Universitet

UET nis bashkëpunimin me universitetin më të madh të arteve në Ukrainë

Shkruar nga Liberale

UET nis bashkëpunimin me universitetin më të madh të arteve

Një tjetër partner i shtohet listës së gjatë të marrëveshjeve që Universiteti Europian i Tiranës ka me universitete të huaja. Ky partneritet u shtri në Ukrainë, nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi mes UET dhe universitetit më të madh në vend, në fushën e kulturës dhe arteve.

“Ukraina është në luftë dhe mund të ketë probleme me këtë. Por ne duam ta vazhdojmë edukimin e studentëve tanë.” Ishin këto fjalët e para të Valerii Marchenko, rektor i Akademisë Kombëtare të Kulturës dhe Menaxhimit të Arteve në Kiev, në takimin me rektoren e Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Drita Kruja.

Marchenko dhe grupi i tij i punës zhvilluan një vizitë në ambientet e UET,  ku u pritën nga rektore Kruja dhe përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara, dr. Ermir Nika. Ata zhvilluan një bashkëbisedim të frytshëm, duke ndarë informacione për dy institucionet, programet që ofrojnë, sektorët ku janë më të mundshëm shkëmbimet, botimet shkencore dhe hapësirat për potenciale të reja njerëzore, ndërsa firmosën në fund një memorandum bashkëpunimi që hedh themelet e këtij partneriteti nëpërmjet edukimit dhe shkëmbimit të studentëve dhe stafeve akademike.

UET nis bashkëpunimin me universitetin më të madh të arteve

I krijuar në vitin 1970 si Instituti për Trajnimin e Avancuar të Punëtorëve të Kulturës, në 1998 ky institucion u quajt Akademia Shtetërore e Personelit Menaxhues të Kulturës dhe Arteve. Duke dëshmuar nga viti në vit rezultate të kënaqshme dhe kontribute të çmuara brenda dhe jashtë vendit, në 2010 Akademia mori statusin kombëtar, duke u kthyer në një nga universitetet më të rëndësishme në vend. Për këtë vit akademik, numëron rreth 5000 studentë dhe është universiteti i dytë më i madh në Ukrainë dhe më i madhi në fushën e kulturës dhe arteve, ndërsa ofron studime në të treja ciklet e studimit, në programet: Dizajn, Koreografi, Arte Skenike, Arte Muzikore, Menaxhimi i veprimtarive social-kulturore, Kulturologji etj.

Duke qenë se vendi është në luftë, rektori Valerii Marchenko tha se ata i kanë kthyer sytë nga vendet e tjera dhe kanë parë mundësitë për ndërkombëtarizim. Akademia që drejton hapi një zyrë përfaqësimi në Belgjikë, për të pritur dhe arsimuar gjithë studentët ukrainas që jetojnë jashtë vendit, por edhe studentë të huaj. Marchenko theksoi më tej se aktualisht në Ukrainë ka më tepër nevojë për studentë dhe ekspertë në fushën e restaurimit, psikologjisë dhe terapisë së artit.

“Ne filluam një specialitet që na u propozua nga Ministria e Kulturës. Në Ukrainë tashmë është i nevojshëm restaurimi dhe ne e ofrojmë këtë specialitet në Arte dhe Restaurim. Ukraina ka nevojë gjithashtu për Psikologë dhe ne e nisëm këtë specialitet, e po ashtu krijuam një program në Terapi dhe Art”, tha Marchenko, duke specifikuar se universiteti zhvillon konferenca, festivale e kërkime shkencore që mund të jenë interesante për të dyja palët.

UET nis bashkëpunimin me universitetin më të madh të arteve

Prof. Dr. Drita Kruja prezantoi historikun e Universitetit Europian të Tiranës, i cili ka pasur një rritje të shpejtë në një kohë jo të gjatë, i cili i dedikon një vëmendje të veçantë ndërkombëtarizimit, shkëmbimeve e bashkëpunimeve me universitetet e huaja, për të rritur cilësinë në mësimdhënie, për të përgatitur studentë për një treg global dhe për t’i njohur me praktika të reja e moderne. Rektorja tha se UET ka konsoliduar programet e Arteve, që edhe pse të hapura në 2018 sjellin prurje mjaft cilësore e të rinj të talentuar.

“Ne jemi të interesuar të kemi bashkëpunime në diploma dyfishe në bachelor apo master por edhe në programin e doktoratës. Ne kemi konsoliduar programin e Psikologjisë dhe programet e Arteve. Edhe pse Arkitektura nuk e ka Restaurimin, ne kemi profesorë dhe ekspertë të fushës që mund të bashkëpunojnë me ju.”

Si përgjegjës i Departamentit të Arteve të Aplikuara, Dr. Ermir Nika foli më gjatë për programet e arteve dhe interesat që ka si departament për të marrë eksperienca të reja, ndërsa rektori Marchenko sugjeroi që bashkëpunimi të nisë pikërisht në këto programe.

Me anë të marrëveshjes së firmosur, të dy universitetet do të kenë mundësi të shkëmbejnë studentë dhe stafe akademike e administrative, të organizojnë aktivitete kulturore e artistike të përbashkëta, të zhvillojnë seminare e konferenca shkencore, apo projekte të ndryshme në fushën e artit dhe kulturës, që impaktojnë jetën akademike dhe atë shoqërore.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH