Universitet

Hodhi themelet e Republikës dhe demokracisë, ASSH-ja zhvillon në Kuvend konferencën për Kongresin e Lushnjës 

Shkruar nga Liberale

Hodhi themelet e Republikës dhe demokracisë, ASSH-ja zhvillon

Më 21 janar të 1920-ës nisi zyrtarisht punimet Kuvendi i Lushnjës, duke hedhur kështu themelet e parlamentarizmit dhe pushtetit të lesgjilacionit në shtetin e brishtë të Shqipërisë. Pikërisht, për të mbrojtur tërësinë territoriale, për të siguruar pavarësinë dhe për të rimëkëmbur këtë “krijesë të sapolindur”, 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave shqiptare zhvilluan punimet e kongresit përgjatë datave 28- 31 janar.

Për të evokuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike, kontributi i së cilës siguroi vijimësinë e shtetit shqiptar, Akademia e Studimeve Shqiptare, në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, zhvilloi konferencën me temë “Parlamentarizmi, Republika, Demokracia”.

Salla plenare e parlamentit u kthye në një auditor për nxënësit e gjimnazeve të Tiranës dhe studentët e Universitetit Europian të Tiranës, të cilët dëgjuan fakte, të dhëna dhe analiza historike për rrugëtimin e institucionit të Parlamentit në Shqipëri gjatë këtyre 105 viteve të ngarkuara me zhvillime politike e ngjarje që kanë lënë gjurmë në vijimësinë e institucioneve tona.

Në aktivitet ishin të pranishëm kryetarët e Parlamentit ndër vite: Gramoz Ruçi, Lindita Nikolla e Namik Dokle, si dhe mësues e studiues të historisë, veteranë dhe të afërm të personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë tonë.

Konferenca u hap me fjalën e kryeparlamentares. znj. Elisa Spiropali, e cila theksoi rëndësinë e kësaj date duke e quajtur një moment historik, i cili kurorëzoi përpjekjet e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të bazuar në drejtësi, liri dhe barazi.

“Kongresi i Lushnjës rrëzoi në sytë e fuqive të mëdha paragjykimin dhe stigmën mbi paaftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar, për të marrë vendime kombëtare, për të bërë shtet e ndërtuar institucione qeverisëse dhe se si të tillë nuk e meritonin shtetin e tyre të pavarur. Kongresi i Lushnjës e shkallmoi përfundimisht këtë sfidë”, tha Spiropali.

Hodhi themelet e Republikës dhe demokracisë, ASSH-ja zhvillon

Duke bërë një kronologji të ngjarjeve që kanë shënjuar këtë histori mbi një shekullore të parlamentit në Shqipëri, Spiropali tha se ajo karakterizohet nga një ndërthurje procesesh dhe betejash politike e shoqërore për emancipim.

“Kongresi i Lushnjës, duke themeluar parlamentarizmin, përveç kontributeve për republikën, shënoi edhe fillesat e para të demokracisë. Fryma e kongresit nuk e fshehu orientimin e parlamentarizmit shqiptar drejt repubik3s. Prandaj mund të themi se krijimi i parlamentit të parë shqiptar, shënoi një pikë kthesë në formimin e republikës dhe përgjatë historisë së tij e dekadave të tij, edhe në konsolidimin e demokracisë”, shtoi Spiropali.

Kryetarja e Akademisë së Studimeve Shqiptare, prof. dr. Nevila Nika mbajti kumtesën e saj me temë "Jeta e trazuar parlamentare 1920-1924, dëshmi gjallërie e mendimit politik, apo përplasje interesash meskine?”, duke bërë kështu një analizë të zhvillimeve politike përgjatë 4 viteve. Historiania e barasvlerësoi këtë datë me një pavarësi të dytë për vendin, për faktin se vuri themelet e shtetit të ri shqiptar në një nga momentet më të rrezikuara për fatet e atdheut. “Atdhetarët që u mblodhën në Lushnjë ia dolën që të merrnin vendimet e duhura”, theksoi Nika.

Hodhi themelet e Republikës dhe demokracisë, ASSH-ja zhvillon

Historiani prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi ligjëroi më tej për temën “Fillesat e parlamentarizmit shqiptar dhe parlamenti pa parti politike 1925-1939”, ndërsa drejtori ekzekutiv i ASSH-së, dr. Florian Çullhaj foli për karakteristikat e parlamentarizmit përgjatë periudhës së komunizmit, nën tematikën: “Parlamentarizmi pa demokraci. Një analizë e trashëgimisë liberale të komunizmit 1946-1990”.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, prof. asoc. dr. Ervis Iljazaj foli për temën: "Parlamenti në qendër te demokracisë shqiptare. Gjendja aktuale dhe e ardhmja e tij."

Në kuadër të këtij 105-vjetori të parlamentarizmit shqiptar, publicisti dhe gazetari Roland Qafoku solli botimin e më të fundit për presidentët e Shqipërisë ndër vite, botuar nga shtëpia botuese UET Press, me titullin “11 Presidentët 1925-2025 - 100 vjet Republikë Shqiptare”.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH