Propozimi i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës shkoi për të tretin vit radhazi për një grua. Pedagogia Edlira Martiri u vlerësua në UET me Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e saj të çmuar në fushën e sigurisë kibernetike dhe inovacionit teknologjik. Përmes rrëfimeve të mikeshës dhe studentëve të saj, u zbuluan dimensione të reja të njërës prej profesionisteve më të spikatura në fushën e teknologjisë.
Auditorët janë shpesh “vendet e shenjta” ku ngjizen ëndrrat e pasionet e mëdha. Për profesoreshë Edlira Martirin do të ishte lënda e Kriptografisë. Shumë vite më parë, kur gjendej në auditorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, do të ndjehej e intriguar nga kjo fushë, nga kjo bashkësi algoritmesh që mbron të dhënat digjitale. Ai ngacmim i hershëm e tërhoqi gjithmonë e më tepër, duke marrë dedikimin e saj maksimal përmes auditorëve të Fakultetit të Ekonomikut, projekteve e startup-ve të shumta, apo punës së përbashkët në drejtimin e Cyber Morfosis, kompanisë që fokusohet në ofrimin e zgjidhjeve praktike të sigurisë digjitale.
“Kjo punë dhe ky profesion për mua është një mision, përkushtim dhe përgjegjësi, dhe mbi të gjitha është një thirrje që nuk njeh lodhje, ndryshe është e pamundur të vazhdohet, shpesh herë nuk njeh as edhe orar”, u shpreh Martiri para studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, në ceremoninë e vlerësimit të saj me Certifikatë Mirënjohjeje.
Emri i saj u propozua nga Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës për të nderuar kontributin e saj të çmuar në fushën e sigurisë kibernetike dhe inovacionit teknologjik. Dekania prof. asoc. dr. Teuta Xhindi tha se për të tretin vit radhazi ky fakultet, me shumë mirënjohje, ia akordon grave këtë vlerësim, për kontributin e pazëvendësueshëm në fushën e teknologjisë, duke theksuar se kjo gjë nuk do të rreshtë asnjëherë për sa kohë ka gra dhe vajza që japin kontributin në këtë fushë.
“Kjo është më e pakta që ne mund të bëjmë”, theksoi Xhindi, duke shtuar se ngjarje të tilla janë motivuese për studentët. “Janë motivuese në sensin e dhënies së modeleve për t’iu treguar, dëshmuar, se puna vlerësohet dhe janë i vetmi variabël. Çdo variabël tjetër është i përkohshëm dhe nuk ka jetëgjatësi.”
Presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa e vlerësoi Mërtirin për zhvillimin e karrierës profesionale përtej dërrasës së zezë, e fokusuar në laboratorë. Sipas tij, shoqëria ka nevojë për personalitete të tilla, në një kohë që po shkojmë me shpejtësi të frikshme drejt gjërave të panjohura. “Kemi nevojë për njerëz të tillë që na japin garanci se sistemet që do të ndërtohen në të ardhmen nuk do të shkelin ato elemente të shenjta të jetës dhe privatësisë së një individi”, nënvizoi Xhepa.
Më tej Xhepa tha se ky vlerësim për Martirin bëhet mbi kritere të mirëfillta profesionale për një kontribut të rëndësishëm në jetën e shoqërisë shqiptare. “Nuk është vetëm e shquar në fushën e kërkimit shkencor dhe realisht është e mirënjohur në rrethet e saj akademike, por mbi të gjitha e vlerësoj në kontributin e jetës reale që po luan, duke aplikuar dhe prodhuar produkte të cilat e vlerësojnë dhe i japin një profil të shquar”, u shpreh Xhepa.
Prof. asoc. dr. Edlira Martiri është aktualisht pedagoge e brendshme pranë Departamentit Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Ka dy tituj doktorature, një nga Universiteti i Tiranës dhe një nga Universiteti për Shkencë dhe Teknologji në Norvegji, në të cilën zhvilloi një metodë të re për mbrojtjen e informacionit personal të identifikueshëm nga sistemet biometrike, në përputhje me standardet e industrisë.
Është autore e mbi 60 artikujve shkencorë, si dhe librave të botuar brenda e jashtë Shqipërisë. Gjithashtu është pjesëmarrëse aktive në konferenca, projekte dhe pikë kombëtare e kontaktit të Shqipërisë në Shoqatën Europian të Biometrisë, si dhe përfaqësuese e vendit tonë në disa evente ndërkombëtare.
Për ta bërë të njohur, më të plotë, figurën e profesoreshës Martiri, ishin të ftuar kolegë dhe studentë të saj. Mikesha dhe kolegia e saj, dr. Gloria Tyxhari foli për një miqësi të bukur, shumëvjeçare e nisur në Fakultetin e Ekonomisë. Duke shprehur vështirësinë e sintetizimit dhe përmbledhjes së një figure të tillë në pak rreshta, prof. Tyxhari tha ka gjetur te Martiri një model, një profesioniste që nuk njeh lodhje dhe pushime, një njeri mbështetës në çfarëdo situate, sidomos në ato më të komplikuarat.
“Na ka mësuar se sa e rëndësishme është të qëndrosh e fortë, të mos humbasësh sensin e humorit dhe mbi të gjitha të mbetesh njeri edhe kur rrethohesh nga algoritme dhe kompjutera. Ka hapur shtigje, sidomos për gratë që duan të hyjnë në teknologji”, tha Tyxhari.
Pedagogu i Jashtëm në UET, Etion Kapedani dhe studenti i bachelorit Alkid Shuli treguan më tepër për Edlira Martirin si udhëheqëse shkencore, si pedagoge, si pjesë e ekipit në projekte, gjithmonë suportive, e kujdesshme, detajiste dhe skrupuloze në punën e saj.
“Studentët e mi janë forca më e madhe, arsyeja dhe energjia pse unë qëndroj fort në akademi dhe jap kontributin tim”, theksoi në fjalën e saj profesoreshë Martiri. Po ashtu, ajo falënderoi partneren në biznes dhe gjithë njerëzit që i kanë qëndruar afër në rrugëtimin e gjatë profesional, plot me sfida, vështirësi, humbje e mësime.
“Çdo pengesë më ka bërë më rezistente, më të fortë. Çdo humbje e kam konsideruar si leksion. Çdokënd që në një formë a në një tjetër, mund të ketë tentuar të më pengojë, e kam parë si një arsye më shumë për të ecur përpara, për të punuar më fort dhe për të mposhtur fjalët me vepra”, tha Martiri.
Duke theksuar se ky profesion nuk ka kohë për ankesa, lodhje, kërkon qëndrueshmëri dhe maturi, profesorja iu dha në fund edhe një këshillë studentëve: “Duhet të dini që është një pasion i madh dhe një fushë që do t’ju nxjerrë në dritë.”