Universitet

Rektorja Drita Kruja: UET ofron mundësi të pakufizuara në zhvillimin e personalitetit dhe aftësive të studentëve

Shkruar nga Liberale

Rektorja Drita Kruja: UET ofron mundësi të pakufizuara në

Prag fillimi i këtij viti të ri akademik e gjen Universitetin Europian të Tiranës jo vetëm me rekorde të reja dhe fokus të shtuar në fushën e ndërkombëtarizimit, por edhe me një rektore grua. Prej afro dy muajsh në detyrën e re, Prof. Dr. Drita Kruja ka një mesazh për të gjithë maturantët dhe studentët që zgjedhin sërish UET, në këtë fazë të përzgjedhjes dhe para regjistrimeve të programeve të studimit.

Një ditë punë e zakonshme për stafin akademik dhe administrativ të Universitetit Europian të Tiranë kjo e hënë e këtij 19 gushtit, i cili po përgatitet për fillimin e vitit të ri akademik. Pas përfundimit të raundit të parë më 4 gusht, të listimit të degëve dhe universiteteve, maturantët janë në pritje të raundit të dytë kur nis regjistrimi i programeve që ata duan të studiojnë.

Për rektoren Drita Kruja angazhimi ka qenë i vazhdueshëm që pas marrjes së detyrës së re, në fillim të muajit korrik. Rrugëtimi i saj 16-vjeçar në UET, fillimisht si pedagoge e jashtme e më pas si zëvendës rektore e Procesit Akademik dhe Kërkimit Shkencor u vlerësua me delegimin e përgjegjësive të reja, për të drejtuar një nga universitetet më të mëdha private në Shqipëri, lider në ndërkombëtarizim dhe me rekorde të rëndësishme gjatë dy dekadave të jetës së tij në tregun e arsimit të lartë.

Nën drejtimin e Krujës, janë rritur publikimet shkencore; është rritur numri i projekteve ku UET është bërë pjesë, si Erasmus+, IPA, Horizon 2020, apo ato të financuara nga AKKSHI; është rritur bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare, si dhe zhvillimi i konferencave e seminareve shkencore.

“Kam nderin të drejtoj trupën akademike në këtë universitet, të mirënjohur për cilësinë, kreativitetin, inovacionin dhe profesionalizmin. Është një kënaqësi e madhe për mua t'ju mirëpres në Universitetin Europian të Tiranës, një qendër e përsosmërisë akademike dhe inovacionit”, shprehet rektorja në mesazhin për maturantët dhe studentët që zgjedhin sërish të studiojnë sërish në UET.

“Pavarësisht nëse jeni duke u bashkuar për herë të parë apo po ktheheni për të vazhduar rrugëtimin tuaj, tani jeni pjesë e një komuniteti që vlerëson diversitetin, përfshirjen dhe kërkimin e dijes”, thekson prof. Kruja

UET është një universitet i mundësive të shumta, me një network gjithmonë në rritje përmes bashkëpunimeve me universitete partnere brenda e jashtë vendit, organizata, kompani e sipërmarrje të fushave të ndryshme. Bordet e Punës dhe studentët ALUMNI janë gjithmonë në kontakt me studentët e rinj, përmes takimeve, forumeve dhe Panairit të Karrierës, për të asistuar dhe sjellë zhvillimet dhe tendencat më të fundit të tregut të punës.

Prof. Kruja thekson se UET ofron një mjedis dinamik dhe mbështetës që inkurajon kureshtjen intelektuale dhe zhvillimin personal. Lektorët dhe profesorët, ekspertë të pasionuar të fushave të tyre, sjellin gjetjet më të fundit të kombinuara me metodat më bashkëkohore të mësimdhënies.

“Mundësitë për të mësuar dhe zbuluar janë të pakufizuara, dhe ju inkurajoj të përfitoni sa më shumë nga gjithçka që universiteti ynë ka për të ofruar.”

Pjesë e filozofisë së UET është ofrimi i një mjedisi bashkëpunues, me aktivitete ekstrakurrikulare, si pjesëmarrja në klubet studentore dhe projektet e ndryshme sociale dhe shkencore, duke përgatitur lider dhe sipërmarrës që në auditorë.

“Ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë zhvillimit të personalitetit dhe aftësive të studentëve tanë. Jemi këtu për t'ju mbështetur në çdo hap të rrugëtimit tuaj, duke u siguruar që përvoja juaj në UET të jetë e pasur, e plotë dhe transformuese, ashtu siç ka qenë edhe për mijëra studentët tanë, tashmë ALUMNI, që na nderojnë kudo ku punojnë, në Shqipëri dhe jashtë saj,” nënvizon më tej rektorja.

E përkushtuar drejt përmirësimit dhe inovacionit në arsimin e lartë, Kruja shprehet e bindur për të vazhduar ruajtjen e vlerave dhe traditave që e bëjnë UET një pikë referimi të edukimit dhe inovacionit për të gjithë brezat e ardhshëm.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH