Universitet

Forumet UET/ Valer Pinderi: Nuk do të zëvendësohemi nga AI, por nga 15-vjeçarë që dinë ta përdorin atë

Shkruar nga Liberale

Forumet UET/ Valer Pinderi: Nuk do të zëvendësohemi nga AI, por

Inteligjenca Artificiale dhe përdorimi i saj në arsimin e lartë ishte tema e diskutimit të Forumit të radhës në Universitetin Europian të Tiranës, me të ftuar z. Valer Pinderi, presidenti i Albanian E-commerce Association. Çfarë po ndodh me Chat GPT, sa rrezikohen profesionet nga AI dhe ku është kufiri i ri i kësaj rritje eksponenciale teknologjike; ishin disa prej temave të trajtuara me studentët dhe pedagogët e UET.

“Nëse ne në akademi nuk e përdorim Inteligjencën Artificiale, nuk do të na zëvendësojë ajo, por një 15-vjeçar që ka nisur ta përdorë atë.” Tingëllon alarmuese, por sipas Valer Pinderit, presidentit të Albanian E-commerce Association ky është realiteti që po ndodh, e në vitet e ardhshme do të jetë më i dukshëm. Sipas tij nuk është më momenti i diskutimit nëse duhet apo jo ta përdorim Inteligjencën Artificiale. Çështja që shtrohet për diskutim është si ta përdorim për zhvillimin tonë dhe rritjen e produktivitetit.

“Është një oportunitet i jashtëzakonshëm që kemi në duar sot”, do të shprehej më tej Pinderi duke shtuar se shqiptarët ende e kanë të vështirë të mësohen me botën online. “Kam 12 vjet që jam CEO dhe themelues i kompanisë së parë online në Shqipëri. Jam përballur me pjesën teknologjike gjithë këto 12 vitet e jetës sime dhe mund të them se njerëzit nuk po përshtaten aq lehtë. Kam kaq vite në shitjet online dhe na pyesin çdo ditë sa kushton ky produkt, ndërkohë që ne kemi një faqe ku kemi të shënuar çdo gjë.”

Në Forumin e IV UET, zhvilluar nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, nën moderimin e dekanes prof. asoc. dr. Ermela Kripa, tema e diskutimit për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë, ngjalli diskutime që kishin të bënin me përdorimin e Chat GTP, zëvendësimin e profesionistëve apo daljen nga tregu të shumë profesioneve aktuale.

“Inteligjenca Artificiale po e ndikon arsimin e lartë në dy pikëpamje kryesore: sa i përket cilësisë së mësimdhënies, por edhe mësim nxënies. Shumë universitete po krijojnë programe të personalizuara për studentët, të cilët kanë aftësi të ndryshme duke përdorur AI, algoritme të ndryshme”, u shpreh prof. Kripa. Por nga ana tjetër ajo pranoi se edhe pedagogët duhet të trajnohen në këtë fushë, pasi kërkohen metoda të reja pedagogjike më interaktive duke përdorur AI. Dekania shtoi se për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, UET ka zhvilluar trajnime për pedagogët se si të përdorin Chat GPT dhe Inteligjencën Artificiale për kërkimin shkencor.

Sipas Pinderit, akademikët nuk mund të frikësohen nga rritja eksponenciale që ka pësuar teknologjia, pasi kjo gjë është parashikuar shumë dekada më parë, por thjesht tani është bërë më e dukshme dhe ndjehet sikur ka dalë nga kontrolli. Pinderi përmendi inovatorë si Gordon Moore apo Ray Kurzweil, të cilët kanë parashikuar këtë çfarë po ndodh sot në botë. Themeluesi i Google X, i cili qëndron pas AI të kësaj kompanie, në librin e tij “The singularity is near”, parashikon se momenti kur AI do të lidhet me njeriun është në 2049. “Është një realitet nuk e kuptojmë dot”, tha Pinderi më tej duke theksuar se tashmë është koha që ta mësojmë dhe praktikojmë AI.

“Në këndvështrimin tim duhet ta përdorni 20 % të kohës suaj Chat GPT, është një eksperte në të gjitha fushat. Mund të jeni shumë të mirë në fushën tuaj, por mund të mos jeni aq pranë me të rinjtë e sotëm.”

Sipas tij, të rinjtë janë përdoruesit më të mëdhenj të platformave sociale dhe kësaj tendence nuk i kanë shpëtuar as të rinjtë në Shqipëri. Nga eksperienca e tij në gjimnaze, Pinderi tha se ka kuptuar që adoleshentët rrinë 6 orë në këtë TikTok prandaj edhe ai ka zgjedhur që t’i japë aty mesazhet e tij. Duke folur për edukimin e këtij brezi, ai tha më tej se ne duhet ta themi të vërtetën që nuk thuhet në internet.

Forumet UET/ Valer Pinderi: Nuk do të zëvendësohemi nga AI, por

“Inteligjenca Artificiale nuk është programuar, nga ata 50 mijë programues që ka Meta, për të nxjerrë të vërtetën. Janë të programuar për të rritur ndërveprimin dhe janë shumë të suksesshëm në këtë. Database e asaj që ndodh në rrjetet sociale është më e madhe se gjithë Tirana dhe gjithë kohës mendojnë si të rritet ndërveprimi në rrjetet sociale.”

Por nëse pedagogët, prindërit flasin dhe drejtojnë të rinjtë, do të vijë koha që edhe ata të kuptojnë e të largohen nga rrjetet sociale dhe nga përdorimi i dëmshëm, duke e kthyer në dobi për veten dhe zhvillimin e tyre profesional.

Lidhur me rrezikun e zëvendësimit të disa profesioneve nga Inteligjenca Artificiale, Pinderi tha se qëllimi i bizneseve është që ta përdorin atë për të rritur produktivitetin. Ajo që kërkohet, është prania e më shumë njerëzve që dinë ta përdorin dhe kontrollojnë atë në funksion të produktivitetit.

“Problemi i njerëzve si unë që duan të bëjnë biznes, është si të gjejnë një mënyrë t’i ushqejmë njerëzit pa lekë fare. Në këndvështrimin tim, shumë subjektiv, nuk do të ketë më nevojë për taksa, apo diskutime a do të ushqehen njerëzit. Çdo gjë të do jetë do jetë automatike dhe koncepti i njerëzve për mbijetesë nuk do të ekzistojë më. Bëhet fjalë për 10 vitet e ardhshme, sepse po flasim për rritje eksponenciale.”

Sot duket si një botë surreale, e ngjashme me prodhimet kinematografike nga regjisorët më me fantazi, por sipas Pinderit, sfida apo konflikti i ardhshëm është nëse do të pranojmë apo jo të vendosim mikropçipin në tru, për t’u lidhur me AI.

“Njerëzit që do të pranojnë ta bëjnë këtë, do ta kenë koeficentin e inteligjencës 10000 dhe ne do ta kemi 130 deri në 160. Kjo dilemë do të ngjallë pak konflikt në mes. Por do të ndodhë, janë parashikime që janë bërë. Në librin e Ray Kurzweil, 80% e parashikimeve kanë ndodhur.”

Pinderi foli më tej edhe për shqetësimin e ngritur ndaj saktësisë së Chat GTP-së, e cila shumë herë nuk është e vlefshme dhe të çon në informacione të pasakta.

“Chat GPT është algoritëm, që parashikon fjalët e ardhshme pas atyre të mëparshme. Ti jep një sasi fjalësh dhe ato parashikojnë çfarë vjen më pas. Praktikisht nuk e di fare çfarë flet, thjesht zgjedh ato që shkojnë më shumë”, sqaroi ai, duke shtuar se po dalin versione të reja më të specializuara që do të kenë saktësi më të madhe.

Sipas tij, secili prej nesh duhet të praktikojë më shumë Inteligjencën Artificiale, sepse është i sgurt fakti që do ta përdorim në të ardhmen çdo ditë dhe  do të na ndihmojë të përmirësohemi.

“Ne në Shqipëri jemi 0.01% e botës. Ta lëmë mënjanë këtë pjesën e hallit dhe të stresit se çfarë do të ndodhë në të keqen, dhe le të merremi me pjesën pozitive dhe si mund të përfitojmë prej saj.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH