Si mund të bëhet një lagje apo një qytet më i jetueshëm? Cilët janë ato elementë që përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e komunitetit?
Duke përfshirë praktikat më të mira ndërkombëtare, e veçanërisht referuar modelit holandez, studentët e UET paraqitën idetë e tyre për transformimin e lagjes “5 Maji” në Tiranë. Ata u fokusuan te përmirësimi i standardeve të jetesës, rritja e efikasitetit energjetik, bërja e hapësirave të banimit të qëndrueshme dhe të aksesueshme për të gjithë, paraqitja e mënyrave për zhvillimin e një komuniteti të integruar dhe gjithëpërfshirës. Prezantimi i tyre, në fund të muajit nëntor 2024, në qytetin Rijssen të Holandës, u vlerësua nga juria dhe audienca e pranishme studentore dhe akademike, si ideja më e mirë për ta bërë një lagje të jetueshme.
Konkursi u zhvillua në kuadër të projektit “HACKATHON – Development of Kerkelanden”, një iniciativë që synonte të eksploronte qasje novator për përfshirjen sociale dhe banesat e përballueshme. Po ashtu ai erdhi në vijimësinë e një vizite studimore që studentët e UET-it, së bashku me studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT, dhe studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara Saxion zhvilluan në Provincën Overijssel, Hoalndë. Pjesëmarrësit analizuan të gjithë rajonin e Overijssel-it dhe propozuan zgjidhje konkrete mbi sfidat urbane në Shqipëri dhe Holandë, duke e bazuar studimin e tyre në qasjen ndaj përfshirjes sociale dhe strehimit të përballueshëm. Gjatë ndalesës në Rijssen u zhvillua edhe konkursi për strehimin, ku gjashtë universitete konkurruan me projektet e tyre inovative, një prej të cilëve ishte edhe “The Albanian Way”.
Në fakt, ky sukses i studentëve të UET, është në vazhdën e një bashkëpunimi shumë të frytshëm që universiteti ka nisur prej kohësh me Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion, Holandë. Në kuadër të Blended Project, nën drejtimin e pedagogëve të UET, Kristaq Xharo e Blendi Lami, dhe Gerry Stegeman e Joyce te Bos nga Saxion janë realizuar disa projekte që kanë pasur në vëmendje tema të ndjeshme dhe të rëndësishme për të dyja vendet.
Projekti i parë “Migracioni: Nga siguria shtetërore te siguria njerëzore dhe përfitimi nga diaspora shqiptare” analizoi natyrën komplekse të migracionit në Shqipëri, duke trajtuar zhvendosjen nga një qasje e përqendruar te siguria shtetërore drejt sigurisë njerëzore. Duke eksploruar dhe analizuar elementë të ndryshëm, siç është impakti i diasporës, projekti propozon politika të reja për menaxhimin më efektiv të migracionit, duke balancuar aspektet e sigurisë me përfshirjen sociale dhe respektimin e të drejtave të migrantëve.
Projekti i dytë “Rezistenca digjitale në Shqipëri: Albania . . . going digjital” trajton nevojën urgjente për forcimin e rezistencës digjitale në Shqipëri, duke pasur parasysh rritjen e kërcënimeve kibernetike dhe mungesën e një kuadri të qartë ligjor dhe rregullator. Sulmet kibernetike të vitit 2022 evidentuan dobësitë strukturore të sigurisë digjitale në vend, duke bërë të domosdoshme krijimin e strategjive gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Aktualisht po punohet bë një projekt të tretë të quajtur “Kapërcimi i hendekut: Legjislacioni për aftësinë e kufizuar dhe zbatimi praktik në Tiranë përmes një optike krahasuese me qytetet Deventer dhe Enschede (Holandë)”. Shqipëria ka miratuar ligje progresive që synojnë të mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por në Tiranë këto ligje nuk zbatohen plotësisht. Kjo nismë bashkëpunimi mes Universitetit Europian të Tiranës (UET) dhe Universitetit Saxion synon të sjellë një analizë krahasuese për të nxjerrë mësime nga praktikat më të mira të Deventerit dhe për të propozuar masa konkrete për përmirësimin e situatës në Shqipëri.
Gjetjet kryesore të këtij punimi do të pasqyrohen në konferencë ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare” që do të mbahet në UET në 10 – 11 prill 2025. Studentët e UET dhe Saxion do të bëjnë prezantimin përpara pjesëmarrësve të konferencës.
Bashkëpunimi i deritanishëm UET- Saxion ka qenë një tregues i rëndësishëm i benefiteve dhe vlerave konkrete që mund të sjellë bahkëveprimi akademik. Projektet nuk kanë qenë vetëm në rrafshin teorik, por i ka angazhuar sudentët dhe pedagogët në hulumtime praktike, shkëmbim njohurish dhe zgjidhje inovative për sfida të përbashkëta sociale dhe urbane. Jo vetëm studentët tanë janë njohur me modele, politika, zgjidhje dhe qasje mjaft inovative të një vendi të zhvilluar evropian, por edhe studentët norvegjezë janë njohur më nga afër me një vend e një kulturë, që përpos gjithë problematikave, ka se çfarë të ofrojë.
Një nga aspektet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi është ndërtimi i urave mes akademisë, institucioneve dhe komuniteteve. Ky proces ndihmon jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Holandës, por edhe në krijimin e një modeli të suksesshëm për bashkëpunime të ardhshme në fusha të ndryshme.
Për të thelluar akoma më tej bashkëpunimin, UET dhe Saxion firmosën këtë javë një marrëveshje bashkëpunimi, që i hap rrugë programeve studimore të përbashkëta, zhvillimit të konferencave e botimeve shkencore nga të dy universitetet, rritjes së shkëmbimeve studentore e stafeve akademike, etj.
Rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja, së bashku me përgjegjësen e Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara, dr. Anjeza Xhaferaj dhe pedagogët prof. dr. Kristaq Xharo dhe prof. asoc. dr. Blendi Lami pritën një delegacion nga universiteti holandez, ku biseduan më tepër për termat e bashkëpunimit dhe interesat e të dy palëve në funksion të rritjes profesionale të studentëve.