Universitet

80-vjetori i Çlirimit/ ASSH-ja sjell studimin "Të rënët e Luftës së Dytë Botërore", promovovimi të enjten në COD

Shkruar nga Liberale

80-vjetori i Çlirimit/ ASSH-ja sjell studimin "Të
Akademia e Studimeve Shqiptare sjell në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë botimin e saj të parë dedikuar të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Libri do të promovohet të enjten, 28 nëntor, në COD, me praninë e kryeministrit Edi Rama.

Historiografisë shqiptare i shtohet një vepër e re. "Të rënët e Luftës së Dytë Botërore" është studimi i parë i Akademisë së Studimeve Shqiptarë që vjen në këtë 80 vjetor të Çlirimit të Shqipërisë për të çelur kështu diskutimin e nevojshëm për një periudhe të pa çpluhurosur me themel.

Rishikimi i së kaluarës, mbledhja e dëshmive dhe të dhënave të panjohura, krahasimi dhe interpretimi nën dritën e fakteve të reja, nevojitet për t'u përballur me historinë e fitimtarëve.

Studimi për kohën e luftës në Shqipëri vjen me kontributin e çmuar të studiuesve dhe profesorëve të njohur: Prof. Dr. Nevila Nika, kryetare ASSH-së; Prof. As. Dr. Hasan Bello; Prof. Asoc. Dr. Marenglen Kasmi; Dr. Çelo Hoxha; PhD Florian Çullhaj.

Nga ardhja e pushtuesit italian e më pas atij gjerman, rezistenca, viktimat, grupimet, ideologjitë; Autorët risjellin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, përmes një perspektive më të gjerë, duke integruar të gjitha të dhënat e disponueshme për të kuptuar më në thellësi këtë periudhë të trazuar.

Jetët e humbura të 29,179 individëve gjatë luftës tregon se kostoja njerëzore ishte e lartë, por në kontrast me filmat e prodhuar në komunizëm, përfshirja, përballja dhe rezistenca ishte shumë më e gjerë në popullatë.

"Një nga objektivat kryesore të këtij libri është rivlerësimi i kontributeve dhe sakrificave të të gjitha grupeve të përfshira në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Këtu përfshihen jo vetëm partizanët, por edhe nacionalistët, civilët dhe forcat e huaja shpesh të anashkaluara", shkruan në parathënie PhD Florian Çullhaj, drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Shqiptare.

Autorët shfrytëzojnë arkivat kombëtare dhe ndërkombëtarë, si dhe përdorin një kombinim të prozopografisë dhe kronotopisë si metodologji parësore, duke siguruar një qasje rigoroze dhe të strukturuar për rindërtimin e narrativave historike.

Përveçse një përpjekje për të rishikuar dhe rivlerësuar të dhënat historike të Shqipërisë, ky botim është edhe një ftesë për studiuesit, historianët dhe studentët e angazhuar, të mos i ndalin përpjekjet për të vendosur nën dritën e fakteve dhe të të vërtetave të kaluarën tonë.
Rizbulimi, rindërtimi dhe rishikimi i historisë nuk është vetëm kredo profesionale, është kontribut e nderim i sakrificave, të atyre që njihen dhe atyre që fliten pak, të atyre që dolën në betejë dhe atyre që luftuan me mjete të tjera, për të siguruar lirinë, asetin e pakohë e të paçmim.

Promovimi i librit do të zhvillohet ditën e enjte, 28 nëntor, ora 18:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog- COD, Kryeministri, me praninë e kryeministrit Edi Rama.

Ngjarjet dhe datat e shenjuara historike nuk janë festë, janë rikujtesë. Një brez që injoron historinë nuk ka të kaluar dhe të ardhme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH