monetare që do të ushqente jo thjesht sistemin tonë arsimor, por të gjithë ekonominë e vendit. Shkurt, ne shkëmbejmë retorika për 50 milionë euro në vit që shpenzon buxheti për arsimin e lartë, dhe nuk shqetësohemi fare se si të bëjmë të mundur që të mbajmë në vend 500 milionë eurot që shkojnë jashtë vendit për të blerë të njëjtin shërbim!

Konteksti i tanishëm i ndikuar nga COVID, 19 krijon një shans për të rihapur dhe njëherë debatet për problemet e arsimit në Shqipëri. Në veçanti përpunimi i politikave, standarteve mbikëqyrëse dhe rregullatore mbi arsimin virtual dhe metodat e reja të mësimdhënjes, që kombinojnë prezencën në kampus me atë virtuale në ndjekjen e procesit mësimor, duhet të marrin vëmendjen e politikbërësve.

Zgjidhjet për miriadën e problemeve shqetësuese që karakterizon sektorin, janë dhënë të plota dhe të qarta në një studim të bërë nga ekspertët më të mirë të London School of Economics dhe ekspertë vendas (“From University to Employment) (https://www.lse.ac.uk/business-and-consultancy/consulting/assets/documents/From-University-to-Employment.pdf). Ministria e Arsimit që është dhe porositsja e këtij studimi, dhe vetë universitetet tona, duhet ta konsiderojnë këtë studim si një manual pune për të ndryshuar gjendjen në arsimin tonë të lartë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH