Studentët e Universitetit Europian të Tiranës u njohën me projektin e iniciuar nga Shoqata e Tregtisë Shqiptare në Internet (AECA), drejtuar nga Valer Pinderi, që synon ofrimin e asistencës për ndërtimin e një biznesi online. I ndarë në disa faza, projekti do të zgjasë katër muaj dhe për idetë e bizneset më të mira do të jepen tre bursa dhe një mbështetje simbolike financiare.
“Nuk dija asnjë gjë kur e hapa në 2011 Dyqan Taxi, kompaninë e parë në internet në Shqipëri. Kisha blerë dy herë ne eBay dhe mendoja se dija gjithçka.” Prezantimin e projektit më të ri të Shoqatës së Tregtisë Shqiptare në Internet, e përbërë nga 60 kompani, presidenti i saj Valer Pinderi e nisi duke treguar eksperiencën e tij personale.
“Pas pesë viteve që po bëja këtë biznes e kuptova që realisht nuk dija si funksiononte tamam bota online”. Pinderi tregoi se gjatë rrugëtimit të tij nuk kishte njeri për ta udhëzuar dhe për ta drejtuar, duke bërë kështu shumë gabime që e stresuan, mbingarkuan apo demotivuan. Pavarësisht këtyre, asnjëherë nuk u dorëzua dhe kjo është arsyeja që ai e vijon rrugën për më shumë se një dekadë.
Gjatë viteve ka themeluar shumë marka të njohura biznesesh online, disa prej të cilave e kanë mbyllur ciklin e tyre e të tjera vijojnë me sukses misionin që u ndërtuan, ndërsa sjell me shoqatën që drejton këtë projekt që do të ndihmojë, drejtojë dhe lehtësojë rrugën e çdo studenti, i cili dëshiron të futet në rrugën e biznesit dhe të ketë biznesin e vet online.
Gjatë prezantimit të projektit për studentët e programeve të ndryshme në Universitetin Europian të Tiranës, dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Teuta Xhindi tha se ky aktivitet synon të nxisë aftësitë sipërmarrëse të studentëve, të cilët do të asistohen gjatë gjithë procesit nga biznese dhe profesionistë të fushës.
“Secili prej jush duhet të tentojë të bëjë një gjë të tijën. Jo të gjithë jemi biznesmenë, por dikush mund t’ia dalë mbanë, pse jo, të jetë ai fituesi, i cili mund të përfundojë biznesin online”, theksoi dekania.
Projekti “e-Entrepreneur Accelerator by AECA’’ është një akselerator për të gjithë studentët që kanë dëshirë të zhvillojnë një biznes online. Ata mund të vendosin të krijojnë një biznes në internet, mund të shesin një produkt apo shërbim, apo të mësojnë se si funksionon një shopfy, një dropshiping, si të shesin online në Shqiëpri apo si të gjejnë produktin.
Presidenti i Shoqatës së Tregtisë Shqiptare në Internet (AECA), Valer Pinderi tha se projekti do të jetë i ndarë në disa faza gjatë të cilave do të zhvillohen takime periodike për të realizuar qëllimin.
Në fazën e parë çdo student që regjistrohet do të jetë në gjendje të kuptojë nëse biznesi, sipërmarrja është fusha apo puna që dëshiron të bëjë. Do të njihen me konceptim e biznesit dhe se si ai funksionon.
“Unë kam mbaruar biznes dhe në shkollë nuk e kuptoja pse po e mësoja këtë gjë. Por tani që kam 12 vite që merrem me biznes, e kuptoj më mirë konceptin. Mund t’iu garantoj se shumica e njerëzve që kanë një biznes janë në torturë. Kanë hapur një vend pune për veten, por nuk kanë hapur biznes”, u shpreh Valeri.
Faza e dytë do të vijojë me procesin e ideimit. Pasi secili të kuptojë situatën ku ndodhet me idenë e tij, do të vijohet me orientimin, për të mos rënë në gabimet apo ‘kurthet’ që e falimentojnë një biznes.
“Unë së bashku me të gjithë sipërmarrësit e tjerë do t’iu tregojmë gabimet që nuk duhet të bëni”, theksoi Pinderi.
Ai tregoi më tej se për të definuar biznesin që ai tashmë synon iu deshën dy muaj, duke lexuar raporte pafund. Sipas tij, për një biznes më të vogël mund të mjaftojë më pak kohë. Projekti do të vijoë me marrjen e njohurive në fushën e sipërmarrjes, se si funksionojnë taksat, ndikimin te biznesi apo invesitorët nëse ato nuk paguhen, si të hapet një kompani jashtë Shqipërisë, si të bëhet pjesa e pagesës etj.
“Duke definuar produktin, ne do të definojmë proceset. Pastaj do të ndërtojmë produktin dhe mënyrën se si shitet brenda katër muajve”, theksoi Pinderi.
Gjithashtu, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë netwrok-un e tyre, pasi shoqata bashkëpunon me institucione qeveritare dhe ka një tërësi biznesesh që do t'i ndihmojnë.
“Mua personalisht më është dashur që për dy vite, dy herë në muaj, të udhëtoj në gjithë Ballkanin dhe Europën që ta ndërtoj këtë network që kam. Ne ua ofrojmë free. Të gjeni njeriun e duhur, në kohën e duhur, është minierë ari.”
Për tre idetë më të mira, që kanë potencial të kthehen në një biznes fitimprurës do të jepen tre bursa, duke e ofruar falas këtë projekt që kushton 300 Euro në muaj.
Po ashtu do të jepet një pagesë simbolike për tre studentë të tjerë që do të vlerësohen nga biznest e Shoqatës së Tregtisë Shqiptare në Internet (AECA).