Dossier

UET Press/ Vangjel Zhapa midis rilindësve të parë kombëtarë

               Publikuar në : 09:59 - 03/08/19 V Liberale

 Nga Miltiadh M. Muçi

1.Në pasditen e 25 korrikut 2019, në hollin e Universitetit Evropian, u promovua libri me titull “Vangjel Zhapa koha e tij”, i prof. Fedhon Meksit. Qëllimi i shkrimit nuk është informimi për lexuesin e gazetës “Liberale”, mbi aktivitetin e zhvilluar, por i vlerave të figurës së Vangjel Zhapës, si një nga rilindësit e parë kombëtarë, jo shumë i njohur për të mos thënë aspak i njohur në vitet më parë, edhe nga bashkatdhetarët e Qarkut të Gjirokastrës, ku Labova e Madhe ose e Zhapës në Rrethin e Gjirokastrës, është vendlindja e tij.

Historikisht, Rilindja Kombëtare fillimet i ka në jetën dhe veprën e Naum Veqilharxhit (1797-1846), jo vetëm si ideolog, filozof, politikan, por dhe hartues i abetares së parë në gjuhën shqipe (1844), me alfabet të veçantë. Botimi i saj duhet të ketë qenë moment i njohjes dhe bashkëpunimit me Vangjel Zhapën. E gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë, se gjatë viteve ’40 të shekullit XIX, Vangjeli qëndronte shumë pranë Veqilharxhit në Rumani, dhe kishin “diskutuar me javë të tëra në lidhje me alfabetin e tij të veçantë”, thotë prof. Buda në “Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare në vitet 1859-1861”, “Studime historike” Nr. 2, viti 1965, në Tiranë, f. 60). Takimi i Veqilharxhit me Vangjel Zhapën ishte me njeriun e duhur, krenarë për rrënjët e tyre shqiptare, të dy pjesëmarrës në kryengritjet antiturke, që nuk u takuan rastësisht.

2.Ata e kërkuan dhe e gjetën njëri-tjetrin, ndërsa bashkëpunimi do të ishte sintezë e qëllimeve dhe idealeve të njëjtë në mes tyre, sikurse Vangjel Zhapa ka shkruar dhe në gazetën “Pellazgu”, ku thotë, se “…diskutuam me javë të tëra me Veqilharxhin, në lidhje me çështjen e alfabetit të shqipes”. Nikolla Naço, atdhetar dhe veprimtar i rilindjes, ka dëshmuar që në vitin 1888, se: “V. Zhapa … dhuroi 25 000 florinj për gjuhën shqipe dhe punuan së bashku me N. Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe, për të shtypur shumë kartëra”. Kurse gazetari rumun Grigore Grandea (1887), na jep informacion me rëndësi, se: “Veqilharxhi kishte hartuar abetaren, gramatikën dhe libra mësimorë në gjuhën shqipe. Zhapa i dërgoi në Stamboll për t’i shtypur me projektin e një fermani, për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Meqenëse çështja u mor shpejt në shqyrtim, librat u shtypën dhe fermani doli”.

Librat e Veqilharxhit, që panë dritë falë dhurimeve të V. Zhapës, janë dy abetaret e para të gjuhës shqipe, që u quajtën “abetaret e abetareve”. Me këta libra dhe me idetë e shprehura, hapet programi kulturor e gjuhësor i rilindjes dhe hidhen hapat e parë të arsimit shqip. Naum Veqilharxhi, sikur ka shkruar vetë në parathënien e abetares (1845), për 20 vjet me radhë nuk mundi t’i shtypte ato, pasi duhej të kapërcente dy pengesa: burimet financiare e fermanët e Sulltanit. Vangjel Zhapa dhe pas vdekjes së Naumit vazhdoi të jetë aktiv në drejtim të problemeve të shumta, lidhur me atdheun e tij, me shqiptarët dhe gjuhën shqipe, me futjen e saj në shkolla.

3.Në bazë të projektit të dërguar nga Rumania, për “Rimëkëmbjen e Labovës”, që e quante “vendi i shenjtë i takimit me Zotin”, në vitet 1858-1859, përfundojnë punimet për ndërtimin e shkollës së Labovës, me dy klasa gjimnaz. Në këtë kohë filloi dhe bashkëpunimi i Vangjel Zhapës me lekëljotin Anastas Byku, që si miq familjarë njiheshin prej kohësh. Më pas hapi edhe shkollën e Leklit, të vendlindjes së Anastasit dhe shkollat e tjera në Jugun e Shqipërisë, deri në Çamëri dhe Bregun e Jonit. Me kërkesën e Zhapës, Byku braktisi profesionin e mësuesit të gjuhës greke, të mësuar në “Zosimea” të Janinës dhe pranoi detyrën e drejtorit të gazetës së parë edhe në shqip, “Pellazgu”, që do t’i kushtohej tërësisht çështjes kombëtare shqiptare. Me kërkesën e V. Zhapës, Anastas Byku, si administrator i shkollave së Zhapës, filloi përgatitjet për hartimin e abetares shqipe me alfabet të veçantë, që do të përdorej fillimisht nga fëmijët labovitë, në shkollën e tyre të re, më pas në të gjitha shkollat e Zhapës, që u hapën gjatë mesit të shek. XIX.

Vangjeli dhe Anastasi, së bashku hartuan programin për arsimimin e fëmijëve shqiptarë, që bazohej tek idetë dhe konceptet e Naumit, për arsimimin në gjuhën shqipe, racionale nga përmbajtja dhe masive nga shtrirja. Në të vërtetë veprimtaria e Anastas Bykut (1828-1878), është mjaft e ngjashme me atë të Naum Veqilharxhit, gati-gati si vazhdim i punëve të tij, që u ndërprenë në kulmin e veprimtarisë.

4.Këto shkolla, në veçanti të vendlindjes së Vangjelit në Labovën e Zhapës dhe Anastasit në Lekë, pas viteve ’90 të shek. XX u “uzurpuan” nga pushteti vendor dhe iu shitën individëve ose u rrënuan, kur aktivistët e Shoqatës “Odrie-Golik” dhe komuniteti labovit e lekëljotë, dëshirojnë t’i administrojnë dhe i kërkojnë t’i kthejnë në objekte të trashëgimisë kulturore, në muze të “Arsimit dhe Etnografisë”, që Vangjeli e pasardhësi i tij Kostandin Zhapa, sipas dokumenteve ua kanë bërë dhuratë bashkëfshatarëve të tyre labovitë e lekëljotë.

Kanë kaluar jo më pak se 15 vite, të fillimit të shek. XXI, që prof. Fedhon Meksi dhe një grup i ngushtë labovitësh e lekëljotësh, kanë këmbëngulur të vlerësojnë figurën e bashkatdhetarit të tyre, Vangjel Zhapa, e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, për të arritur ku jemi sot, deri sa iu dha titulli i lartë “Nderi i Kombit”. Janë dashur shumë artikuj, disa konferenca, por edhe botime librash, për të vlerësuar këtë shqiptar të “braktisur”, për të nxjerrë në pah vlerat e mëdha si rilindës kombëtar.

Sikur të mos kishte bërë asgjë nga çfarë është shkruar e folur, do të mjaftonte që riktheu lojërat olimpike moderne, për t’u nderuar dhe respektuar në të gjitha skajet e trojeve shqipfolëse. Edhe pse shumicën e jetës së tij e kaloi në vende të huaj, Vangjeli i kërkoi që trupi t’i vendosej në vendin e lindjes, ku edhe ndodhet.

5.E falënderoj prof. Fedhonin, intelektualin që s’ka përtuar të lexojë historinë shqiptare, as të ngurrojë të shkruajë për figura të Rilindjes Kombëtare të lënë në harresë deri në dhjetë vitet e para të shek. XXI, sikurse është Ali Pasha Tepelena, krijuesit “de facto” të shtetit shqiptar, Pashallëkut të Janinës pararendës i Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, Vangjel Zhapës jo vetëm bamirës i bashkëfshatarëve të Krahinës së Rrëzës së Tepelenës dhe filantrop i gadishullit të Ballkanit e më gjerë, por në të parët rilindës kombëtarë të viteve ’40-’60 të shek. XIX, që nuk u kursye për gjuhën e shkollën shqipe, dhe Anastas Bykut, bashkëpunëtorit më të afërt të Vangjelit, themeluesi i gazetarisë shqiptare dhe shkollave të Zhapës, në Jugun e Shqipërisë./Gazeta Liberale

 

(Visited 87 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *