Tematika të larmishme për dukuri e ngjarje që impaktojnë thelbësisht shoqërinë shqiptare, sjell numri i fundit i revistës shkencore “Polis 22”, seksioni i dytë. Nën titullin editorial “Identitetet shqiptare dhe europiane, prespektivat në komunikim, edukim dhe kulturë”, studiues dhe pedagogë brenda UET dhe nga universitetet e tjera, sollën gjetjet e tyre në çështje politike, sociale e kulturore.
Impakti, profesionalizmi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ishin kryefjala e promovimit të numrit të fundit të revistës shkencore “Polis”. “Është koha për të shkruar një histori për këtë revistë”, u shpreh dekania e fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. assoc, dr. Belina Budini. Si revista e parë e Universitetit Europian të Tiranës, që lindi më herët se institucioni, u kthye shpejt në një nga mediumet më të vyera për kohën, ku pasqyroheshin idetë më të mira për çështjet më të ngutshme politike e sociale të Shqipërisë dhe rajonit, duke u përfshirë më tej në proceset e ndërkombëtarizimit.
Profesore Budini, kryredaktore e “Polis”, ndau lajmin e mirë se revista, e cila prej 2017 botohet në anglisht, ka zgjeruar bashkëpunimin duke u bërë vitin e kaluar pjesë e EBSCO-s, dhe tashmë gjithë artikujt gjenden të botuar në database-n e saj. Po ashtu, punimet shkencore janë të aksesueshme për studentët dhe kërkuesit në website-n e UET, si dhe disa prej tyre botohen në Gazetën Liberale të zhveshura nga gjuha akademike e të sjella më thjeshtë për lexuesin e gjerë.
“Ne jemi të kënaqur me kontributin ndër vite. Këtij numri i kemi dhënë një tematikë tjetër që lidhet me identitetet shqiptare dhe identitetet europiane, me kontribute edhe nga jashtë të studiuesëve, të korpusit të pedagogëve dhe punonjësve shkencorë të universitetit tonë”, tha Budini, ndërsa falënderoi prof. assoc. Mirela Bogdani, pedagoge e Universitetit të New York-ut që zgjodhi “Polis” për publikimin e punimit të saj. Sipas Budinit, është në objektivin e fakultetit që drejton, që ta kthejnë në prioritet kërkimin shkencor për ta bërë një faktor real, me publikime të vazhdueshme dhe me bashkëpunimin e studentëve, pedagogëve apo kërkuesëve shkencorë jashtë UET.
“Kemi një sukses që dua ta theksoj. Në 4- 5 numrat e fundit kemi publikuar atikuj të bashkëpunimeve të studentëve me pedagogët, ose artikuj mirfilltazi të studentëve, të bachelorit, sidomos të masterit dhe doktorantëve”. Dekania shtoi se revisa është e pajisur me numër DOI dhe ndodhet në proces kategorizimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Po ashtu ajo u ndal edhe te kriteret strikte që përdoren për pranimin ose jo të artikujve, nëpërmjet evidentimit të arsyeve përkatëse që i drejtohen autorit, duke nënvizuar se këto procese bëhen gjithmonë për të rritur cilësinë e botimit. Përtej sfidave për realizimin e kërkimeve, identifikimin e çështjeve, mbledhjen e materialeve, duke qenë se revista publikohet dy herë në vit, Budini tha se sfidë mbetet përfshirja, duke përsëritur sërish thirrjen për bashkëpunime të shtuara në kërkimin shkencor, gjithmonë në fushat e shkencave humane.
“Këto promovime synojnë të nxisin, duke parashtruar të mirat dhe benefitet që ka publikimi i punimeve sidomos tani që janë hapur edhe punimet doktorale, kërkesat dhe nevojat janë nga ana e studentëve dhe mund t’i plotësoni, t’i përmbushni në këto revista.”
Profesoresha e Shkencave Politike, prof. assoc. Mirela Bogdani, duke treguar mbi mënyrën se si ra në kontakt me “Polis”, në të cilin botoi artikullin me titull “Roli i komunitetit ndërkombëtar si një aktor kryesor dhe i besueshëm në tranzicionin demokratik në Shqipëri!”, tha se ia referuan si një nga tre revistat më mira shkencore në Shqipëri, me goxha profesionalizëm dhe reputacion. Një dimension të tillë e preku pastaj gjatë punës, nga kontakti i parë me zyrën editoriale dhe gjatë gjithë procesit të komunikimit deri në finalizimin e botimit.
“Në mënyrë objektive, përgëzoj zyrën editoriale dhe profesoreshë Belinën, për të gjithë atë që quhet procesi editorial, nga A te Zh, pra që nga komunikimi i parë edhe te fazat e tjera me radhë, me të gjithë informacionin që i duhet një autori kur vendos të botojë në një revistë, e deri te ajo që theksohet me të madhe, pear review, dhe që është një nga treguesit më profesionalë të kësaj reviste.”
Një tjetër element që e ajo gjeti te kjo revistë, ishte vendosja e theksit te metodologjia, pasi sipas saj kërkimet shpesh cedojnë në këtë element që i përket kryesisht botës anglosaksone dhe ku asnjë lloj kërkimi shkencor nuk mund të pranohet pa përshkrimin e metodologjisë. Bogdani aktualisht ka marrë detyrën e kryeredaktores së revistës shkencore që publikon Universiteti i New York-ut, shprehu dëshirën që këtë bashkëpunim të nisur ta zgjerojnë më tej mes dy institucioneve, duke shkëmbyer përvojat më të mira si dhe me organizimin e konferencave shkencore.
“Sot mora vesh që botoni pesë revista, që është një produktivitet jashtëzakonisht i madh. Nuk di ndonjë universitet, ndoshta përveç atij të Tiranës, që prodhon pesë revista, një për secilin fakultet. Ne jemi shumë modest, kemi vetëm një revistë për universitetin, e fokusuar në shkencat sociale dhe politike, por ka karakter interdisiplinar”.
Studiuesja e politikave të BE-së dhe integrimit europian bëri një përmbledhje të botimit të sjellë në “Polis”, i fokusuar te roli i komunitetit ndërkombëtar si një aktor i rëndësishëm në tranzicionin problematik shqiptar, sidomos në dhjetëvjeçarin e parë. Duke e ndarë në tre pjesë punimin, ajo analizon të gjithë aktorët që shfaqen pas ’90 kur fillon instalimi i demokracise, duke analizuar edhe rolin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara.
Autorja arrin në përfundimin “se rruga shqiptare drejt demokratizimit mund të kishte pasur një trajektore të ndryshme pa përfshirjen dhe drejtimin e komunitetit ndërkombëtar. Por sipas saj, barra kryesore për përparimin e një vendi duhet të qëndrojë mbi aktorët e tij të brendshëm, pasi këtë rol nuk mund ta luajnë pafundësisht ndërkombëtarët.
Prof. assoc. dr. Tomi Treska, një nga autorët e hershëm të “Polis”, erdhi në këtë numër me një punim ndërdisiplinar me titull “Një perspektivë etike mbi marrëdhëniet ndërmjet komunikimit në media dhe edukimit. Rast sudimor”, duke ndërlidhur edukimin dhe komunikimin, në bashkëpunim me kolegun Phd (c) Dritan Idrizi.
Nëpërmjet metodës së observimit për një periudhë të caktuar, ata kanë survejuar reklamat për fëmijë në dy media kryesore kombëtare, duke vërtetuar kështu shqetësimin e tyre të ngritur në tezë, se në këto reklama nuk respektohet domosdoshmërisht koncepti i edukimit të brezave, ndërsa media del gjithnjë e më tepër jashtë kuadrit të saj si institucion edukues.
“Kemi konstatuar disa gjetje që duhet të jenë në vëmendje të AMA-s dhe Ministrisë e Arsimit. Duhet një harmonizim mes Kodit të Etikës që mbrohet nga AMA dhe Kodit të Etikës që është prodhuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit ”, u shpreh prof. Treska.
Një tjetër punim me bashkëautorë vjen në fushën e psikologjisë. Msc. Redona Zhuleku dhe dr. Elsida Sinaj sjellin një tjetër rast studimor me në qendër infermierët e QSUT-së. Rreth 100 prej tyre janë anketuar për të kuptuar marrëdhënien mes konsumimit personal, stresit dhe mbështetjes sociale, çështje këto shumë të përhapura në vendet perëndimore që përpiqen të kuptojnë mirëqenien e këtyre punonjësve në fushën e shëndetësisë. Konsumimi personal ndikon në shëndetin mendor dhe mirëqenien e një infermieri/e, gjë që ndoshta ndikon në performancën, produktivitetin dhe standardin e kujdesit ndaj pacientit, prandaj autoret sugjerojnë ndërmarrjen e politikave që përmirësojnë kushtet e punës.
Duke u ndalur në temën e zgjerimit të BE-së, dr. Malvina Tema përpiqet të hetojë sfidat e e kësaj organizate me Turqinë, marrëdhënien mes të cilave e cilëson si një martesë të devijuar. Zgjerimi drejt lindjes i Bashkimit Evropian paraqet shqetësime shumëdimensionale. Këto shqetësime lidhen me çështje delikate politike, ekonomike, kulturore dhe gjeostrategjike që perceptohen si çështje vendimtare për BE-në.
Studenti i Komunikimit në Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Kejvin Jaku kontribuon në këtë botim me artikullin “Riformulimi i demokracisë: Lundrimi i pengesave ekonomike, sociale dhe mediatike në epokën postkomuniste të Shqipërisë”. Eseja e tij identifikon pasojat ekonomike të qeverisjes komuniste, duke përfshirë papunësinë mbizotëruese dhe strukturat e brishta të tregut që eksplorojnë ndikimin social, duke i lidhur ato me çështje si shtypja, frika dhe besimi i dobësuar në qeveri.
Artikulli i fundit i paraqitur në këtë numër është një analizë e romanit "Dragoi i Fildishtë" të shkrimtarit shqiptar Fatos Kongoli, ku studiuesi dr. Ermir Nika argumentuar tezën se Kina rivaitalizohet përmes kujtesës në këtë roman, duke pasqyruar një klimë të nderuar plot surpriza që bie ndesh me përshkrimet e Isamil Kadaresë te “Dimri i vetmisë së madhe”. Sipas Nikës, romanet e Fatos Kongolit, kryesisht ato që i përkasin ciklit “Burgjet e Kujtesës”, kanë hedhur një pistë unike në formën që do të merrte romani shqiptar pas rënies së diktaturës.