Aktualitet

UET Talent 2, vlerësohen me bursa maturantët ekselentë të Arteve

Shkruar nga Liberale

Pas fazës së audicioneve, u zhvillua ditën premte (09 Korrik) finalja përmbyllëse e UET Talent 2021 nga Departamenti i Arteve të Aplikuara. Aktiviteti kishte si qëllim mbështetjen e të rinjve të talentuar në profilet: Pikturë, Skulpturë, Kanto, Instrumente, Aktrim dhe Regji. Mbi 70 pjesëmarrës konkuruan me punime artistike në profilet përkatëse dhe 5 prej tyre patën mundësinë e përfitimit të Bursave të Plota të Talentit dhe 5 Gjysëm Bursa Talenti.

I kthyer në një traditë, Departamenti i Arteve të Aplikuara në UET zhvilloi të premten edicionin e dytë të konkursit të arteve UET Talent 2. Tashmë dihet që nëse kalon nga rruga pranë Universitetit Europian të Tiranës me doemos do të dëgjosh muzikë të mirë, një zë të bukur apo një instrument që të kënaq veshin, pasi UET është universiteti i parë privat në Shqipëri që ka themeluar Departamentin e Arteve të Aplikuara.

UET Talent ofron mundësinë jo vetëm të interpretimit dhe garës, por edhe të njohjes së universitetit në një këndvështrim tjetër, atë të argëtimit dhe jo vetëm të mësimit.

Të gjithë të talentuarit në Kanto, Instrument, Aktrim, Kërcim, Pikturë, Skulpturë morën pjesë në UET Talent 2 dhe ndryshe nga formatet e tjera televizive dhe jo vetëm që kemi parë deri më sot. Ky format është risi në Shqipëri, jo vetëm sepse zhvillohet në një universitet, por është i lidhur ngushtë me misionin e UET për formimin dhe edukimin e të rinjve nëpërmjet universitetit dhe mësim nxënies.

E padyshim, si në çdo konkurs pati edhe fitues, por jo vetëm një, disa të tillë në të gjitha fushat e konkurrimit të cilët morën jo vetëm mirënjohjen me një çertifikatë, por më të mirët edhe bursa studimi në UET.

Mbi 70 pjesëmarrës konkuruan me punime artistike në profilet përkatëse dhe 5 prej tyre patën mundësinë e përfitimit të Bursave të Plota të Talentit dhe 5 Gjysëm Bursa Talenti.

Përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara, Ermir Nika tha se juria ka votuar në mënyrë të fshehtë dhe të merituar.

“Juria pas një votimi të fshehtë erdhi në një fazë, ku do të ndajë bursat e talentit dhe gjysmë bursat. Prurjet kanë qenë të kënaqshme dhe cilësore. Bursat janë diskutuar nga një juri profesioniste. Padyshim që në edicionin e dytë, bursat e talentit nga një juri profesionsite, padyshim që në edicionin e dytë bursat e talentit po krijojnë një traditë edhe më të vështirë, pasi që të mbahet radita duhet shumë punë që bursat të jenë të merituara. UET i jep mirëseardhjen atyre që duan të studiojnë Artë dhe ata të tjerët që i kanë të gjitha mundësit që të mbajnë bursën e ekselencës. Dua të falenderoj jurinë dhe mendoj që arritëm të mbajmë një fizionomi të UET”, u shpreh Nika përpara se të shpërndaheshin çmimet.

Kryetari i Jurisë, mjeshtri Zhani Ciko u shpreh se konkurset janë ditë të lumtura, ditë kur ne provojmë veten. Ai tha se nuk ka rëndësi nëse marrim apo jo një çmim, por e rëndësishme është të na jepet mundësia të provojmë talentin tonë, dhe kjo e thënë  me shumë të drejtë.

“Konkurset janë ditë të lumtur përgjithësisht për ata që ju jepet mundësia të provojnë talentin e tyre. Dhe nga konkurrimi fitojnë jo vetëm ata që marrin një çmim, por edhe ata që verifikojnë vetën e tyre. Është një mundësi e mrekullueshme të njohësh vetveten në një konkurs dhe po ashtu në një universitet si UET-i që trajton specialitete. Kemi një spektër të gjerë në Art në UET dhe i gjithi është në shërbim të talenteve. Juria është e përbërë nga njerëz me kulturë, profesionistë të cilët i panë talentet në mënyrë individuale. Juritë janë të larmishme dhe që këtu, vjen diversiteti për të nxjerrë me dinjitet vlerat e një grupi dhe për t’u prenotuar më pas për një karrierë artistike”, u shpreh mjeshtri Ciko.

Juria e UET Talent përbëhej nga individë, të cilët janë tepër të kualifikuar dhe zënë poste të rëndësishme ne universitet.

Të pranishëm në jurinë e UET Talent ishin profesorët e nderuar që e kanë tashmë emrin në historinë e artit shqiptar, si Zhani Ciko, Edith Mihali, Shqipe Zani. Prima Balerina e Teatrit të Operës dhe Baletit, njëkohësisht pedagoge e Baletit në UET, znj. Adela Muçollari, si dhe shkrimtari dhe poeti Ermir Nika, njëkohësisht edhe drejtues i Departamentit të Arteve.

Më  të mirët jo vetëm që përfituan të drejtën e studimit në UET nëpërmjet bursës së Talentit, gjysëm bursës, para kontratë regjistrimi me tarifë më të ulët si dhe mundësinë për të përformuar në aktivitetet e të shumta jo vetëm në UET por edhe në skena kombëtare dhe rajonale, këshillim karriere, leksioneve të hapura etj.

Universiteti Europian i Tiranës prej tre vitesh ka hyrë në një fazë të re të misionit të tij, jo vetëm duke pasur thuajse çdo degë studimi, por edhe me një qasje tjetër akademike, duke i ofruar cdo studenti mundësinë që përveç studimeve të ketë edhe një jetë studentore sa më të larmishme dhe kreative. Pikërisht nëpërmjet aktiviteteve, konkurseve të shumta, studenti del nga petku i të qënit formal dhe zyrtar gjatë gjithë periudhës mësimore dhe përqafon jetën interaktive që UET ofron pikërisht nëpërmjet këtyre aktiviteteve. Në UET, prej disa vitesh zhvillohen aktivitete të ndryshme shkencore, social-kulturore, edukative etj. UET Talent tashmë është një prej tyre dhe shumë shpejt do të jetë një traditë e suksesshme e këtij universiteti.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH