Polis

Me ‘mision studimor’ në BBV, studentët e UET rrëfejnë çfarë ndodh në prapaskenën e spektaklit (Video)

Shkruar nga Liberale

Dy studentët e UET, Françeska Heti dhe Arkont Dhamo, të ftuar në emisionin “Wake Up”, kanë rrëfyer se çfarë ndodh në prapaskenën e spektaklit më të ndjekur në Shqipëri, Big Brother Vip Albania, duke shpjeguar edhe ecurinë e misionit të tyre studimor.

Prej nisjes së reality show-t më 13 janar 2024, një grup studentësh të arteve dhe komunikimit, dhe jo vetëm, kanë ndjekur nga afër ecurinë e gjithë spektaklit. Duke studiuar fenomenin jo vetëm nga perspektiva e komunikimit, dizajnit, por edhe e ndërtimit të mesazhit për audiencën, elementëve televizivë, skenarit, prezantimit etj., ata do të përpilojnë një hulumtim në fund të spektaklit, i cili do të publikohet i plotë, në shqip dhe anglisht, në revistën shkencore të UET, “Polis”.

Françeska Heti, studente në vit të parë Master për Shkenca Komunikimi, e cila prej 3 vitesh punon pranë BBV si gazetare në redaksi, ndërsa këtë vit si redaktore ngjarjesh në regji, tha se po analizojnë të gjithë elementët që qëndrojnë pas shfaqjes.

“Kur njerëzve iu thua që studion Komunikim, pyetja e tyre është: Pse nuk di ti të komunikosh? Komunikimi nuk është vetëm artikulimi i disa fjalive, është një gamë e gjerë. Kështu që aty, përveç se sheh çfarë ndodh përtej ekranit, ti fillon të mendosh edhe këto teknikat e tjera që të vënë ty në lëvizje për të menduar sesi krijohet skenari, si përcillet mesazhi, verbal ose jo, gjuha e trupit et.”.

Arkont Dhamo, student në programin Menaxhim Biznesi, pjesë e audiencës, ka treguar elementët që i kanë bërë më shumë përshtypje, nga puntata e parë deri tani, gjatë ndjekjes nga afër të show-t.

“Emocioni që krijohet kur je i pranishëm aty është ndryshe nga emocioni që merr kur e sheh nga televizori. Gjëja tjetër që më bëri më shumë përshtypje ishte puna e madhe e produksionit për ta nxjerrë spektakëlin në nivel shumë të lartë, për të mbajtur dhe tejkaluar suksesin e viteve të mëparshme”, tha ai, teksa shtoi se studentët kanë pasur mundësi të krijojnë kontakte të reja, duke qenë se mjaft prej tyre janë në mbyllje të studimeve.

“Ne me njëri- tjetrin analizojmë të gjitha situatat, banorët, japim mendimin tonë dhe në fund të çdo spektakli unë e kam si rregull, i pyes të gjithë se si kaluan dhe çfarë mendojnë për ngjarjet. Mbledh përshtypjet e tyre për këtë ekperiencë të re”.

Të pyetur nga moderatorët se kë personazhe mbështesin, Arkonti tha se është fans i vajzave që dinë të përballojnë një debat me argumente shumë të forta. Ndërsa Françeska, e cila ka ambicien për të qenë në një të ardhme moderatore në televizion, thotë se ajo zgjedh të jetë profesionale, objektive dhe të mos përfshihet emocionalisht. 

“Të parit të gjërave më nga afër dhe më ftohtë, do na ndihmojë edhe shumë te pjesa e hulumtimit. Gjithë studimin do ta botojmë në revistën “Polis”, në të cilin shumë studentë të UET kanë publikime shumë të mira. Të publikuarit në gjuhën angleze do të jetë një gjë plus, sepse fakti që BBV ka një impakt të madh, edhe studimi do të ketë interes të gjerë”.



 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH