Universitet

HISTORI NJERËZORE: Njihuni me dy të rinjtë nga Pakistani që zgjodhën UET-in dhe Shqipërinë për të studiuar

Shkruar nga Liberale

HISTORI NJERËZORE: Njihuni me dy të rinjtë nga Pakistani që

Ata janë dy të rinj që lanë pas familjen dhe vendlindjen, miqtë dhe të njohurit për të zbuluar një vend të ri, të cilit i besuan formimin e tyre akademik. Si e kishin menduar dhe çfarë gjetën këtu? Rrëfimet e dy të rinjve nga Pakistani që studiojnë në UET

Iran sapo ka mbaruar vitin e parë të studimeve bachelor. Hidhet në vitin e dytë në programin Informatikë Biznesi, i cili ofrohet në gjuhën angleze në Universitetin Europian të Tiranës. Tingëlloi i çuditshëm propozimi kur fillimisht i tha familjes se do të largohej nga Pakistani për të studiuar në Shqipëri. Nuk dinte shumë për këtë vend. Kishte dëgjuar se shqiptarët spikatnin për mikpritjen dhe ishin të dashur. E në fakt nuk u zhgënjye aspak për këtë.

“E gjeta Shqipërinë si shtëpinë time. Këtu më konsideruan si anëtare të familjes”, tregon ajo, teksa falënderon familjen që e suporton në çdo vendim të sajin, ashtu si e mbështeti edhe për studimet. Me bekimin e tyre, fluturoi më shumë se 4500 km për të provuar një eksperiencë të re dhe të bukur.

HISTORI NJERËZORE: Njihuni me dy të rinjtë nga Pakistani që

“Zgjodha Universitetin Europian të Tiranës sepse më pëlqeu shumë ambienti. E kisha parë në rrjetet sociale, por kur erdha këtu e provova vetë marrëdhënien me njerëzit e mrekullueshëm dhe kam mësuar shumë prej tyre. Këtu janë të gjithë të dashur dhe miqësore”, shprehet Iran.

Ajo tregon se tarifa e studimeve dhe jetesës është e përballueshme në Shqipëri, ndërsa po i krijon vetes shumë mundësi të reja, për të pasur një network të pasur që do t’i shërbejë për punësim në të ardhmen. Është përshtatur me vendin, me njerëzit, pëlqen ushqimet dhe shprehet e lumtur që bëri këtë zgjedhje.

Harun është një tjetër student nga Pakistani. Ai gjithashtu studion në vitin e dytë në programin Informatikë Biznesi. Thotë se e ka gjetur shumë mirë veten në Shqipëri. 

HISTORI NJERËZORE: Njihuni me dy të rinjtë nga Pakistani që

“Universitetit Europian i Tiranës më ka ndihmuar për çdo gjë, më ka suportuar në çdo çështje që kam pasur. Shpresoj që më shumë studentë të vijnë këtu në vendin tuaj dhe ta vlerësojnë këtë mundësi që ofrohet”, shprehet Harun. Shpreson që t’i mbyllë studimet me rezultate të larta dhe më pas të gjejë një punë të mirë në Shqipëri. “Më pëlqejnë shqiptarët”, shton më tej.

Prej vitesh Universiteti Europian i Tiranës i ka kthyer sytë nga ndërkombëtarizimi. Fillimisht duke u bërë pjesë e shkëmbimeve Erasmus të studentëve, stafeve akademike e administrative. Me akreditimin nga Agjencia Britanike e Cilësisë, UET forcoi pozitat e tij në tregun e arsimit ndërkombëtar, duke i bërë kështu diplomat të barasvlershme me çdo universitet tjetër në Europë dhe më gjerë. Prej gati tre vitesh, ofron disa programe në gjuhën angleze, në ciklet bachelor dhe master, të tilla si: Financë; Informatikë Biznesi; Inxhinieri Informatike; Master në Shkencat Politike, për Integrim dhe Qeverisje (PoSIG), i cili ofrohet në bashkëpunim me universitetin e Salzburgut, Austri dhe që siguron diplomë dyfishe.

Nëse para 30 vitesh, në Shqipërinë e dalë nga sistemi, dikush do të guxonte të thoshte se në një ditë të largët, vendi që prodhoi emigrantë do priste të tillë, me siguri do të cilësohej i çmendur. Do të etiketohej si ndonjë përçartës me fantazi të ushqyer nga leximet e librave despotikë e konspirativë. Koha e ka këtë fat, të jetë dëshmitare edhe e ngjarjeve më të paimagjinueshme.

Tashmë gjithçka është fakt. Shqipëria është pjesë e globalizmit me gjithçka që ndodh nëpër botë në sektorin e turizmit, tregun e punës, fushën e edukimit dhe arsimit, apo çdo fushe tjetër të zhvillimit të shoqërisë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH