Nga beach bar-et e jugut, në Tiranë, Abu Dhabi, Suedi, Spanjë dhe së fundi në Singapor si zv/president i PR-it dhe Kominikimit në International Bartenders Association. Rrugëtimi i ish-studentit të UET Kleantino Goga është sa interesant aq edhe sfidues, por edhe shpërblyes.
Diku nga vera e 2007-ës do të udhëtonte drejt jugut të Shqipërisë. Puna e bartender-ve në beach bar do ta mahniste. Nëse shokët e tij në tavolinë ndaleshin te ngjyra apo shija e koktejeve, atë e intrigonte procesi i krijimit, teknika, miksimi i pijeve. Aty do t’i lindte shkëndija e parë e kësaj dashurie të gjatë. Nga vëzhgimi kaloi te puna, aq sa të gjashtëmbëdhjetat do ta gjenin ndoshta si bartender-in më të ri të qytetit.
Pas mbarimit të gjimnazit në Fier do të udhëtonte drejt kryeqytetit për të vijuar studimet në Universitetin Europian të Tiranës. Ai nxënësi që nuk përfshihej, që i kushtonte kohë vetëm punës, nuk frekuentonte shumë mësimin dhe i duhej të ndryshonte disa shkolla, u shndërrua në studentin model.
“Kur kam ardhur në universitet kam qenë me mesatare 9.8. Kisha dëshirë shumë të madhe për universitetin im”, do të rrëfente Kleantino Goga në podcast-in “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
Kur mbaroi studimet, pas disa eksperiencave me hotelet më të njohura në Tiranë, udhëtoi drejt Emirateve të Bashkuara. Punoi për dy vjet si menaxher bari në një hotel me pesë yje në Abu Dhabi.
Gjatë kësaj kohe u përgatit profesionalisht me trajnime dhe edukime të vazhdueshme në fushën e hotelerisë. Këtë përvojë e solli në Shqipëri pa u ndalur në formimin e mëtejshëm. Sa më shumë që përfshihej në këtë fushë aq më e gjerë bëhej ajo, gati-gati e pafundme.
Vijoi më tej përgatitjen për Advanced Bartending në një nga akademitë më të famshme në Stokholm, European Bartender School. Udhëtoi drejt Spanjës për t’u rikthyer pastaj sërish në Shqipëri, por me një lloj dyzimi mbi mënyrën e aplikimit të pasionit dhe punës që tashmë e bënte prej vitesh.
“Nuk e gjeja akoma në Tiranën tonë, në Shqipërinë tonë, profesionin siç e shihja apo e lexoja jashtë”, do të rrëfente më tej Goga.
Ndoshta kjo periudhë pauze në pjesën e bartender-it, do t’i jepte një mundësi për të ushtruar profesionin që kishte studiuar, duke punuar si oficer dhe shef Protokolli. Dashuria e parë do ta thërriste sërish për një iniciativë akoma më madhore, e cila tashmë e ka bërë pjesë të një suksesi të ri.
Themeloi Shoqatën e Bartendërve të Shqipërisë, e cila sot numëron rreth 160 anëtarë. Si një i ri profesionist, me disa eksperienca jashtë vendit, ambiciet i kishte të qarta për ta çuar më tej misionin.
Ndoqi me përpikmëri të gjitha kriteret e procedurat për t’u bërë pjesë International Bartenders Association (IBA), një organizatë e rëndësishme botërore me seli në Singapor, e cila vendos standartet e koktejeve sot në botë.
E themeluar në 1951 nga 7 shtete (Danimarka, Franca, Italia, Holanda, Suedia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar), sot ajo numëron 67 vende anëtare dhe 8 vende vëzhguese, me një mori profesionistësh dhe eksperiencash.
Goga tregon se pasi shoqata kaloi statusin e vendit vëzhgues për dy vjet, nga tre që është afati për të plotësuar kriteret, u bë anëtar me të drejta të plota. Momenti kulminant i gjithë këtij rrugëtimi profesional personal por edhe i shoqatës që drejton, ishte zgjedhja e tij me votë gati unanime si zv/president për PR-in dhe Komunikimin në International Bartenders Association. Nga 54 shtete me të drejtë vote, 52 votuan pro një shqiptari.
“Ai ishte një tjetër emocion pasi kam ngritur flamurin shqiptar. Nuk e prisja ngaqë Shqipëria është një vend i vogël”, tregon Goga.
Thotë se ndërlidhja e pasionit në fushën e pijeve me profesionin në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ishte një ndër elementët që e ndihmoi për të arritur këtë sukses. Gjatë rrugëtimit ka bërë ose njërin ose tjetrin, por ky ishte momenti më i mirë për t'i bashkuar. Pozicioni që mban si zv/president i organizatës është edhe diplomatik.
“Shqipëria nuk ka ndonjë ndikim të madh në industrinë e pijes në botë. Por vizioni dhe programi im u pëlqyen. Studimet në Marrëdhënie Ndërkombëtare më ndihmuan, pasi prej tyre njoh strategjinë politike, se si funksionojnë gjërat, ndikimin që ka në gjeopolitikë politika”, rrëfen ai më tej.
Kleantino Goga është gjithashtu sipërmarrës. Ai ka lokalin e vet në zemër të kryeqytetit dhe është e njohur fama e tij si bartender dhe si “alkimist”, siç e quajnë shpesh, për shkak të aftësisë në krijimin e koktejeve të reja dhe me shije të veçanta. Është, gjithashtu, i përfshirë në trajnime dhe jep ekspertizën e vet për bartender-at e rinj, të cilët duhet të marrin një formim bazë mbi pijet, përbërësit, efektet e ndikimin e tyre. Kjo ekspertizë themelore, aftësia për të kombinuar shije, aroma, sjell pastaj avancimin e tyre në karrierë.
Në rolin e tij të ri synon të nxisë rritjen e cilësisë, përfshirjen, krijimin e urave të bashkëpunimit, duke kontribuar kështu edhe si "ambasador” në krijimin e një imazhi të ri të vendit në sektorin që ai përfaqëson. Por, nga ana tjetër, njohjen dhe eksperiencën do ta ndajë me të rinjtë që janë të pasionuar pas këtij zanati.
Për të qenë edhe ata në të ardhmen përfaqësuesit e Shqipërisë nëpër botë, ashtu siç Kleantino Goga nderon sot emrin e saj./(Profil i paautorizaur- Luiza Pinderi)