Ditari i një angazhimi publik në shërbim të kauzës së qytetarëve të Unazës, vjen në një libër nga Shtëpia Botuese 55
I veshur sportiv, Klevis Balliu duket si një prej qindra protestuesve që prej gati një viti kanë mbushur rrugët e unazës së Tiranës. Pinjoll i një familjeje të lidhur fort me kulturën, gjyshi i tij Sejfedin Agolli është një ndër artistët më të mirë të peisazhit në Shqipëri, ndërsa i ati Fahri Balliu publicist e shkrimtar i njohur, Klevisi pas studimeve në Londër, u kthye në Shqipëri për të nisur një rrugëtim që duket se ka qenë një zgjedhje e brendshme e tij, politikën.
Që me zgjedhjen e tij si deputet i Partisë Demokratike në zonën e Pogradecit, zonë e origjinës së familjes së tij, Balliu ka spikatur me gjuhën e një politike të re, shpesh të ashpër në qëllim të kauzave të një opozite. Duke e parë politikën si një shërbim ndaj qytetarëve, ai u gjend natyrshëm në krah të qindra protestuesve të çështjes së unazës, duke e kthyer këtë çështje në një mision. Balliu u bë zëri dhe qëndresa e tyre, duke u dhënë kurajo e shpresë në kërkim të të drejtave të tyre.
“Mes një kaosi total në drejtësi, me një përplasje të shumta parlamentare e me debate, herë edhe fizikisht , midis protestave periferike dhe një gjuhe të ashpër politike, shpërtheu protesta e “Unazës”. Mbi kaosin që udhëhiqte fjalori ironik e fyes i Edi Ramës, ekstravagant deri në rrugaçëri, plot metafora e krahasime të një frymëzimi ku elokuenca nuk dallohej nga përcaktimet psikike të skizofrenisë së lexueshme të kryeministrit, i kthyer thellë thellë në një kazan urrejtjeje, prej pritjes së gjatë për këtë post”.
Kështu e nis Balliu librin e tij “Misioni i unazës”, duke treguar se kjo çështje ishte më shumë se një mision për të, në rrugën e sapo nisur të politikës. Ditari i një politikani në zemër të një proteste, vjen si një formë e re e të bërit politikë, duke e parë aktivizimin si një formë eksperience hedhur në një letër. Ardhur nga shkollat britanike, Balliu e di se librat komunikojnë më lehtë, e godasin më fort. Ndaj ky botim i shtëpisë botuese 55, nuk është vetëm botimi i një politikani, por dhe një vepër që pasuron fondin e botimeve të munguara të kësaj natyre në historinë zhvillimit të politikës në Shqipëri.
“Misioni i unazës” është një libër për të parë tranzicionin e një shoqërie të kapur peng nga pushteti. Protesta e banorëve të kësaj zone dhe mënyra sesi politika e ka trajtuar atë, është një formë për të treguar se reformat politike në Shqipëri duhet të jenë të thella e jo më një farsë.
Përplasjet me policinë, arrestimi nuk e penguan deputetin e ri, të vijonte ti printe një çështjeje që dukej se do të përfundonte si çdo protestë tjetër e nisur në Shqipërinë e tranzicionit.
Tashmë e ardhur në një libër, kjo protestë duket se do të mbetet përgjithmonë si një dëshmi e hidhur e politikës e korrupsionit shqiptar. Por nga ana tjetër ky libër tregon mundësinë për një shpresë për zgjidhje të kësaj çështjeje, dhe një erë të re në mënyrën e të bërit politikë në vend, me politikanë të rinj që besojnë tek angazhimi dhe nuk e shohin atë si fragmentar. “Misioni i unazës” është vetëm një pjesë e një misioni të nisur me zemër nga Klevisi, që është rruga për një politikë të mirë progresiste. Libri ka dhe një galeri fotosh , që tregojnë përvojën titanike të Balliut për ti qenë pranë qytetarëve në ditët e vështira të jetës dhe shkeljes të së drejtave të tyre.
Kanë thënë për çështjen e Unazës
Bujar Nishani
Fashistët e rinj nuk kanë shqetësim shtëpitë modeste të familjeve të thjeshta shqiptare por janë në hall për çmimin e shitjes së ndërtimeve të ologarkëve në zonën atje. Historia na ka mësuar shumë gjëra. Mbi gjithçka atë se “asgjë e askush nuk është i përjetshëm”. Shpejt do t’ju vij radha të gjitha këtyre dhunimeve të dalin në dritën e ballafaqimit me të drejtën dhe ligjin. Shpejtësinë e rendjes së kohës e kanë në dorë shqiptarët. Të gjithë, pa përjashtim! Sot jo vetëm familjet e unazës së Re por të gjithë Shqipërisë, janë nën dilemën hamletiane “të jenë apo mos të jenë”?! Disa po ikin. Kjo nuk është e ardhmja më e mirë.
Agron Shehaj
Projekti i unazës është një aferë fund e krye korruptive. Me pazare personale, Edi Rama caktoi klientët që do merrnin paratë, disa herë më shumë se kostoja e punimeve dhe shërbëtorët e tij në ARRSH e ministri rregulluan letrat dhe procedurat për të zyrtarizuar pazaret e shefit. Edi Rama e kishte bërë planin dhe do ti pastronte paratë direkt në SHBA, por kjo gjë i dështoi falë përpjekjeve të opozitës.
Fatos Lubonja
Është një ngjarje që na bën humbës të gjithëve. Ata mund të ishin fitues nëse do ishim edhe ne bashkë me ta atje. Kjo qeveri ka humbur edhe atë minimumin e asaj që mund të quhet empati e njerëzve të qeverisë.
Petrit Vasili
Ka një zhvillim tragjik në mes të Tiranës. Është një provë e një shteti i cili arrogancën dhe dhunën e ka vendosur mbi ligjin dhe kjo ka marrë një dimension të tillë, vërtet tragjik, por edhe revoltues pasi të drejtat dhe liritë bazike të njeriut , siç është prona banesa etj., dhunohen me qetësinë më të madhe dhe përpiqen të paraqiten sikur janë veprime të ligjshme./Gazeta Liberale