Prof. dr. Kristaq Xharo është një nga profesorët që rekomandoi emrin e gjeneralit Christopher G. Cavoli për t'u nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Më poshtë, fjala e tij e plotë, mbajtur në cermoninë e zhvilluar më 16 shtator.
Zoti Kryeministër!
Komandant Suprem, Gjeneral Cavoli!
Pjesëmarrës dhe të ftuar nderi!
Prania e Kryeministrit Rama dhe Gjeneral Cavolit, Komandantit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Forcave të SHBA-së në Evropë, në këtë auditor, e bën këtë një ditë të veçantë jo vetëm për Universitetin Europian të Tiranës.
Gjeneral,
Ne e vlerësojmë shumë praninë tuaj, sidomos duke marrë parasysh axhendën tuaj tepër të ngarkuar. Për ne, kjo vizitë është një tjetër mesazh i përkushtimit tuaj për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global. Me lejen tuaj, dua të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar ekipin tuaj të shkëlqyer që e bëri të mundur këtë ditë.
Në Universitetin Europian të Tiranës, pjesë e misionit tonë është përgatitja e liderëve të së ardhmes nga Shqipëria dhe vendet fqinje, që do të kontribuojnë për një botë më të sigurt dhe paqësore. Ky aktivitet është një hap drejt synimit tonë për t'u bërë një institucion akademik lider në Shqipëri, që ofron programe bachelor, master dhe doktoratë në studimet e paqes dhe luftës, sigurinë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Në historinë e universitetit tonë, kemi nderuar figura të shquara me titullin 'Doctor Honoris Causa'. Sot është ndryshe; është hera e parë që kemi privilegjin të nderojmë një lider në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Për ne, ky titull nuk është vetëm një çmim, është një njohje për lidershipin e jashtëzakonshëm të gjeneralit, vizionin strategjik dhe përkushtimin e tij të fortë për paqen dhe sigurinë.
Së bashku me Profesor Dukën, të mbështetur fuqimisht nga rektorët Gjura dhe Kruja, ne propozuam para Senatit Akademik akordimin e këtij titulli, dhe dëshiroj të marr një moment për të shpjeguar shkurtimisht arsyet. Për shkak të kohës së kufizuar, për veten time, por jo për ju, Gjeneral, më lejoni të përmend vetëm disa nga arritjet tuaja të jashtëzakonshme.
Gjeneral, formimi juaj akademik është me të vërtetë frymëzues dhe shumë i admiruar. Pasi përfunduat studimet me rezultate të shkëlqyera në Biologji në Universitetin Princeton, dhe më vonë master në ‘Studimet Ruse dhe të Evropës Lindore’ nga Universiteti Yale, ju përfunduat studimet në të gjitha institucionet akademike për mbrojtjen dhe sigurinë në SHBA.
Më pas, ju ishit profesor në institucione të shquara ndërkombëtare si Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare dhe Qendra George Marshall për Studime të Sigurisë. Ky formim i plotë dhe i pasur akademik, i kombinuar me aftësitë tuaja të shkëlqyera drejtuese, ju ka bërë sot një nga liderët më të respektuar ushtarakë në botë.
Të nderuara pjesëmarrës,
Lidershipi shkon përtej kurikules së tij akademike. Për gjeneralin, lidershipi nuk është vetëm çështje komandimi trupash, është çështje frymëzimi edhe për të tjerët, që të kontribuojnë për paqen dhe sigurinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, e tha më së miri kur e prezantoi Gjeneralin Cavoli si Komandantin Suprem të NATO-s: “Ju ishit lideri i duhur, në postin e duhur, në kohën e duhur.” Gjenerali ka drejtuar në çdo nivel ushtarak, duke përballuar sfida në mbarë botën, në Azi, Afrikë, Evropë dhe Lindjen e Mesme. Ai ka marrë pjesë në operacione të mëdha luftarake si Lufta e Gjirit, Bosnja dhe Afganistani. Lidershipi i tij ka siguruar që forcat e SHBA-së dhe NATO-s të jenë gjithmonë të përgatitura për të pasur një avantazh strategjik ndaj kundërshtarëve.
Senati Akademik e njeh Gjeneralin si një strateg dhe planifikues të shkëlqyer, një harmonizues të artit të lidershipit me shkencën e planifikimit strategjik. 4 000 faqe planifikimi strategjik për forcimin e kapaciteteve dhe gatishmërisë së NATO-s, të miratuara në Samitin e Vilniusit 2023, ishin një nga sukseset e fundit. Kjo reflekton një kuptim të thellë të sfidave globale të sigurisë së sotme, veçanërisht brenda peizazhit kompleks të kërcënimeve të sigurisë ndërkombëtare dhe agresionit të vazhdueshëm rus ndaj Ukrainës.
Gjeneral, kontributi juaj i jashtëzakonshëm nuk kufizohet vetëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Aftësitë tuaja diplomatike kanë qenë po aq jetike për suksesin në pozicionin tuaj të lartë. Si Komandant Suprem, ju keni luajtur një rol kyç në forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit mes anëtarëve të NATO-s, duke ndihmuar aleancën të bëhet më e fortë dhe më e bashkuar. Zgjerimi i NATO-s në 32 vende anëtare është një proces që është njëkohësisht gjeopolitik dhe operacional, ku roli juaj mbetet thelbësor.
Dhe së fundmi, por më e rëndësishme për ne në këtë auditor: Lidershipi juaj ka qenë thelbësor në ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Siç u theksua gjatë Samitit të Uashingtonit, ky rajon ka rëndësi strategjike për aleancën, dhe angazhimi juaj diplomatik dhe udhëheqja strategjike ushtarake kanë siguruar vazhdimësinë e sigurisë së tij. Në këtë kontekst, roli i KFOR-it në Kosovë qëndron si një garanci sigurie për të gjithë rajonin.
Shkurtimisht, arritjet tuaja dhe kontributet e jashtëzakonshme në kurikulen akademike, mendimin dhe planifikimin strategjik, lidershipin dhe diplomacinë, si dhe kontributi juaj i drejtpërdrejtë në këtë rajon janë qartësisht disa nga arsyet pse Senati Akademik ka nderin t'ju akordojë juve titullin 'Doctor Honoris Causa'. Për ne është një shembull i qartë i rolit të auditorëve akademikë në prodhimin e liderëve të mëdhenj.
Të ftuar të nderuar dhe të dashur pjesëmarrës!
Para se të përfundoj, Gjeneral me lejen tuaj, do të doja të ndaja një histori personale.
Rreth 25 vite më parë, si ushtarak nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, kisha privilegjin të isha shok klase me Gjeneral Cavoli-n në CGSC (Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm) në Leavenworth, Kansas. Që nga ajo kohë, Gjeneral, ju ishit një mentor për mua, më treguat miqësi, lidership dhe mbështetje të çmuar. Sot, jam shumë krenar të them, “Unë isha dikur shok klase me një gjeneral me katër-yje, Komandant Suprem i NATO-s, dhe më besoni, e përmend shpesh, jo vetëm për studentët e mi!”
Faleminderit, Gjeneral Cavoli, faleminderit z. Kryeministër.
Faleminderit të gjithëve për vëmendjen tuaj.