Aktualitet

UET, “Titull Mirënjohjeje” për drejtuesin e SIGAL UNIQA Group Austria

Shkruar nga Liberale
UET, “Titull Mirënjohjeje” për drejtuesin e SIGAL UNIQA

Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës ka nderuar me “Titull Mirënjohjeje” Avni Ponarin, themelues dhe drejtor i Përgjithshëm i kompanisë SIGAL UNIQA Group Austria. Ky titull u dha nën motivacionin: “Për rolin dhe kontributin e tij në zhvillimet ekonomike dhe sociale në vend, për angazhimin në përmirësimin e përhershëm të programeve të studimit të brezit të ri dhe asistimin e tyre me programet e intershipit dhe punëve kërkimore për të nxitur inovacionin në biznes, si dhe për edukimin mbi sigurimet dhe përqasjen ndaj shëndetit e sigurisë gjatë pandemisë COVID-19”.

Një njeri që e njeh mirë riskun, di edhe të ofrojë sigurinë e duhur! Dhe pikërisht ai njeri që është përballur me vështirësitë e natyrës, qëndron në pararojë të tregut të sigurimeve të jetës dhe jo jetës në Shqipëri. Avni Ponari, drejtues i kompanisë SIGAL UNIQA Group rrëfeu para pjesëtarëve të stafit akademik të UET-së, studentëve dhe të ftuarave në ceremoninë e organizuar për dhënien e “Titullit të Mirënjohjes”, disa copëza mjaft domethënëse nga jeta e tij, të cilat ravijëzuan rrugën drejt suksesit. Mesa duket, siç rrëfeu edhe ai vetë, formimi në shkollën e Lartë të Marinës, me shumë se gjithçka tjetër ishte një përgatitje psikologjike për të përballuar çfarëdolloj vështirësie, edhe atëherë kur duket sikur nuk ka asnjë shpresë në horizont.

“Ne mësuam nga ajo shkollë, që kur të jemi të vetëm në mes të oqeanit, në një det me dallgë, me erë dhe stuhi, dhe kur të jemi me motor të fikur dhe kur asnjë sinjal shprese nuk duket në horizont, ne të dimë të kapërcejmë vështirësitë dhe të arrijmë në destinacionin e duhur, sepse jeta është e tillë. Jeta përbëhet nga vështirësi nga më të ndryshmet, që duhet të dish të përballesh. Dhe sa më shumë vështirsië të kesh, aq më kapiten i zoti bëhesh. Dielli, hëna, miliona yjet, të cilët ne i njihnim një e nga një, ishin orientuesit tanë në rrugën drejt destinacionit”, tha Ponari, duke nënvizuar faktin se kjo shkollë, që fatkeqësisht nuk ekziston më, ka nxjerrë kuadrot më të përgatitur dhe drejtues të shkëlqyer të Flotës Ushtarake, Tregtare dhe anijeve të peshkimit.

Ndryshimi i sistemeve, ardhja e ekonomisë së tregut, gjeti shumëkënd të papërgatitur, profesionalisht apo financiarisht. Në një pikë të tillë përhumbjeje, në mes të detit dhe ‘dallgëve mendore’, është gjetur edhe biznesmeni i suksesshëm, i cili me vullnet dhe vizion diti të çajë dhe të arrijë bregun dhe të themelojë kompaninë më të madhe të sigurimeve në vendin tonë, e cila gjendet edhe mes 200 kompanive më të mëdha të Evropës Juglindore.

Në vitin 1992 kur më larguan nga një detyrë e rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes, si Komando i Flotës shqiptare, e ndjeva veten për një çast të vetmuar. Çfarë duhet të bëja unë dhe mijëra të tjerë nga të cilët sistemi kërkonte diçka tjetër? Ekonomia kishte ardhur, por ne nuk e dinim se çfarë ishte ajo. Nuk dinim rregullat e saj, ligjësitë. Nuk kishim as shkollën dhe as përvojën për ta zhvilluar. Këtë e mësuam nga njëri-tjetri dhe dolëm faqebardhë. Vendosa të ndjek një kurs lundrimi me një synim që të arrija destinacionin, të dilja në breg dhe të vazhdoja rrugën e 560 milionë sipërmarrësve në botë, që kanë siguruar 2.7 miliardë vende pune dhe që të mos harrojmë se vetëm 10% e tyre janë institucione shtetërore. Gjatë dy viteve të para ku fillova të bëj biznes në 1992 dhe kur themeloja SIGAL-in në 1999 me 5 veta në staf, sot mbi 2 mijë veta të punësuar, në tre shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, jam përpjekur të kontribuoj sadopak për artin dhe kulturën e sportin dhe modestisht do të thoja, se ky kontribut shkon në miliona euro, jo vetëm për komunitetin në Shqipëri, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, rrëfeu Ponari.

Teksa vlerësoi rolin e UET-së, në formimin e cilësor të studentëve dhe përgatitjen e kuadrove të kualifikuar për ekonominë e vendit tonë, Ponari, tashmë prej 3 vitesh Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri, parafrazoi fjalët e kryeministrit të Japonisë, i cili përparimin dhe zhvillimin e vendit, ua atribuonte mësuesve, teksa shprehej: “Mësuesit i kemi dhënë rrogën e ministrit, imunitetin e diplomatit dhe autoritetin e perandorit”.

Në fund të fjalës së tij, Ponari bëri një thirrje për bashkëpunim, si një filozofi pune për të ecur para dhe zhvilluar ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

“Doja t’iu thoja se misioni ynë është tejet i rëndësishëm dhe vetëm sëbashku mund të bëjmë gjëra të mëdha. Brezi i ri ka nevojë për ju, brezi i ri ka nevojë për ne! Le ta shohim secili nga këndvështrimi im dhe le të bëjmë të pamundurën që të gjithë sëbashku t’i japim shoqërisë atë që duhet”, u shpreh Ponari.

UET-Universiteti i Biznesit

Para shtatë vitesh, në 2013 Universiteti Europian i Tiranës lançoi iniciativën “UET-Universiteti i Biznesit”, e cila synonte ta çonte këtë institucion arsimor drejt asaj që quhet universiteti i sipërmarrjes. Në kuadër të këtij projekti, UET ka bashkëpunuar prej vitesh me biznese dhe kompani të ndryshme në vendin tonë, në funksion të plotësimit të nevojave të këtyre bizneseve, por edhe të ofrimit për studentët të mundësive të reja. Një prej këtyre bashkëpunëtorëve të rëndësishëm, prej ditës së parë, ka qenë edhe SIGAL UNIQA.

Zv. Rektorja për Zhvillimin Institucional dhe Studentët në UET, Prof. Dr. Ermira Qosja teksa vlerësoi këtë bashkëpunim, u shpreh optimiste për vijimësinë e bashkëpunimit për universitetin e sipërmarrjes.

“Shpresoj që ne do të vazhdojmë më tej, në të gjithë këtë bashkëpunim që UET ka gjetur, bashkëpunimin e Z.Ponarit dhe shpresoj shumë që të shkojmë drejt një elementi shumë të rëndësishëm të një universiteti sipërmarrës, që jo vetëm studentët, por edhe pedagogët, doktorantët e rinj, të mundet të marrin drejtime-kërkimi, të cilat kanë në fokus sigurimet, fondi i sigurimeve dhe interesat e kompanive të mëdha”, tha Qosja.

Nga ana tjetër, Presidenti i UET, Selami Xhepa, vlerësoi kontributin e Ponarit filozofinë e punës dhe kompanisë së tij, në ofrimin e një kontributi të çmuar për zhvillimin e shoqërisë, në mbështetjen e shumë aktiviteteve të natyrave të ndryshme.

“Është një certifikatë që nuk shpreh vetëm mirënjohjen nga Universiteti Europian, por shpreh mirënjohjen që shoqëria shqiptare në përgjithësi duhet të ketë për njeriun e punës, për njeriun inovator, për njeriun risk-marrës, për ata individë që kanë bërë historinë në fakt për gjatë gjithë shekujve, në të gjithë pjesën tjetër të botës dhe fatmirësisht në këto vite demokratizim po fillojnë të ndërtojnë historinë e modernizimit të ekonomisë së shoqërisë sonë”, tha Xhepa. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH