Kanë nisur për këtë vit të ri akademik Forumet UET, një “agorë” e mendimit, debatit, informimit për studentët dhe jo vetëm. Personazhe të spikatur të fushave të ndryshme kanë folur mbi çështje thelbësore, të ngutshme, aktuale, duke sjellë ekspertizën dhe eksperiencën personale. I ftuari i pari që çeli këtë cikël për vitin 2024-2025 ishte ambasadori Michel Tarran, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili foli për zgjedhjet në Shqipëri, mediat, sistemin zgjedhor dhe bashkëpunimin me universitetin.
Për ambasadorin Francez, Michel Tarran, Shqipëria dhe shqiptarët nuk ishte një vend krejtësisht i panjohur. Para dy dekadave, në vitet më problematike, më të rëndësishme dhe më jetike për shqiptarët, Tarran mbajti disa detyra në Shqipëri dhe Kosovë. Në vitet e para të tranzicionit ishte i emëruar si atashe për Kulturën, Shkencën dhe Bashkëpunimin në Ambasadën Franceze në Shqipëri, një post që e mbajti për katër vite, 1994-1998. Shërbeu në vitin 1999 si këshilltar politik në Konferencën e Rambujesë për Kosovën dhe më pas në Ambasadën Franceze në Shqipëri për çështjen e refugjatëve kosovarë. Në vitet 1999-2001 mori detyrën si zëvendës shefi i Zyrës Ndërlidhëse Franceze në Kosovë për të kaluar po atë vit këshilltar politik i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Pas një karriere të gjatë diplomatike, si ambasador apo zëvëndës ambasador i Francës në disa vende, si këshilltar politik apo zëdhëns, Michel Tarran mori propozimin për rikthimin në Shqipëri. Në muajin maj të 2024 u emërua si kryetar i Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ndërsa prej katër muajsh po njeh problematikat e reja të vendit tonë.
Ndryshe nga shumë diplomatë të tjerë, Michel Tarran jo vetëm që flet gjuhën shqipe, por siç rrëfeu në Forumet e UET për studentët dhe pedagogët e këtij universiteti, rri dhe shoqërohet në kohë të lirë me shqiptarë për të njohur më mirë atë se çfarë ndodh këtu.
Edhe pse Shqipëria u bë pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (në atë kohë CSCE) në vitin 1991, Prezenca e këtij institucioni erdhi për herë të parë në 1997, si kërkesë e qeverisë shqiptare për kapërcimin e krizave të atëhershme politike. Michel Tarran tha se situata politike edhe sot nuk është perfekte, prandaj prezenca e organizatës që drejton do të vijojë të ekzistojë në Shqipëri.
“Nëse sot do t’ju thosha se sot gjithçka është perfekte në Shqipëri, atëherë fraza tjetër do të ishte: “Mirupafshim, le të shkojmë”. Nëse situata e zgjedhjeve do të ishte perfektë në Shqipëri, nuk do të kishte më vend për misionin tonë dhe do ta mbyllnim”, u shpreh ambasadori, duke theksuar se OSBE vazhdon misionin e saj në 57 vende të ndryshme ku më pak se gjysma janë vende anëtare të Bashkimit Europian.
“Akoma vendi juaj ka nevojë për OSBE-në. Këtë konstatim mund ta bëj për shumë vende, edhe ato perëndimore”, shtoi Tarran.
Ambasadori foli për rolin e organizatës, jo vetëm për monitorimin e zgjedhjeve, por edhe për çështje të tjera jetike që kanë të bëjnë me shoqërinë, si: lufta kundër trafikimit e deri te reforma zgjedhore; nismat kundër korrupsionit; projektet për integrimin gjinor dhe mjedisor; mbrojtja e të drejtave të njeriut; reformat legjislative, gjyqësore dhe të medias; dhe ngritja e kapaciteteve të oficerëve të zbatimit të ligjit.
Duke qenë se diskutimi i tij ishte i fokusuar te zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa jemi në prag të një viti elektoral me zgjedhjet parlamentare të 2025, ambasadori Tarran u pyet cili sistem zgjedhor është më i përshtatshmi për Shqipërinë. Tarran tha se sipas Sipas OSBE-së nuk ka një sistem të caktuar që duhet të aplikojnë të gjithë vendet dhe kjo është në varësi të situatës politike, por theksoi se i është dukur interesant fakti që disa politikanë që kanë qenë kundër sistemit proporcional dikur, sot janë pro.
I pyetur për faktin se në raportet e nxjerra nga OSBE/ODHIR për zgjedhjet në Shqipëri nuk dalin problemet reale dhe fakti që fitohen nga një parti politike vë në pikëpyetje demokracinë, ambasadori Tarran nuk pranoi të përfshihej në debat politik, duke u shprehur se është përfaqësues i një organizate ndërkombëtare e cila nuk hyn në vendimmarrje, por ka funskion monitorues.
“Po të lexoni raportet e ndryshme që ka shkruar ODHIR pas zgjedhjeve që janë bërë, do të shikoni se atje ka kritika, ka edhe propozime që nuk janë implementuar nga qeveria shqiptare dhe ky nuk është faji ynë”, u shpreh Michel Tarran.
Po ashtu, ambasadori foli për punën që po bën OSBE për të rritur pjesëmarrjen dhe transparencën në zgjedhje, si dhe për trajnimin e mediave në mbulimin e këtyre ngjarjeve.
Për sa i përket pyetjeve të studentëve për lirinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve në Shqipëri, ambasadori tha se një çështje e ngutshme është ana tjetër e medaljes, ajo e përgjegjësisë, dhe se me shpërthimin e mediave sociale kanë dalë problematika të reja.
“Edhe për çështjen e mediave do të them se situata në Shqipëri është e vështirë, por jo vetëm në Shqipëri. Çështja e lirisë së të shprehurit dhe presioni ndaj gazetarit ekziston në të gjitha vendet. Ka vende me më shumë eksperiencë, ndërsa Shqipëria është e re në këtë drejtim sepse liria ekziston vetëm 30 vitet e fundit.”
Po ashtu, ai u tregua i hapur për nisjen e bashkëpunimit me universitetet, duke u nënvizuar se në OSBE ka vend për punësimin e studentëve.
“Aktualisht punojnë 80 shqiptarë të cilët kanë qenë studentë të universiteteve të ndryshme. Kandidatët që kanë një formim të mirë si në universitetin tuaj, kanë më shumë shans.”