Aktualitet

“Ujku” shqiptar i koronavirusit dhe opozitarët në kërkim të gjurmëve!

Shkruar nga Liberale
“Ujku” shqiptar i koronavirusit dhe opozitarët në

Nga Alfred Peza

Po përfundon ashtu siç edhe pritej, aksioni më i fundit opozitar në Shqipëri, që synon të bëjë politikë me jetën e qytetarëve, në kulmin e luftës kundër pandemisë globale. Pamja e tablosë groteske, e ofruar nga një kauzë e rreme politike, po bëhet çdo ditë e më e plotë dhe më e qartë për të gjithë shqiptarët.

Mazhoranca po e ndjek me qetësi këtë lojë, sepse është duke i ushtruar të gjitha përgjegjësitë e saj, ndërkohë që i ka mësuar përmendësh lëvizjet e lexueshme të kundërshtarëve, duke e ditur kësisoj shumë miërë, edhe fundin e saj të pashmangshëm.

Është fundi i përhershëm i të gjitha kauzave të rreme, të cilat nisen duke shitur parime të mëdha dhe përfundojnë, duke kërkuar pazare të vogla. Nisen përmes zhurmave për të na treguar “ujkun” që e shohin vetëm ata dhe përfundojnë gjithmonë, duke na ftuar në gjuetinë qesharake, të kërkimit të gjurmeve të tij në errësirë.

Për ta kuptuar më konkretisht të gjithën këtë, mjafton që të ndiqni dy qëndrimet qartësisht të ndryshme për të njëjtën çështje sot, nga ana e dy partive kryesore të “Opozitës së Bashkuar”; Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të mbajtura nga dy ish ministrat e tyre të Shëndetësisë, për të njëjtën problem të shtruar prej tyre “për zgjidhje”.

Pasi kishte javë e javë të tëra që mbante në dorë flamurin e “testimeve, testimeve dhe vetëm testimeve, kudo e për këdo” përmes Tritan Shehut, për herë të parë forca kryesore opozitare PD, tha se tamponët nuk janë të rëndësishëm. Pasi sipas saj, më e rëndësishme tani na qenka, përdorimi i skanerave rastësorë. E për këtë, paraqitën një plan të ri të radhës, këtë herë me 5 pika!

Por pa kaluar pak minuta prej kësaj, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Petrit Vasilit, i cili kundërshton hapur atë të Partisë Demokratike. Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë sërisht i ashpër me qeverinë, për arësye se “nuk po bën testime masive” dhe se pikërisht tamponët dhe jo skanerat rastësorë, kanë rëndësi sipas tij!

Kjo qasje e kundërt mes dy partive të të njëjtit grupim opozitar, nuk ishte si të mos tërhiqte menjëherë vëmendjen e mediave, të cilat nisën që të ngrenë edhe pyetjen e parë që me sa duket u erdhi ndërmend në këto rrethana: “Kush e ka laboratorin privat”?! Sepse e gjitha duket si një përpjekje opozitare për të bërë një pazar të ri, në kurriz të jetës së qytetarëve në luftën ndaj Covid-19, sesa një projekt i ri opozitar në ndihmë të sistemit shëndetësor!

Kaq mjafton për të kuptuar se përse opozitarëve tanë,- sikundër edhe në rastin e Konferencës së Donatorëve për rindërtimin nga tërmeti,- nuk ua bën goja që të thonë jo një fjalë të mirë për qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama. Kjo nuk është në kulturën e opozitës sonë, ndaj ska për të ndodhur kurrë. Ndaj, askush nuk prêt një fjalë të mire apo një duartrokitje prej saj.

Ajo që do të ishte krejt normale, do të ishte që opozitarët ti bashkoheshin zërave të mjekëve shqiptarë kudo që ndodhen, specialistëve dhe ekspertëve vendas e të huaj, përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe personaliteteve politikë ndërkombëtarë, që e vlerësojnë me nota maksimale punën që po bëhet në Shqipëri, për menaxhimin e situatës së pandemisë.

Janë shifrat ato që flasin më shumë se fjalët e gjithkujt për këtë histori suksesi deri në këto momente. Numri i të shëruarve në Shqipëri e ka kaluar me kohë numrin e të prekurve aktivë nga visuri. Siç kishte kostatuar edhe “Zëri i Amerikës”, ka pak reste të reja me Covid-19 që numërohen me gishtat e të dyja duarve, në raportet 24 orëshe që ofron Komiteti Teknik i Ekspertëve. Ndërsa numri i të vdekurve për 1 milion banorë, është ndër më të ulëtit krahasuar me shtetet e Ballkanit e të Europës. Kjo bën që nga e hëna e javës që vjen, të nisë përmes protokollesh të rrepta dhe masash ndëshkuese të forta, hapja e kujdeshme e jetës social- ekonomike të vendit.

Këto e disa indikatorë të tjerë bazë, që janë referencë për të gjitha shtetet në luftën ndaj pandemisë, janë “ujku” që duhet të tregojnë edhe opozitarët tanë, nëse kanë ndonjë merak për cilësinë e menaxhimit të kësaj situate nga mazhoranca socialiste, në raport me qasjen globale në luftën ndaj saj.

Në të kundërtën, të rrekesh të kërkosh gjurmët kur e ke “ujkun” 24 orë përpara syve, do të thotë ose je miop politik, ose nuk do ta shohësh atë se nuk do ta shohësh, por jo se ke ndonjë arësye. Nëse nuk është as njëra e as tjetra, atëherë po kërkon që të shesësh për kuazë të madhe, një pazar të vogël të radhës. Në kurriz të shëndetit të shqiptarëve dhe në interes krejt personal dhe jo politik.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH