Universitet

Studenti i UET Pari Floku, një kampion bote i pazakontë në bodybuilding

Shkruar nga Liberale

Studenti i UET Pari Floku, një kampion bote i pazakontë në

Nënkampion Shqipërie dhe dy herë kampion bote. Brenda 4 viteve Pari Floku ka pasur një ngjitje të shpejtë me disa tituj të rrëmbyer në bodybuilding. Pas këtyre sukseseve, studenti i UET në degën e Fizioterapisë, ka një tjetër qëllim madhor për të arritur majat e këtij sporti.

Kur Pari Floku e kuptoi pasionin e tij për bodybuilding ishte rreth të trembëdhjetave. Prej një viti e gjysmë praktikonte boksin dhe mundjen. U fut në palestër për të rënë nga pesha e për të sjellë trupin në formë. Ky hap i qëllimtë do të bëhej vetë qëllimi i jetës. Shokët e palestrës e njohën me këtë sport të zhvillimit të muskujve përmes ushtrimeve të rezistencës. Pasi panë progresin e tij brenda një kohe të shkurtër e nxitën edhe më tepër që të vijonte aty, duke u shkëputur kështu përfundimisht nga boksi.

Pari thotë se kishte trup shumë të zhvilluar për një 14- vjeçar. Edhe pse një vit stërvitje, trupi i tij ishte gati i kompletuar. Kjo u bë shkak që të futej në botën e kompeticioneve shumë herët. Pjesëmarrja e parë nuk i dha çmim. Një vit më vonë, kur ishte 15-vjeç, mori sërish pjesë në kampionat kombëtar duke u renditur në vendin e tretë. Në moshën 16-vjeçare do të shpallet nënkampion kombëtar për moshat nën 20 vjeç. Gati dy vite më vonë, pas një periudhe intensive stërvitjeje dhe disipline, do të regjistrojë dy suksese njëri pas tjetrit.

Në fund të muajit tetor u shpall dy herë kampion bote, në kategorinë classic physique junior për moshat -23 vjeç, në dy kompeticione: World Intercontinental Champion Junior dhe NPC Worldwide Champion Junior. Ishte një rekord i thyer prej një 18-vjeçari.

Studenti i UET Pari Floku, një kampion bote i pazakontë në

"Njëra ishte kupa interkontinentale botërore që u zhvillua në Mal të Zi, në Herceg Novi. Tjetra vinte për herë të parë si garë në Shqipëri dhe ishte botërore", tregon Pari, duke shtuar se kategoria ku garon kërkon një punë të madhe me muskujt.

"Është e vështirë sepse duhet të kesh një trup të balancuar, simetirk, thuajse të kompletuar. Kjo më ka bërë që të punoj më fortë."
Zakonisht nuk shqetësohet për garat dhe vijimësinë e tyre, por kompeticionet e fundit nuk e gjetën të tillë. Kjo edhe për shkak të ngarkesës, monotonisë së shkaktur nga regjimi i stërvitjes, apo nga mugesat ushqimore.
"Në garë nuk je i shëndetshëm pasi shkon në atë fazë që trupi nuk e do. Trupi do që të jetë normal, do edhe dhjamin edhe ujërat, do ushqimet, do të ndihet i ngopur."
Pari thotë se trupi kalon vështirësi sa më shumë afrohet dita finale e kompeticionit, duke ulur në minimum sasinë e ujit, shpesh duke ndenjur edhe 24 orë pa të.

Disiplinën e hekurt të këtij sporti e ka nisur që gjatë gjimnazit në Berat ku përveç shkollës edhe punonte, fillimisht në palestër, pastaj në lokal e në ndërtim. Regjim më strikt ndoqi kur erdhi në Tiranë për të vijuar studimet në Universitetin Europian të Tiranës në degën e Fizioterapisë, që sipas tij i përafrohet më së miri sportit që ushtron.
"Dua ta njoh plotësisht anatominë e trupit të njeriut, më në detaje dhe të marr njohuri të thelluara shkencore."

I gjendur larg familjes duhet të bëjë çdo gjë vet, ndërsa përllogarit me qartësi çdo orar: nga gatimi e dieta te pastrimi, stërvitja, studimet e pastaj puna në një dyqan suplementesh. Prej kohësh ai punon edhe si trajner online duke ndarë me të rinj të moshës së tij, dhe jo vetëm, të pasionuar pas bodybuilding, recetat dietike, stërvitore dhe motivuese mbi të cilat ka shkelur edhe vetë.

Fokusi, vendosmëria dhe optimizmi e kanë shoqëruar në këtë 4-vjeçar aspak të zakonshëm të zhvillimit profesional dhe rritjes personale, ngjashëm me atë të njeriut të sprovuar e të mençuruar nga sfidat.
"Ma ka falur Zoti si talent por edhe kam punuar shumë shumë fortë për të qenë këtu."

Nuk ka ecur i vetëm në këtë rrugëtim. Ka pasur besimin e fortë te Zoti, dashurinë e pakushtëzuar të familjes, e cila mbetet pika e dobët e tij. Ka pasur mentorimin e Tolgës, trajnerit turk, i cili pranoi ta këshillonte vetëm pasi mbushi moshën 18-vjeçare.

"Është sport që kërkon një sy të dytë. Edhe nga ana mentale duhet dikush që të të menaxhojë dhe të të japë një shtysë. Prandaj kam zgjedhur trajnerin, sepse është i specializuar dhe dyfish i moshës sime."

Studenti i UET Pari Floku, një kampion bote i pazakontë në

Pari thotë se edhe pse nisi stërvitjen me trajnerin dy muaj para garës, ka qenë mjaft e dobishme për pjesën e definimit, pasi pjesa muskulare ishte pothuajse gati. Nuk e ndjen lodhjen. Shprehet se kjo sakrificë e tanishme do t'i japë lirinë e dëshiruar më vonë.

Shqetësimi i tij i vetëm është familja pasi nuk dëshiron që të ndjehen të lënë pas dore. Për këtë arsye e diela e çdo fundjave e gjen në Berat duke e nxjerrë nga regjimi i ushtarit, siç e quan me të qeshur ritmin e jetës së tij.

"Unë mendoj se njeriu, çfarëdolloj gjëje që të jetë duke bërë, nuk do të jetë kurrë i kënaqur. Prandaj mundohem ta mbaj veten larg këtyre mendimeve. Njeriu nuk thotë kurrë se jam OK, këtu ku jam."
As Pari nuk ndjehet i vetëmjaftuar me arritjet e deritanishme. Ka një ambicie të madhe që shkon përtej kompeticioneve në të cilat ka garuar. "Synimi im dhe i trajnerit është për një garë që më jep kartën e profesionistit e cila në Shqipëri është shumë e vështirë për t'u marrë."

Në kategorinë e tij nuk e ka marrë asnjë njeri për shkak të kritereve që kërkohen. Më i riu që e ka fituar në botë ka qenë në moshën 19-20 vjeçare. "Duhet të dalësh kampion i kampionëve. Nëse e fiton këtë bëhesh i njohur në të gjithë botën", shton Pari më tej.

Ende nuk e ka vendosur vitin kur do të bëhet pjesë e këtij kompeticioni, duke theksuar se i duhen ende muaj stërvitje për t'u ndjerë gati për hapin final.

Vullneti dhe disiplina, motivimi dhe morali i lartë që gjen te besimi, ia bëjnë të qartë rrugën. Ecën me vetëbesim, i bindur se nuk ka asgjë të pamundur për atë që përpiqet; Nuk ka asnjë limit për atë që di se çfarë do nga vetja./Luiza Pinderi

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH