Universitet

Një kampion humble si Kevin Demneri

Shkruar nga Liberale

Një kampion humble si Kevin Demneri

La futbollin dhe Italinë. Dy vite më pas u shpall kampion kombëtar në artet marciale. Rrugëtimi i Kevin Demnerit, studentit të talentuar të UET, që pasionin e ktheu në punë dhe profesion, me synimin e qartë të sjelljes së një modeli të ri për të rinjtë.

Nga Luiza Pinderi

Në vitin jo aq të largët, 2004, kur me një aparat fotografik ngriu çastin teksa luante te sheshi “Italia” (ish-Kolonat), nuk e kishte imagjinuar se gati 20 vite më pas do të kthehej sërish në të njëjtin vend për t’u bërë kampion kombëtar në artet marciale. Kjo edhe për një fakt të thjeshtë: në moshën 5- 6 vjeçare Kevin Demneri ishte i pasionuar pas futbollit e ëndrrat e tij fëmijnore endeshin  kushedi se në cilat fusha të blerta, klube ndërkombëtare, apo me emra të famshëm futbollistësh. Ishte i vendosur për të kapur suksesin e do të vazhdonte për vite me radhë këtë pasion, deri kur shkeli pandemia e Covid-19, e cila mes shumë transformimeve që solli nëpër botë, ndryshoi edhe jetën e tij.

Ndodhej në Firence, Itali, duke ndjekur rrugën e futbollit, por ndjente se gjërat nuk po i shkonin mirë. Ambiciet dhe realizimet nuk ishin në lartësinë që ia dëshironte vetes. Siç tregon, “në Itali po nuk ece me një ekip të mirë deri në moshën 21- 22 vjeçare dhe të marrësh një pagë të mirë, duhet të tërhiqesh e të mos e ndjekësh më”. Në këto kushte u qartësua se nuk do të ishte futbolli e ardhmja. U shkëput prej tij dhe e la vetëm në kuadrin e një pasioni, gjatë shoqërimit me miqtë në kohën e lirë.

Vëllai i kishte folur në atë kohë për një të ri irlandez, një luftëtar profesionist të arteve marciale, i cili shpejt rrëmbeu vëmendjen e mediave dhe u bë një yll botëror, pasi çdo ndeshje e kthente në një show të vërtet. Conor McGregor bëri një ngjitje fenomenale drejt titullit kampion dhe u fut në histori si luftëtari i parë në UFC me dy tituj botëror njëkohësisht. Kevin ndiqte çdo ndeshje të tij, shpesh edhe rrinte zgjuar natën për t’i parë në kohë reale teksa transmetoheshin në platforma të ndryshme sportive.
Një ditë mori guximin për ta provuar edhe vete.

“Të gjithë ne, kur nuk bëjmë arte marciale, mendojmë se jemi të fortë, por vetëm kur stërvitesh e kupton vërtet forcën tënde”, thotë ai. Gjeti një palestër pranë banesës në Firence dhe menjëherë nisi stërvitjen. “Ishte shumë sfiduese dhe një eksperiencë humble”. Edhe pse në të njëjtën palestër shkonin njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme, avokatë apo profesorë, të gjithë njëtrajtësoheshin, varnin etiketimet profesionale në dollap dhe silleshin vetëm si sportistë. I kërkoi trajnerit që pas 6 muajsh stërvitjeje të përballej me kundërshtarin, gjë që nuk është bërë e mundur për të deri më sot në Itali. Me pandeminë u kthye në Shqipëri, duke mbyllur një kapitull të vjetër, e duke nisur një të ri, që në ato pak hapa të hedhur nuk e kishte idenë se ku mund ta çonin.

Në Tiranë pati mbështetjen e familjes, por e kishte të vështirë të gjente një palestër të rehatshme. Pas tre muajsh stërvitje pranë shtëpisë, zhvilloi direkt ndeshjen e parë te Liqeni Artificial. Fitorja ia shtoi oreksin për sukses. “Objektivi im i parë ishte që të provoja një ndeshje. Kur fitova, më hyri më shumë në qejf.”

Sporti i arteve marciale ka disa disiplina, mes të cilave: jujutsu, grappling, kickbox. Në fillimet e veta merrte pjesë kryesisht nëpër kompeticione grappling, që janë pa goditje dhe vetëm me kapje koke. “Të ndihmojnë shumë me adrenalinën, me ruajtjen e qetësisë, kontrollin e emocioneve”. Pastaj shkoi në një event në Mal të Zi, e më tej në Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci, duke rrëmbyer disa fitore. Ambicia u shtri në disiplinat e tjera, ku kërkonte të përmirësonte pjesën e grushtimeve e shkelmave. Gjeti një palestër të re të quajtur “Strike House”, ku mundësoheshin disiplinat e kërkuara dhe nisi stërvitjet intensive. Në 2023-ën, vit në të cilin Tirana ishte përzgjedhur si kryeqyteti i rinisë dhe sportit, Kevinit do t’i premtohet një ndeshje me një titull të njohur ndërkombëtarisht.

E nisur si një markë veshjesh sportive, Fury Fight Club do të propozojë një event për sjelljen në Shqipëri të titullit I.S.K.A, dhënë nga një organizatë e njohur botërore, projekt i cili u miratua nga Bashkia e Tiranës. Eventi ishte planifikuar të ishte për ndeshje MMA-je (arte marciale të përziera), por mungesa e kundërshtarëve bëri që të kufizohej vetëm në kickbox. Kevin kishte zhvilluar gjatë verës një ndeshje të tillë në Gjirokastër me trajnerët e tij, por tashmë i binte mbi supe një sfidë e re për një titull të madh përballë një kundërshtari nga Kosova.

Një kampion humble si Kevin Demneri

Rrëmbimi i titullit kampion

Pasditen e 1 tetorit doli si çdo ditë nga shtëpia. Eci në këmbë deri te sheshi “Italia”, i cili ishte kthyer në një arenë dyluftimi me praninë e 1500 tifozëve. “Eca në këmbë sikur të ishte një ditë normale stërvitjeje”. Po pavarësisht se u përpoq të minimizonte ngjarjen, emocionet nuk e linin. Ishte hera e parë që në publik kishte familjarët: motrën dhe babain. Gjithmonë kur ndeshej në vendet e rajonit, lajmin e fitores e komunikonte në telefon. Tani ata do të ishin dëshmitarë të asaj se çfarë ai mund të bënte dhe të arrinte.

Prindërit e tij kishin qenë kundër në fillimet e veta. “Mami e kishte merak se mund të lëndohesha, ndërsa babai më tha se jam i rritur dhe mund të bëj zgjedhjet e mia”, tregon ai. Si të gjitha nënat që janë kërkuese, edhe ajo donte profesione të tjera për të birin, që nuk shoqërohen me riskun që kanë artet marciale, dëmtime të fytyrës, çarje, apo këputje ligamenti. Edhe pse i premtoi se do ta shihte nga SuperSorti, ku u transmetua ndeshja, Kevin ende nuk e di nëse ajo ka pasur guximin ta shohë dyluftimin e tij.

Tregon se ndeshja ishte e vështirë, kundërshtari ishte me eksperiencë. Kur u ngjit në ring emocionet shtoheshin, edhe nën vështrimin e dhjetëra syve të njohur të miqve dhe mbështetësve të vet. Raundin e parë e humbi. “Unë jam i mirë në rezistencë dhe me këtë fitova pikë. Në raundet e tjera mora zemër, falë edhe mbështetjes së publikut. Përmbysa rezultatin e në fund të 5 raundeve dola fitues”, rrëfen ai.

Sipas tij, eventi doli me sukses, ishte i mirëorganizuar sipas standardeve ndërkombëtarë, e madje ofroi pagesë jo vetëm për fituesin por për të gjithë pjesëmarrësit në ring. Është optimist se një event i tillë ka arritur vëmendjen e institucioneve publike dhe bizneseve, duke shërbyer si një ogur i mirë për organizimin e evente të tilla të ngjashme në të ardhmen.

“Gëzimi zgjat 3-4 ditë, ndërsa për një ndeshje më janë dashur 3- 4 muaj stërvitje”, thotë Kevin.

Një pasion i kthyer në profesion

Titullin e fituar nuk e ka marrë në shtëpi. E ka lënë në palestrën ku stërvitet, por edhe stërvit fëmijët. “Ngjan më bukur aty, e nga ana tjetër më bën më mirë jo vetëm mua, por edhe të tjerëve që e shohin, është një mjet motivimi”.

Një kampion humble si Kevin Demneri

Gjithmonë brenda fushës së sportit, angazhimet e tij janë të shumta. Vazhdon studimet në vit të dytë bachelor për Edukim Fizik dhe Sporte, pranë Universitetit Europain të Tiranës, e paralel me to, pasionin e nisur e ka kthyer në punë, duke stërvitur në palestër fëmijë poshtë moshës 10-vjeçare. “Fokusi nuk është 100% te sporti, për shkak të moshës që kanë. Gjysmën e kohës ua bëj lojëra e argëtim, e pjesën tjetër stërvitje”.

Thotë se e bën me shumë dëshirë këtë gjë dhe jo vetëm si punë, për shkak se dëshiron që rrugën që ai ka ecur ta shkelin e shumë të rinj të tjerë.
“Mua më ka ndryshuar. Sporti të ndihmon të kontrollosh presionin, adrenalinën, si mëson të durosh goditjet apo të zgjidhësh probleme brenda fushës. Të rrit nga ana psikologjike e të bën më të qetë. Prandaj kam qejf t’ua përcjell edhe fëmijëve këtë pasion”.

Disa prej miqve e kanë ndjekur duke parë suksesin e tij, por thekson se për vazhdimësi duhet disiplina, e vetmja që arrin të përmbushë boshllëkun e mungesës së motivimit.

Planet e tij janë të gjata në këtë sport e ai kurrsesi nuk dëshiron që ta lërë me kaq. Ka ambicien ta mbrojë edhe disa herë të tjera këtë titull, fillimisht brenda Shqipërisë e më pas në ngjarje ndërkombëtare.
Në muajin mars ka ndeshjen e radhës për kategorinë 85 kg dhe mezi pret të mësojë datën dhe kundërshtarët. “Tani fillon ajo që quhet fight camp, stërvitje më intensive. Nuk mund ta mbash gjithë vitin intensive, sepse dëmtohesh. Gjatë vitit është më tepër disiplinë, punon teknikisht”, thotë ai, duke shtuar se stërvitjet e kanë ndihmuar shumë me vetëbesimin, largimin e frikës, largimin e emocioneve dhe adrenalinës që shtohet sidomos në javët para ndeshjes. Trajnerët e tij të palestrës, me një eksperiencë 15-vjeçare, e kanë ndihmuar duke i qëndruar afër në çdo përballje që ai ka pasur.

“Pas ndeshjes së marsit, kam qejf të iki në Mal të Zi, e më tej në Itali. Evente ka plot, mjafton të stërvitesh dhe të mos dëmtohesh”.

Është optimist duke parë rezultatin e arritur në pothuajse 3 vite. Pse jo, në një të ardhme do të dëshironte të stërvitej ose të ndeshej me Nate Diaz. Shembujt e mirë nuk mungojnë dhe Kevin dëshiron të jetë një i tillë, për të treguar se sporti është i shëndetshëm dhe jo domodoshmërisht i dhunshëm, e mund t'iu jap të rinjve atë që vështirë se e gjejnë sot tjetërkund: mirëqenien fizike e psikologjike./Revista Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH