* Fjala e kryeministrit Edi Rama në COD gjatë promovimit të studimit të pedagogëve të UET, "Zhvillimi afatgjatë përmes dinamizmit institucional".
Nuk erdha për të përshëndetur punën e ekspertëve. Si në të gjitha rastet kur Universiteti Europian i Tiranës, me një kurajo, që nuk e kanë, të paktën nuk e kanë treguar deri më sot universitetetet e tjera, troket në derën e kësaj qendre, kjo derë hapet dhe unë ndjehem i detyruar që t'iu uroj mirëseardhjen atyre që e përdorin këtë hapësirë pa asnjë kompleks.
Kur flas për kurajo kam parasysh faktin që nuk është më sekret, që nga profesori i nderuar Selami Xhepa, por jo vetëm ai, edhe të tjerë, nuk ndajnë të njëjtat opinione, jo me qeverinë, por as me filozofinë tonë qeverisëse. Por nuk e kanë fare problem ta shfrytëojnë këtë hapësirë, pavarësisht se të tjerë mund t'i etiketojnë si fasadë e godinës qeveritarre apo të tjera broçkulla të tilla, të cilat janë karakteristike për një vend ku koncepti marksist i luftës me atë që e thotë, dhe jo i debatit për atë që po thuhet, është i rrënjosur ende në mendësi dhe për fat të keq është jo vetëm i rrënjosur, por edhe i vaditur duke u kthyer në një koncept që pa e pasur marrë nga marksizmi e përfitojnë edhe shumë të rinj.
Nga ana tjetër, për të mos u krijuar ideja që ka ndonjë marrëveshje të fshehtë për t'i bërë reklamë Universitetit Europian të Tiranës, dua ta bëj të qartë për të gjithë që kjo është një reklamë që Universiteti Europian i Tiranës ia bën vetvetes. Çdo universitet në Shqipëri, qoftë publik apo qoftë publik sipas meje, por me financim privat, se unë nuk i ndaj në publikë dhe privatë, që dëshiron ta shfrytëzojë këtë hapësirë, që dëshiron të sjellë në Qendrën për Hapje dhe Dialog kontribute intelektuale apo të natyrave të ndryshme, është i mirëpritur.
Madje unë e kam thënë që në krye të herës që kjo hapësirë është edhe për ata që protestojnë kundër qeverisë, dhe që janë të gatshëm të sjellin këtu brenda një përfaqësi, pa paguar qira, pa paguar drita, për të debatuar me qeverinë, lidhur me temën që iu intereson. Deri më sot është UET-i që e ka marrë siç është thënë kjo ftesë e hapur dhe që e përdor, besoj me sukses.
Profesor Xhepa më quajti mik të Universitetit Europian të Tiranës. Në fakt, unë e falënderoj për këtë vlerësim, por unë më shumë se sa mik me profesorin jam një armik i ndershëm. Kështu që nuk ka fat më të mirë për këdo që është në një fushë të caktuar, që po në atë fushë të ketë "armiq" të ndershëm.
Lashë shënimet që kisha përgatitur dhe dua unë tani që t'iu falënderoj, pasi isha duke vrarë mendjen se çfarë libri do t'iu bëj dhuratë ministrave dhe deputetetëve. E gjeta, dhe çmimin miqësor do ta negociojmë përmes kanaleve që janë të ngarkuar për punë, qoftë në Kryeministri, qoftë në universitet.
I hodha një sy shumë shpejt librit dhe pashë panoramën, jo nën rreshta, se nuk munda ta lexoj. Pashë ambicien e kahershme të njërit prej themeluesve të universitetit për të liberalizuar çfarë të jetë e mundur në këtë vend dhe ajo që mendoj është se pavarësisht se çfarë është shkruar këtu, udhëhiqet nga një qasje më liberale, më e djathtë ta themi më qartë sesa qasja jonë, do të ishte me vlerë të veçantë që mbi këtë produkt të bënim një debat në një moment të dytë. Nuk mund t'ua jap kohën, sepse nuk e di se kur dhe sa, ata që do ta marrin dhuratë librin do ta lexojnë, dhe pastaj nuk di se sa prej tyre do të jenë të gatshëm të debatojnë me autorët, por vërtet do të ishte diçka e vlefshme.
Profesor Selamiu e tha sepse ka pasur një eksperiencë kur e ka parë shtetin nga brenda, që në të gjitha rastet të shkruash për reforma që lidhen me pushtetin legjislativ apo pushtetin ekzekutiv, pa qenë brenda mureve që këto pushtete veprojnë, është sa e lehtë aq edhe e vështirë. Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë dhe kur ky det është burokracia në të gjitha eksperiencat e saj, atëherë deti është edhe më i gjerë, më i thellë e më i rrezikshëm për t'u kapërcyer.
Por në të gjitha rastet, sidoqoftë, unë jam sinqerisht mirënjohës që autorët kanë marrë mundimin të bëjnë këtë ushtrim, për të deleguar këtë ndjenjë përmes shtëpisë botuese të universitetit në një libër që ka pak gjasë të ketë sukses komercial, por që ka një vlerë të posaçme, pavarësisht se sa mund të jeni dakord ose me çfarë është shkruar.
Është shumë e vërtetë ajo që tha profesori, që jo vetëm pushtetet legjislative dhe ekzekutive gjithmonë kanë një moment kur u rikthehen reformave të mekanizmave të funksionimit të shtetit, por kjo është fare e natyrshme të ndodhë edhe kur një shumicë qeverisëse është e njëjta që i rikthehet asaj reforme të bërë më parë, sepse koha sjell shumë mësime. Shumçka që shkruhet me qëllimin më të mirë dhe duke u bazuar në analizat më serioze pasi matet me realitetin, provohet e drejtë apo e gabuar, dhe nevoja për korrigjime është e vazhdueshme.
Në fund të ditës, nëse vendet nuk dallohen nga njëra-tjetra për atë që kanë por për atë që dinë, dija është drejtpërdrejt e lidhur me kapacitetet institucionale që vendet disponojnë apo mund të krijojnë. Ky është një libër që shkon në këtë drejtim, në drejtim të mbështetjes së vendit dhe të kujtdo që dëshiron ta përdorë për ta zgjeruar dijen mbi kapacitetet institucionale, ato ekzistuese dhe ato potenciale.
Shoh këtu shumë vajza dhe djem që besoj se janë të ftuar nga universiteti dhe COD-i. Ata që janë më pak të rinj janë të qartë për çfarë kanë ardhur dhe çfarë do të dëgjojnë dhe nuk do të ikin. Uroj shumë që të gjithë ata që janë të rinj këtu ta dini mirë për çfarë keni ardhur, në sensin që të mos tmerroheni nga nevoja për të qëndruar më gjatë, por mund ta shfrytëzoni kohën për të qëndruar dhe për të marrë sa më shumë nga kjo bisedë.