Jo, po: a s’ desht djalli Shqypni?
Jo, po: a s’ desht hasmi Shqyptarë?
Qé, pra, sod po ka Shqypni;
Qé, pra sod po ka Shqyptarë.
Vargjet e Gjergj Fishtës, interpretuar mjeshtërisht nga aktori Reshat Arbana, çelën Paradën e Shqiptarëve në zemër të Tiranës. Ngjarja madhore e festimit të Pavarësisë solli një kolorit ngjyrash, emocionesh, kostumesh e këngësh të njohura, duke mbledhur shqiptarët anembanë botës.
Dita e Flamurit bashkoi zemrat shqiptare, të cilët festuan e nderuan të kaluarën, sakrificat dhe veprat e paraardhëseve, por edhe patën mundësi të njohin trashëgiminë e kulturën tonë.
Mbi 300 grupe artistike nga kudo që flitet shqip, me flamuj e veshje të traditës, nën tingujt e këngëve patriotike, parakaluan nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek sheshi “Skënderbej”, ndërsa dhjetëra qytetarë, nën ngjyrat kuqezi dhe me flamuj në dorë, shijuan shfaqjen dhe festuan 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Nuk mund të mungonin në këtë ngjarje të veçantë studentët e Universitetit Europian të Tiranës, të cilët tashmë kanë dëshmuar shpirtin e tyre të iniciativës dhe përfshirjes, duke u bërë shpesh pjesë e aktiviteteve, veprimtarive e ngjarjeve me rëndësi për qytetin dhe komunitetin.
Përfshirja është tregues i vëmendjes dhe angazhimit qytetar, që më shumë se kujtdo i vlen brezit të ri dhe studentëve, për vetëdijësimin e tyre mbi historinë, mbijetesën dhe luftën e paepur për liri.
Me flamurin e Skënderbeut, të Ismail Qemalit e Isa Boletinit, të rinjtë përjetuan emocionet e paradës, mes fëmijëve, burrave, grave dhe të moshuarve e çdo krahine nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, e kudo ku ka shqiptarë, ShBA, Europë, Australi etj
Parada u organizua nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare”.
Ky aktivitet synon jo vetëm promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe edukimin dhe rrjetëzimin e brezave të rinj, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.