Prej gati një dekadë, me një staf të shkëlqyer me përvojë akademike dhe në biznes, infrastrukturë e laboratorë modernë, me një rrjet me mbi 100 partnerë dhe bashkëpunëtorë, praktika në industri brenda e jashtë Shqipërisë dhe punësim të shpejtë në treg, Kolegji Profesional i Tiranës vijon të mbetet alternativa më e mirë për arsimin e lartë profesional. Pa kriter mesataren, pa pasur nevojë për njohuri të mëparshme të fushës, por dëshirë për të marrë një profesion!
Prej shtatë vitesh Joni punon si elektricist. Fill pas mbarimit të studimeve profesionale në Kolegjin Profesional të Tiranës, ai u punësua në një biznes privat. Pyetjes se pse nuk është larguar në Gjermani, e cila vuan mungesën e profesionistëve të tillë, i përgjigjet shkurt: “Më del llogaria më mirë këtu”. Zgjedhja e profesionit ishte e qartë. Natyra e tij priret nga prakticiteti. Tashmë ka klientelën e vet, të cilët e telefonojnë dhe e referojnë te të njohurit.
Historia e Jonit është ajo e dhjetëra të rinjve që ashtu si ai kanë zgjedhur një shkollim jo aq të trumbetuar. Edhe pse mund të dëgjohet të flitet për arsim profesional, pak flitet për domosdoshmërinë e tij. Në vitin 2015, kur themeluesit e Kolegjit Profesional të Tiranës morën vendimin për t’i dhënë jetë këtij institucioni, e njihnin më së miri nevojën e tregut për këta profesionistë. Jo më kot përgjatë viteve kanë rritur ofertën akademike dhe kanë zgjeruar programet e studimit. Sot ofrohen 10 të tilla, nga Elektro- Mekanika, Teknologjia e Automjeteve, Teknologjia e Ajrimit dhe Kondicionimi, apo ajo e Instalimeve Elektrike e deri te Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, Database dhe Web Design, Elektronika, Gjeodezia, Teknologjia e Ndërtimit e Administrimi i Zyrës.
Kur Rektori Prof. Dr. Luan Karçanaj mori sfidën e drejtimit të këtij institucioni në arsimin e lartë, kishte eksperiencën e tij nga vendet e BE-së. E quan domosdoshmëri për një shoqëri arsimin profesional dhe përgatitjen e këtyre teknikëve të lartë që i duhen çdo kompanie e biznesi. “Një inxhinier i dalë nga një sistem bachelor apo master, merret kryesisht me projekte, por për zbatimin e tyre kujdesen pikërisht të diplomuarit në shkollat profesionale, si studentët tanë.”
Për profesorin Saimir Yzeiri, lektor në KPT dhe sipërmarrës, i vetmi kriter që i duhet një studenti për të ndjekur Kolegjin Profesional të Tiranës është dëshira e mirë për të studiuar dhe marrë një profesion. Nuk është kusht mesatarja, që duhet pothuajse në çdo program universitar. Gjithashtu, nuk është kriter as arsimi profesional i mëparshëm. Çdo i ri që ka mbaruar një shkollë të mesme profesionale, një gjimnaz të përgjithshëm apo të profilizuar, mund të aplikojë në një program të KPT, i cili i siguron një vend pune në jetë.
“Ne këtu në çdo program studimi ia nisim nga zero dhe mundohemi që brenda dy viteve të ndërtojmë një profesionist të aftë, pavarësisht background-it dhe formimit që ka deri në momentin e ardhjet në KPT.”
Programet që ofrohen në KPT janë ndërtuar mbi parime praktike, të cilat njëkohësisht iu përgjigjen kërkesave të punëdhënësve. Duke qenë se 50% e procesit mësimor zhvillohet në praktikë, Kolegji ka ngritur laboratorë modernë për të gjitha programet që ofron. Një mekanik, një teknik kondicionerësh, një elektricist apo teknik i pajisjeve elektronike njihet që në auditorë me procesin e punës, me pajisjet, aftësohet në gjetjen e zgjidhjeve më të mira praktike.
Këto njohuri i shton edhe më tej gjatë zhvillimit të praktikave. Falë bashkëpunimit që KPT ka me biznese dhe kompani të ndryshme në Shqipëri, studentët shkojnë dhe shohin nga afër zhvillimin e proceseve të caktuara të punës së tyre. Nëse ata tregojnë gatishmërinë dhe vullnetin për të mësuar, këto kompani kthehen në punëdhënësit e ardhshëm.
“Pjesa më e madhe e studentëve që kanë mbaruar në KPT janë punësuar, kryesisht në kompanitë dhe ndërmarrjet me të cilat ne bashkëpunojmë. Madje punësohen që kur zhvillojnë praktikën, pasi aty bien në sy njohuritë e tyre”, thekson Rektori, Prof. Dr. Karçanaj.
Vlasios Biti është ekspert i IT. Prej një viti ai punon në KPT, pasi përfundoi aty studimet në programin “Teknologji Informacioni dhe Komunikimit”. Tregon se pati një eksperiencë mjaft të vlefshme gjatë kohës së studimeve, kur falë Kolegjit u bë pjesë e një intershipi në Romë. Thotë se mori njohuri të reja mbi profesionin, por edhe e shijoi këtë eksperiencë me njerëz të rinj që ndanin background-e të ndryshme. “Referuar rastit tim, them se studimi në KPT është një mundësi e mirë. Zgjat dy vite dhe gjatë tyre ka shumë praktikë, ka shumë mundësi për rritje profesionale dhe del shumë shpejt në tregun e punës.”
Një pjesë e rëndësishme e arsimit në kohët e sotme, është ndërkombëtarizimi. KPT është kujdesur që të jetë në një linjë me institucionet arsimore homologe europiane e më gjerë, nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit, pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare, shkëmbimeve akademike e studentore, me synimin e marrjes së njohurive por edhe për të krijuar mundësi punësimi në tregun ndërkombëtar të punës.
Profesor Karçanaj thekson se një vlerë e shtuar e KPT-së është stafi akademik, një ndërthurje gjeneratash, që bën bashkë eksperienca të larmishme të akademikëve me shumë vite eksperiencë, dhe të specialistëve që kanë direkt lidhje me biznesin dhe tregun e punës, të përkushtuar për të ofruar njohuritë më të fundit, në mënyrën më të thjeshtë e profesionale për studentët në rrugëtimin e tyre drejt profesionit. Sepse një profesion është për sot, për nesër, përgjithmonë!