Universitet

100 vjet pas Revolucionit të Qershorit, Akademia e Studimeve Shqiptare bën një rishikim të kësaj ngjarjeje historike

Shkruar nga Liberale

100 vjet pas Revolucionit të Qershorit, Akademia e Studimeve Shqiptare

“Qeveria e Qershorit 1924 nuk qe ideale, vërtet. Mungesat e saj s’munt t’ia dijë askush më mirë se i nënshkruari, që e ka parë maqinën e saj të punojë për së afërmi.” Pak kohë pas largimit nga Shqipëria, si ish-kryeministër Fan Noli do të shkruante një artikull në Gazetën “Dielli” për të dhënë qëndrimin e vet mbi atë se çfarë kishte ndodhur në Shqipërinë e 1924. Në 24 maj të atij viti, ai do të niste një kryengritje së bashku me Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin, e njohur në histori si Revolucioni i Qershorit. Në mes të atij muaji, ai grupim opozitar do të rrëzonte qeverinë e Iljaz Vrionit, për t’u zëvendësuar me qeverinë e Fan Nolit, në përbërje të cilës ishin shtatë ministri, njëra pa portofol.

Edhe pse një qeveri jetëshkurtër, gjashtë mujore, qeveria e Nolit do të lërë shenjën e vet në histori, ndërsa qëndrimet janë nga më ndryshmet e më të diskutueshmet. Të tilla ishin atëherë, të tilla mbeten edhe sot, 100 vjet më pas.

“Po, pasi t’i ngarkojmë mi kurris kritika mi kritika, duhet të nëmërojmë në favor të saj ca të mira për faqe të bardhë: njerëzit e saj qenë patriot të kulluar; qenë mprojtës të pasurive të shtetit; qenë të nderçim; qenë të qytetëruar; qenë liberal; qenë njerës të kanunit”, shkruante Noli më tej, në mbrojtje të të gjithë veprimtarisë së tij politike.

Distanca kohore edhe emocionale shpesh është domosdoshmëri për një gjykim objektiv. Akademia e Studimeve Shqiptare e nis veprimtarinë e saj me një rishikim të asaj ngjarjeje historike.

E krijuar rishtasi në 2024, Akademia e Studimeve Shqiptare është një organizëm joqeveritar, në përbërje të së cilës janë 25 profesorë të nderuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Kolegji Profesional i Tiranës, me kontribute të shumta në fushën akademike. Nën drejtimin e ish-rektores së UET, prof.dr. Nevila Nika, kjo shoqëri dijetarësh është e angazhuar në promovimin e përparimit shkencor e shoqëror, me një vokacion dhe përkushtim të pashoq ndaj kësaj fushe.

Qëllimi i kësaj Akademie, një institucion që vjen i ri dhe i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare, synon të ofrojë ekspertizën e saj kritike dhe analizën e hollësishme për sfidat e shoqërisë, të ngrejë ura bashkëpunimi dhe të forcojë rolin e komuniteteve shkencore shqiptare. Nën ambicien e arritjes së një lidershipi në kërkimin ndërdisiplinor dhe transnacional, ajo do të marrë në konsideratë çështjet historike, politike dhe kulturore.

Pikërisht, në përmbushje të këtij qëllimi vjen edhe rishikimi i Revolucionit të Qershorit. Aktiviteti i parë do të zhvillohet të hënën, më 24 qershor, në Universitetin Europian të Tiranës. Veprimtaria do të jetë e hapur për publikun dhe anëtarët do të prezantojnë një ide, një gjetje, ose një konkluzion lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme në historikun e shtetit shqiptar.

Pavarësisht zhvillimeve e transformimeve që pëson shoqëria njerëzore në përgjithësi, dhe ajo shqiptare në veçanti, historia është ajo që përfshin gjithçka dhe mbetet pas për secilin brez që vjen. Ajo është dëshmitare e kohërave, e njerëzve, e zhvillimeve, e hera herës janë rrëfimet e saj që na zbërthejnë të tashmen.

Akademia e Studimeve Shqiptare mëton t’u japë përgjigje pyetjeve ‘të vjetra’ dhe ‘të reja’ mbi sfidat e një shekulli të ri.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH