Aktualitet

UET PRESS sjell 10 libra të rinj në Panair

Shkruar nga Liberale

Hapet sot edicioni i 22 i Panairit të Librit. UET PRESS organizon tryezën e debatit “Libri, dje, sot, nesër. Dekada e re” me në fokus letërsinë bashkëkohore shqipe

 Edicioni i 22 i Panaitit të Librit hap siparin sot në Pallatin e Kongreseve. Shtëpia Botuese UET PRESS vjen në këtë edicion me një sërë titujsh të rinj e autorë nga më bashkëkohorët. Rreth 50 tituj librash të rinj botimet UET PRESS kanë sjellë për lexuesin këtë vit, e në panair prezantohet më 10 tituj të rinj. Për Drejtoren e UET PRESS Alda Bardhyli, puna përgatitore për Panairin nis muaj më parë, dhe stenda e UET PRESS është më e pasura përsa i përket botimeve historike, publicistike apo letërsisë. Kolana Leteratura një kolanë kushtuar librit dhe letërsisë shqipe, pasurohet gjatë ditëve të panairit me tre romane të rinj. ”Anjeza nuk u zgjua” nga Preç Zogaj, “Lamtumirë baba” me autor Mustafa Nanon, “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës” me autor Rudolf Markun. Janë tre autorë që përfaqësojnë një frymë të re në prozën bashkëkohore shqipe, përmes rrëfimeve që prekin tema të ndjeshme të kohës.

Ndër librat e rinj në stendën e UET PRESS është “Tirana e nonës” me autor Blendi Fevziun, “Si e kam njohur” me autor Mustafa Nanon, “Kohë për politikë”, nga Grida Duma, “Për vete” me autor Iva Ticon,”Ndikuesit” me autor Belina Budinin, “Letërsia e turpit” me autor Alda Bardhylin. Por UET PRESS ka në stendën e saj autorët më të mirë jo vetëm në letërsinë shqipe por dhe në gjininë e publicistikës, historisë, apo biografive politike. Një ndër librat më të shitur të kësaj vere dhe që u shoqërua me një debat në opinionin ishte dhe “Blloku” me autor Isuf Kalon.

Libri, dje, sot nesër. Dekada e re

Sfidat e librit shqip në dekadën e re; është tema që do të bëjë bashkë sot në orën 13.00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, studiues, shkrimtarë; botues për të diskutuar mbi temat më të ndjeshme të librit sot. Aktiviteti organizohet nga Instituti Europian Pashko dhe UET PRESS dhe ka për qëllim të kontribuojë në njohjen më mirë të skenës letrare në vend, përmes problematikave dhe ideve që do të gjenerohen gjatë takimit. Ky aktivitet vjen në vazhdën e aktiviteteve që Instituti Europian Pashko organizon me në fokus letërsinë dhe shkrimtarët shqiptarë.

Librat e rinj:

"Tirana e nonës", Blendi Fevziu

Blendi Fevziu një nga autorët e rëndësishëm të UET PRESS vjen në këtë panair me librin autobiografik “Tirana e nonës”. Historia e një prej familjeve më të pasura të Tiranës, asaj Toptani vjen përmes rrëfimit të tri grave. Një rrëfim i ndjerë që na çon pas në kohë, për të kuptuar Shqipërinë e së shkuarës. “Për Nonën, teta Metin dhe Bibinë. Dhe jo vetëm për to. Një libër për qytetin e tyre, siç e njihnin ato, dhe si u bë ai pas vdekjes së tyre. Deri më sot… Dua t’ju tregoj se ato ishin tri gra, thuajse moshatare. Stërgjyshja ime, Nigjari, ose Nona, siç e kam thirrur gjithnjë dhe siç do ta thërras në këtë libër; motra e saj, Ganimeti, ose teta Meti, siç e thërrisja unë, dhe kushërira e tyre e largët, Sybija, ose Bibia, siç do të dalë në këtë libër, që u bë një nënë më shumë për time më. Ishin tri gra që shënjuan jetën time. Tri gra, nga të cilat mësova aq shumë dhe tri gra, të cilat së bashku, ilustrojnë më mirë se kushdo historinë e trazuar të Shqipërisë dhe qytetit ku jetuan, Tiranës. Por, unë e di shumë mirë. S’kam asnjë dilemë për këtë: e para ishte Nona!”, shkruan Blendi në hyrje të këtij libri.

 "Si e kam njohur" dhe "Lamtumirë baba", Mustafa Nano

Mustafa Nano vjen me dy libra të rinj këtë panair të dy zhanreve të ndryshme. “Si e kam njohur” është një rrëfim publicistik, i cili ka në fokus personalitete të rëndësishme të historisë shqiptare, në një përshkrim gati kafkian nga Nano. Përmes jetës së tyre krijohet një tablo edhe e zhvillimit të Shqipërisë politikë dhe kulturore.

Ndërsa “Lamtumirë baba” është libri i parë në gjininë e prozës i Nanos. Ky roman i ripunuar sjell për herë të parë në letrat shqipe çështjen e religjionit shumë pak të elaboruar nga letërsia.

"Kohë për politikë", Grida Duma

Kohë për politikë” është libri më i ri me autore Grida Dumën. “Çështjet e politikës janë njerëzore, as hyjnore, as të pagabueshme. Politikë do të thotë të bësh, të ndërtosh, gjithçka tjetër nuk është politikë. Është koha për të bërë dhe le të ndërtojmë mbi këtë. Jemi sot në një moment ku shumëkush e shikon politikën si një mur ku përplas kokën dhe që mund të thyhet. Në fakt, ai duhet të jetë muri ku të ndërtohet dhe jo thyhet. Ne nuk jemi në kushtet e lirisë, jemi në kushtet kur politika më shumë se kurrë duhet të thërrasë njerëz. Idetë nuk janë tonat, dhe më 2013 pavarësisht se fitoi një forcë e majtë, unë besoja fortë të shfletoja idetë, sepse ato lënë një lloj gjurme. Një qeverisje e majtë, që në sipërfaqe duket sikur ka tentuar të aplikojë teza të djathta, PPP, koncesione, etj, që në fakt kanë dështuar, kanë dështuar në mirëqenien e shqiptarëve.”, u shpreh Duma gjatë promovimit të librit dy javë më parë. Ky libër është një hapësirë idesh të nevojshme për kohën politike që po jetojmë.

"Ndikuesit", Belina Budini

Raporti mes politikës dhe medias është shumë pak i studiuar këto vite. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, sjell një studim i cili synon të shpjegojë përmes këtij raporti dominues, tranzicionin e gjatë shqiptar.

"Anjeza nuk u zgjua", Preç Zogaj

Një nga romanet më të bukur të shkruar vitet e fundit për dashurinë, “Anjeza nuk u zgjua” rikthen Zogajn në prozën e gjatë. Libri na në qëndër një histori dashurie mes dy të rinjve nga qyteti i Lezhës, rrëfyer me një stil plot kulturë nga autori. Të gjithë ata që duan një libër mbi dashurinë duhet të lexojnë këtë roman.

"Kësulkuqja vjen me trenin e dhjetës", Rudolf Marku

Një tjetër roman dashurie. Historia e një profesori letërsie i cili bie në dashuri me studenten e tij, është fabula e romanit të Rudolf Markut, një emër i njohur në letrat shqipe. Libri shoqërohet me një parathënie nga Visar Zhiti dhe pasthënie nga Behar Gjoka.

"Për vete", Iva Tiço

Iva Tiço sjell me këtë libër një rrëfim për të gjitha gratë kudo në qytet. Histori të shkruara plot stil, e që do të kthehen në modele frymëzimi për të gjitha gratë që janë vetëm. Libri shoqërohet me parathënie nga shkrimtarja Diana Çuli e cila vlerëson kontributin e autores në këtë zhanër. “Iva Tiço ka përdorur një stil të sajin –përherë origjinal – ‘të lehtë’, të shoqëruar me humorin e ironinë që përmenda, për të trajtuar tema tepër të thella e të rëndësishme, si paragjykimet shoqërore mbi një shtresë të shoqërisë, siç është ajo e vajzave single. Ky paragjykim ndihet kudo, por në shoqërinë tonë ka gjithnjë një peshë më të rëndë. Iva Tiço nuk ngurron të vërë gishtin në plagë, nuk tutet se mund ta keqkuptojnë (kush?) dhe le ta keqkuptojnë, sepse ajo, që ka kaluar përmes të gjithë vrapimit me pengesa të karrierës në media të një vajze a të një gruaje dhe që është i tillë kryesisht për to e jo për djemtë e burrat, nuk ka përse t’i ngrejë diga censuruese mendimit të saj të lirë. Është fakt i ditur se shoqëria nuk e ndëshkon një burrë single, përkundrazi, shpesh e lëvdon dhe ia ka zili jetën e lirë e pa përgjegjësira. Shpesh një beqari burrat i thonë ‘ti je i madh, nuk e paske ngrënë akoma’. Shoqëria anatemon, ndoshta jo hapur, por me mbledhje buzësh, me keqardhje të shtira, me nënkuptime të dallueshme, me mëshira të pamëshirueshme, një vajzë single. Libri i Ivës më shtyu të lexoja për të ditur diçka më shumë në nivel global dhe në studime e statistika të ndryshme gjeta se edhe burrat single kanë problemet e tyre, por kurrsesi nuk përballen me paragjykimin. Stereotipet, të të tjerëve dhe ato brenda nesh, na thotë Iva, janë të vështira të luftohen, ndoshta nga më të vështirat. Po përse? Mos vallë stereotipet përfaqësojnë frikërat tona? Mos vallë shoqëria pas të 40-ave do t’i bëjë vajzat single të ndihen si një outsider, si një Bridget Jones?”, shkruan Diana Çuli për këtë libër.

“Letërsia e turpit”, Alda Bardhyli

A është erotizmi që na ofrohet në librat që nuk mungojnë nëpër librari për këtë temë, erotizmi që na duhet? A kanë ato kahun drejt mendimit, kaq e ndjeshme në librat e Bataille, dhe kur ishte në kulmin e perversitetit, apo kërkojnë ta zhveshin njeriun prej mendimit? A është të parit e botës, përmes epshit si thelbi i ekzistencës së saj, si keqkuptimi i madh që po e kthen shekullin XXI në një kaos të përplasjeve të ideve apo qytetërimeve? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që Alda Bardhyli studiuese e letërsisë; ngre në librin e saj “Letërsia e turpit” një udhëtim përmes esesh në letërsinë shqipe dhe atë bashkëkohore, për tu njohur me karaktere e ngjarje që dominojnë letërsinë sot. Libri i ardhur nga botimet UET PRESS është pjesë e kolanës ese ide debate, dhe shoqërohet me një parathënie nga shkrimtari dhe poeti Rudolf Marku dhe pasthënie nga shkrimtarja Diana Çuli.” Duke lexuar këtë libër të Alda Bardhylit, nuk e di përse më erdhën ndërmend librat me ese kritike të Harold Bloomit dhe të James Wood- dy nga emrat më të shquar të kritikës letrare të kohërave tona. Harold Bloom-i, në listën e vet të famshme të librave që ai rekomandon për studentët e Universiteteve Amerikane (Bloom’s Modern Critical Interpretation) –bashkon Këngë të Solomonit të Dhiatës së Vjetër me White  Noise të postmodernistit Don De Lillo; The Great Gatsby-n me ‘I know why the caged bird sings, të Maya Angeloë-t; Iliaden dhe Odisenë me On the Road, të shkrimtarit të  Bit Generation Jack Kerouac. Këtë shprishje të piramidës së akademizmit kritik bën në librin e saj dhe Alda Bardhyli. Është ndër rastet e veçanta të kritikës letrare që shkruhet tek ne, kur studiuesi nuk impresionohet nga emrat e mëdhenj, për të përjashtuar autorët e tjerë. Tek ne, tradita e ndalesës vetëm në një a dy stacione, hezitimi për të analizuar një vepër të mirë, që i përket një autori,  emri i të cilit  nuk është përfshirë në listën e fosilizuar të Pllakës Përkujtimore të Varrezave  Kombëtare, - është traditë që vjen nga listat e dikurshme të bekuara nga soc-realizmi, i para ca viteve”, shkruan Rudolf Marku për këtë libër./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH