Universitet

HISTORI NJERËZORE/ Doktorantja e UET Dorina Olldashi, vajza që nënshtroi fatin dhe jeton sot ëndrrat e saj

Shkruar nga Liberale

HISTORI NJERËZORE/ Doktorantja e UET Dorina Olldashi, vajza që

Studente ekselente, profesioniste e përkushtuar, autore librash e studimesh, doktorante e Universitetit Europian të Tiranës. E nderuar me titullin “Mirënjohje e Qytetit” nga bashkia e  Elbasanit, Dorina Olldashi tregon dhe motivon me historinë e saj të jetës, ambicien dhe vullnetin e pakrahasueshëm.

Ajo mbrëmje tetori do t’i mbetet gjatë në mendje. Ndoshta përgjithmonë, pavarësisht se rrugëtimi i saj jetësor dhe profesional do të ketë vazhdimisht diçka për të festuar. Ngjarjen ia komunikuan në momentet e fundit. Krenare patjetër, kur e dëgjoi, edhe e lumtur për faktin se diçka nga shpirti i saj kishte reflektuar në jetën e komunitetit.

Kur u ngjit në skenë, mes një grupi të vogël njerëzish që u nderuan me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, nuk mund t’i mposhtte emocionet. “Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”, kujton Dorina Olldashi momentin e dorëzimit të titullit nga kryeministri Edi Rama, dy vite me parë në teatrin “Skampa” të Elbasanit.

“Për përkushtimin, këmbënguljen, forcën, shpirtin luftarak, dhe punën e palodhur duke u kthyer në shembull frymëzimi në Elbasan e më gjerë.” Ishte ky motivacioni i titullit dhënë nga Bashkia e Elbasanit dhe kryebashkiaku Gledian Llatja, si një vlerësim për punën dhe dedikimin e treguar në punën si kontabiliste pranë Qendrës Sociale Balashe, një ent shërbimesh për të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar. Brenda një kohe të shkurtër ajo spikati me aftësitë profesionale, menaxhuese, por edhe vetitë e larta njerëzore.

HISTORI NJERËZORE/ Doktorantja e UET Dorina Olldashi, vajza që

Një shembull heriok i jetës së përditshme dhe një kontributore për t’iu shërbyer jetëve të të tjerëve, do ta quante kryeministri Rama. “Nga një person në një situatë të vështirë shëndetësore që priste ndihmë, me forcën e karakterit dhe ambicies është bërë një person që iu shërben të tjerëve”, do të shtonte më tej.

Një njeri me aftësi të kufizuara, që i është nënshtruar dhjetë operacioneve në shtyllën kurrizore dhe në sy, ka shumë vështirësi për të thënë, për të treguar, ndoshta, me shumë të drejtë, edhe për t’u ankuar. Dorina është mësuar që në lindje të jetojë me sëmundjen e vështirë. Kushtet shëndetësore ia kanë ndrydhur jetën, përditshmërinë, objektivat, por nuk e kanë ndalur. As mposhtur. Ndjehet e bezdisur që të flasë për sfidat e kaluara. “Kam kaluar shumë vështirësi prej saj, për t’u përshtatur dhe integruar në shoqëri. Por kjo nuk më pengoi të vazhdoja studimet”, tregon ajo.

Po aq të vështirë e kishte të gjente punë pas diplomimit në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në programin Financë- Kontabilitet bachelor dhe drejtim bankar, master shkencor. Që nga finalizimi i studimeve në 2016 i është dashur të kërkojë vazhdimisht, duke gjetur aty-këtu pozicione të përkoshme dhe aftshkurtra. Në 2021 aplikoi në portalin e bashkëqeverisjes. I kthyen përgjigje dhe i ofruan pozicionin e konabilistes pranë Qendrës Sociale Balashe, në varësi të Bashkisë së Elbsanit. “Kjo punë është motivimi që unë e shikoj jetën dhe them se është e mundur edhe për mua. Më plotëson”, shprehet Dorina.

Për shkak të gjendjes me sëmundjen dëshira e hershme për studime ishte mjekësia. Kushtet ekonomike nuk ia mundësuan largimin nga Papëri, fshati i lindjes, drejt Universitetit të Mjekësisë në Tiranës, edhe pse ishte një studente ekselente në shkollën e mesme. Iu përkushtua plotësisht studimeve universitare në fushën e ekonomisë duke dalë sërish ekselente. Aplikoi disa herë si pedagoge pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, por i kërkuan që të mbaronte studimet doktorale.

Kur dëgjoi se Universiteti Europian i Tiranës kishte hapur kuotat për studime doktorale pa asnjë mëdyshje vendosi ta provonte. “Hezitimi nuk është diçka që e njeh, nuk e ka pjesë të jetës. Nëse do ta linte hezitimin të hynte në planet dhe ëndrrat e saj, shumë nga vendimet dhe arritjet e deritanishme do të ishin mendime imagjinare që japin efektin e ëndrrave në një dite me diell.

Vendosi të interesohej pranë UET, pa e ditur se në fakt do ta priste diçka tjetër. Një surprizë e këndshme i hapi një dritare te re ambicies jo edhe aq të hershme. Gjatë studimeve universitare, për shkak të njohurive, përkushtimit, oratorisë që nuk i mungon, qëndroi si asistente e pedagogëve. Ishte ky një ndër ato momente kur i lindi pasioni për mësimdhënien. I ka provuar auditorët, e njeh ndjesinë dhe pasionin e të qëndruarit përballë studentëve, në ato salla që shpesh duken sa të zbrazëta aq e të mbushura me jetë e histori të gjalla njerëzore.

Teksa po interesohej për tarifat dhe kushtet e doktoraturës në UET, tregoi edhe për problemet e kahershme me shëndetin. UET i ofroi mundësinë e një burse të pjesshme, në të cilën një pjesë të vogël të tarifës do ta paguante vetë, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga institucioni në bashkëpunim me Bashkinë e Elbsanit. Tashmë ajo është regjistruar në vitin e parë dhe punimin e ka orientuar drejt sektorit të përfshirjes financiare, nën ushëheqjen e profesorit të ekonomisë Prof. Dr. Hysen Muceku. Ndjehet falënderuese ndaj UET për mundësinë që iu ofrua, e bindur se jo çdo institucion e bën këtë dhe jo për këdo.

“Jam munduar me mish e me shpirt, për të ecur përpara, për të mos iu bërë barrë familjes sime, me të gjitha sikletet që kam. Kështu që më vjen mirë që këtu u vlerësua përpjekja dhe vullneti im.” “Është një mundësi që të vjen një herë në jetë”, shton me të qeshur.

Dorina Olldashi është autore e 2 artikujve shkencorë dhe disa librave. Shtëpia botuese gjermane Lambert Academic Publishing i ka botuar në disa gjuhë tre librat me studime që ajo ka zhvilluar në fushën e ekonomisë: “Cash apo pa cash, Si të paguajmë?!”; “ Analiza financiare krahasuese dhe likuiditeti”; “Aktorët mikroekonomikë që përcaktojnë kursimin në familje”. Nëpërmjet analizës teorike por kryesisht asaj emiprike, autorja zbërthen disa elementë domethënës të ekonomisë që demonstrohen në familjet dhe shoqërinë shqiptare, siç janë ato që kanë të bëjnë me kursimet, mënyrat e pagesës etj.

Përtej botimeve në fushën e studimeve, Dorina ka eksperimentuar në fushën e letërsisë. Është autore e një libri me poezi të titulluar “Përtej imazheve”. Aktualisht po punon me një roman, i cili gjendet shumë herët në fazat e krijimit. Nuk ka shumë për të zbuluar dhe për të thënë për të, përveç dëshirës që lexohet qartë që personazhet e historitë e tyre të dalin në jetë. Të dalin në jetë e të veprojnë me po të njëjtin vullnet të paepur, me të njëjtin guxim për të ëndërruar dhe shpresuar deri në atë pikë sa gjithçka bëhet e realitet.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH