Ligjërimi mediatik për integrimin në BE ishte fokusi i një seminari ndëruniversitar të zhvilluar në Universitetin Evropian të Tiranës, me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve nga pesë universitete në Shqipëri. Dekania Prof. asoc. dr. Belina Budini, dokt. Erisela Marko dhe dokt. Dritan Idrizi sollën gjetjet e tyre nga studimi i tre mediave kombëtare dhe anketimi i qytetarëve, në kuadër të projektit më AMA.
Bashkimi Europian po na bashkon ende pa u bërë pjesë e unionit. Ligjërimi mediatik për integrimin në BE ka bashkuar në një seminar pothuajse të gjitha universitetet e Shqipërisë, nën drejtimin e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Edukimit Liberal në UET dhe dekanes së këtij fakulteti, prof. asco. dr. Belina Budini.
Pedagogë dhe studentë të programeve të ndryshme nga Universiteti i Shkodrës, Vlorës, Durrësit, Elbasanit dhe Korçës i janë bashkëngjitur online seminarit të drejtuar nga prof. Budini në Universitetin Europian të Tiranës, me të pranishëm kryesisht studentë të komunikimit. Tema qendrore e këtij seminari ishte pikërisht ligjërimi dhe narrativa mediatike sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Dekania Budini sqaroi se ky seminar vjen në kuadër të projektit të fakultetit me Autoritetin e Mediave Audiovizuale, një ndër katër projektet që aktualisht fakulteti ka paralelisht. Media është kryefjala e të katër projekteve, në kuptimin e pluralizmit të tyre, lirisë së shprehjes, lirisë së mediave, rregullimit dhe bashkërregullimit të kryqëzuara me standardet evropiane. Prof Budini theksoi se këto projekte do ta kthejnë fakultetin dhe universitetin në një qendër proaktive mes shoqërisë civile, aktorë të ndryshëm kombëtarë e ndërkombëtare.
“Çështjet evropiane kanë nevojë për shpjegim, divulgim, shpërndarje të mirë që të kuptohen nga audienca, dhe së pari të komunikohen te studentët. Projekti që jemi sot është në partneritet me AMA dhe është shumë empirik, praktik, Si e përshkruajnë procesin e integrimit, çfarë fjalësh përdorin, çfarë ndikimesh japin”, tha ajo më tej.
Sipas dekanes, projekti empirik ka qëllim të tijin angazhimin në mënyrë të prekshme te pjesa e analizimit çështjet e integrimit evropian. Të gjitha gjetjet sasiore e cilësore të disa muajve monitorim, anketim, tryeza diskutimi do të vijnë në formën e një studimi, i cili do të shërbejë edhe si guidë. Dekania Budini theksoi, gjithashtu, se kjo sipërmarrje nënkupton promovimin e standardeve evropiane që kanë munguar deri tani në Shqipëri.
“Përfitimet për mediat nga integrimi nuk janë aq të qarta, aq transparente. Një nga vërejtjet që kemi bërë është se gjuha është krejtësisht burokratike, teknologjia e përdorur, fjalët kyçe janë të tilla që deri tani ne flasin për një gjuhë që i përket më tepër gjuhës formale dhe më pak elementëve shpjegues, përmbajtësor se çfarë përfitimesh kemi nga integrimi në BE”, tha prof.
Budini, duke shtuar se nevoja për shpjegime është e madhe, aq më tepër që Shqipëria ka hapur kapitujt e integrimit.
Projekti ka nisur para 5-6 muajve dhe do të mbyllet në muajin shkurt të 2025. Ndër të tjera, deri tani është kryer monitorimi i lajmeve në tre televizioneve kombëtare, si dhe ka nisur prej muajit tetor një anketim, pyetësor për të marrë mendimet e ekspertëve, të gazetarëve, njerëzve që punojnë në media, audiencave, si e lexojnë ata çështjen e mbulimit mediatik për integrimin evropian.
Gjetjet e monitorimit i prezantoi dokt. Dritan Idrizi, i cili sqaroi se tre kanë qenë televizionet që janë marrë në shqyrtim: Top Channel, TVKlan dhe RTSH1. Për një periudhë gati dy mujore, 1 shtator- 15 nëntor është bërë monitorimi i vazhdueshëm i edicioneve kryesore në këto tre televizione.
Idrizi tha se janë identifikuar fillimisht termat dhe kornizat e ligjërimit që përdorin mediat audiovizive në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe më pas është bërë analiza e përmbajtjeve përmes një qasje empirike.
Nga ky monitorim është konkluduar se këto tre media kanë një ose dy lajme në javë ne edicionet e tyre qendrore dhe kryesisht në fillim të edicioneve, pra i renditur në tre lajmet e para. Po ashtu, koha mesatare e trajtimi të çështjes, ngjarjes, përmbajtjes, zgjat nga një në tre minuta dhe ka qasje pozitive.
Procesi i anketimit është kryer nga pedagogia dokt. Erisela Marko, e cila ka ndërtuar një pyetësor me 23 pyetje të mbyllura. Anketimi ka filluar që muajin tetor dhe ndërkohë procesi ëshë i hapur, për t’u finalizuar në 15 dhjetor. Marko tregoi të dhënat e mbledhura deri tani nga 176 persona që kanë plotësuar pyetësorin dhe që janë në moshën 19 vjeç e sipër.
Anketimi është kombëtar dhe përfshin profesionistë të medias, studentë, njerëz të profesioneve të tjera, të cilët janë pyetur për çështje të ndryshme të tilla si: mediumet që iu referohen, përmbajtjet që konsumojnë, mendimin që kanë mbi çështjet etike por kryesisht se si e konsiderojnë informacionin mbi integrimin në Bashkimin Evropian.
Një ndër gjetjet nga ky anketim është se televizioni mbetet mediumi kryesor për informimin e qytetarëve për çështjet e integrimit europian, duke prevaluar mbi mediat tradicionale, por edhe ato të reja si mediat online apo rrjetet sociale.
Projekti do të vijojë më tej me tryeza e panele diskutimi, me ekspertë të mediave dhe fushave të tjera për të përplotësuar jo vetëm gjetjet, por edhe konkluzionet e rekomandimet që mund t’iu shërbejnë pastaj jo vetëm studentëve, profesionistëve por edhe mediave vetë.