Aktualitet

UET PRESS sjell në shqip librin e Universitetit të Oxford/ Belina Budini: Hyrje në Komunikim, Bibla e më shumë se 1 milionë studentëve

Shkruar nga Liberale
UET PRESS sjell në shqip librin e Universitetit të Oxford/ Belina

“Hyrje në Komunikim” është libri që i shtohet teksteve bazë të programeve në Universitetin Europian të Tiranës. I botuar nga shtëpia botuese prestigjioze e universitetit të Oxford-it, me më shumë se  1 milionë lexues në të gjithë botën, konsiderohet si bibla e Komunikimit. Dekania e Fakultetit të Shkencave të Komunikimit, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, Belina Budini, tha se libri është kanonik dhe universal dhe i ndihmon studentët ta kuptojnë më mirë komunikimin si disiplinë praktike dhe profesion.

I përdorur nga më shumë se 1 milionë studentë në të gjithë botën, i botuar në  14 edicione, libri “Hyrje në Komunikim”, nga Oxford University Press konsiderohet si Bibla e Komunikimit.

Libër kanonik dhe universal për të kuptuar komunikimin si disiplinë praktike dhe profesion, e konsideroi dekania e Fakultetit të Shkencave të Komunikimit, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, Belina Budini, e cila u kujdes për botimin në gjuhën shqipe.

Ajo zbuloi se shtëpia botuese  universitare UET PRESS ka fituar të drejtat e autorit për botimin e tij në gjuhën shqipe. Dekania zbuloi më tej se në këtë botim shqiptar është ftuar të bashkëpunojë edhe një institucion publik si Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, e cila e ka financuar pjesërisht projektin.

“Nuk po flasim për një libër apo tekst të zakonshëm, jo nga ato leximet e shpejta komerciale të tipit self-help që janë edhe shumë  në  mode kohet e fundit”, u shpreh dekania, duke shtuar  se “Kemi të bëjmë me një libër që  është de facto Bibla e Komunikimit. Është konsideruar nga vetë  studentët si bibla e Komunikimit, ndoshta edhe për shkak të strukturimit si i tillë”, tha më tej Prof.Asoc.Dr Budini, në ceremoninë e përurimit të botimit në gjuhën shqipe.

Ajo tha se ky libër mund të pëërdoret nga shumë disiplina dhe shkenca.

Teksti i cili vjen si një botim për lëndën “Hyrje në Komunikim”- i zgjedhur nga studentë të programeve të ndryshme në Universitetin Europian të Tiranës – është përdorur në mënyrë të rregullt që prej fillimeve të këtij universiteti më 2006-n.

“Mund të themi që, bashkë me UET është  përdorur dhe ka lindur edhe ky test në përdorim të rregullt, nga vetë pedagogët; i përshtatur, i përmbledhur,  por jo i botuar. Është impenjativ, voluminoz, me 600 faqe, por ruan një qartësi dhe kthjelltësi të mendimit për shkak  të shkollës metodologjike së cilës i përket”, shtoi më tej dekania Budini. Libri, tha me bindje ajo, mund të lexohet edhe për kënaqësi, gjë që e bën nga ata raste të rrallë te teksteve universitarë që gjen lexim më të gjerë.

Ajo zbuloi me hollësi përmbajtjen e këtij teksti, që është më shumë se manual i komunikimit. Libri vjen  pajisur me një seksion didaktik, me pyetje për kontrollin e njohurive, me vetë-testim për studentët apo këdo që e lexon librin në mënyrë të pavarur; një seksion analitik dhe reflektues, seksion i koncepteve kryesore, një fjalorth i strukturuar mirë, tabela të tipit sasior dhe imazhe të një rëndësie të veçantë dhe përdorimit masiv. Autorët e këtij teksti janë profesore të shquar, disa prej tyre Emeritus, të universiteteve amerikane. Shembujt, ilustrimet vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me natyrën universale të tekstit është përdorur në Europë dhe pjesën tjetër të botës dhe ka kontekstualizime të përdorimit që shkojnë përtej ShBA-së.

Dekania tha se me stafin akademik, lektorët e lëndës “Hyrje në Komunikim”  janë përballur me sfidën e përshtatjes.

“Edhe pse është përdorur në  formë  leksionesh të përshtatura, ose të përmbledhura prej vitesh në UET, botimi i tij i plotë mundësohet për herë të parë me kontributin si përkthyes të një grupi të pasionuar pedagogësh të Departamentit të Komunikimit në UET, si Dritan Idrizi, Marisa Dhoska e Irena Myzeqari, si edhe ndihme financiare te Autoritetit te Mediave Audiovizive”, tha Budini, duke vlerësuar punën e grupit.

Dekania foli për nevojën e institucioneve shqiptare dhe pedagogëve që të mbështeten në tekste të mira, literaturë serioze. “Merret e mirëqenë,  por nuk ka ndodhur në katedrat shqiptare dhe ka qenë në mungesë  literatura e mirë bazuar, themeltare dhe me kapacitet shkencor.  Jo vetëm përshtatje, përmbledhje, improvizime, që përfundojnë të jenë amalgamë jo fort mirë e kopsitur nga ana metodologjike apo didaktike”, shtoi më tej dekania.

Për Budinin, ky tekst vlen të përdoret në mënyrë universale, pasi kryqëzohet me shumë disiplina të tjera. Libri merr në shqyrtim të gjitha llojet e regjistrave apo konteksteve të komunikimit,  “...që nga ai i brendshëm me veten ose përsiatja filozofike, tek komunikimi ndërvetor në regjistrin psikologjik, tek regjistri sociologjik i komunikimit të grupit, dhe më tej tek ai i lidhur me organizatat ku gërshetohet me menaxhimin dhe burimet njerëzore dhe deri tek komunikimi masiv dhe komunikimi publik apo komunikimi politik, si edhe së fundmi ai i lidhur me mediat dhe teknologjitë e reja, që  bien në regjistrin dhe fokusin e vetë  shkencave të komunikimit, gazetarisë dhe studimeve kulturore…”

“Hyrje në Komunikim” vlen për orientimin e studentëve, për disiplina si ajo e komunikimit, rreth të cilit siç shtoi dekania Budini, ka shumë keqkuptime, mite dhe mendime të gabuara veçanërisht në kontekste si Shqipëria.

“Praktika jo të mira të komunikimit përdoren, zënë vend, ngurtësohen dhe krijojnë idenë se kështu duhet jetë e kështu duhet të funksionojë; nga manipulimi në rrafshin publik, propaganda e të tjera. Jemi  të kujdesshëm dhe studentët tanë mësojnë shumë herë të analizojnë e të dekostruktojnë realitete me lupën e duhur, për  t’i kapur këto problematika”, tha në fund Prof.Asos.Dr Belina Budini.

Ky libër, i shtohet kolanes Curriculum,  të departamentit të  Komunikimit në UET, duke plotësuar një seri titujsh të shtëpive botuese prestigjioze për lëndë te tilla si Teoritë e Komunikimit, Komunikimi Politik, Komunikimi Organizativ, Komunikimi Ndërkulturor, Analiza Kritike e Ligjërimit, Bazat e Semiotikes, ndërsa ne proces janë edhe tekstet për lëndët Menaxhim Eventesh, Menaxhim dhe Konceptim fushatat apo Gazetari për mediat digjitale.   Një nga qasjet e Universitetit Europian të Tiranës është prurja e  teksteve ndërkombëtarisht të njohur për studentët, në të gjitha degët që ofron për t’i përgatitur ata drejt një tregu më global të punës dhe me dijet më të përditësuara.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH