Krye

UET, pjesë e projektit të BE, në funksion të sektorit të shërbimeve

               Publikuar në : 09:01 - 07/08/19 LP

E-Viva, projekt që mbështetet nga Bashkimi Europian, përmes skemës Erasmus+ CBHE, i cili synon përmirësimin dhe validimin e kompetencave të lidhura me shërbimet në mjedise të ndryshme të të mësuarit

Prof. Dr. Ermira Qosja

Zv.rektore për Zhvillimin dhe Studentët, UET

Koncepti i kompetencave është tashmë i njohur dhe i diskutuar në Shqipëri, por kur flitet për to zakonisht konsiderohen të njëjta me aftësitë (skills), ndërkohë që në thelbin e tyre nënkuptojnë: njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet e një individi.

Kompetencat lidhur me shërbimet, perceptohen në shumicën e rasteve, nga bizneset, institucionet publike dhe private në termat e njohurive, kapacitetit, ekspertizës dhe qëndrimit për të realizuar në mënyrën e duhur një punë të caktuar në çdo njësi të sektorit të shërbimit të bizneseve.

Kompetencat lidhur me shërbimet janë tashmë pjesë e kurrikulës së shkollave profesionale, të diplomave bachelor, të masterit profesional dhe masterit të shkencave në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Në sektorin publik, kjo kompetencë është reformuar përmes Reformës së Shërbimit Civil Shqiptar në Administratën Publike.

Edhe pse koncepti është i diskutuar gjerësisht nga bizneset në funksion të nevojave të tyre me tregun e punës për të rekrutuar individë me aftësi dhe kompetenca të duhura për një punë specifike, koncepti i kompetencave lidhur me shërbimet është paraqitur zyrtarisht si pjesë e strategjisë së vendit në vitin 2010, në përshtatje të legjislacionit në kuadër të integrimit në BE dhe nevojave të reja të tregut të punës.

Në raportin “Shqipëria në shifra” botuar nga INSTAT në 2018-n, gjejmë një përmbledhje të zhvillimit ekonomik të shërbimeve në vend, ku qartë evidentohet që shërbimet vazhdojnë të përfaqësojnë pjesën kryesore të strukturës së PBB të aktivitetit ekonomik për vitin 2016, përkatësisht ato përbëjnë 46.7% të PBB-së.

Në këto kushte të strukturës të sektorëve ekonomikë në vend, të legjislacionit në përafrim të BE-së, por dhe të qasjes së kurrikulës orientuar nga kompetencat, vjen projekti “e–VIVA”, që përfaqëson një projekt Erasmus+ të ngritjes së kapaciteteve në Arsimin e Lartë, ku janë përfshirë gjithsej 16 partnerë: nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe vendet e BE-së: Gjermani, Austri dhe Portugali, i drejtuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Projekti që e nisi veprimtarinë e tij në nëntor të vitit 2018, do të shtrihet në tri vite dhe ka një buxhet total prej 993.581 eurosh.

Projekti e-VIVA i referohet zhvillimit të aftësive të studentëve, mundësimit dhe validimit të aftësive të tyre në kontekstin formal/informal të të mësuarit. Projekti, i financuar përmes fondeve të Bashkimit Europian, në thelbin e vet synon përdorimin e metodave mikse të të mësuarit për të lehtësuar dhe validuar zhvillimin e kompetencave që kanë të bëjnë me shërbimin në kontekstin informal të të mësuarit në institucionet e arsimit të lartë dhe kontekstin e të mësuarit në vendin e punës.

Objektivat kryesorë të projektit janë: të identifikojë dhe të analizojë metodat për validimin e aftësive për të nxitur bashkëpunimin midis arsimit të lartë dhe praktikës profesionale; të zhvillojë dhe të ripërcaktojë sistemet e vlerësimit dhe të validimit bazuar në ICT; të pasurojë sistemet ekzistuese të vlerësimit dhe validimit; të zhvillojë dhe zbatojë një software për përmirësimin dhe validimin e aftësive dhe kompetencave; të zbatojë metodologjinë e-Viva; të stabilizojë një bashkëpunim midis grupeve të ndryshme dhe partnerëve të interesuar për vlerësim dhe validim kompetencash.

Rezultatet e pritshme të projektit janë: mbi 300 studentë do të forcojnë dhe validojnë kompetencat e tyre lidhur me shërbimin; mbi 45 pedagogë do të zhvillojnë aftësinë e tyre të mësimdhënies në metodologjitë mikse dhe mësimdhënien orientuar nga kompetencat; zhvillim i programeve mësimore orientuar nga kompetencat; rritja e përdorimit të Kuadrit Europian të Kualifikimeve (EQF) si pjesë e integruar e të mësuarit në mjedisin zyrtar.

Veprimtaritë kryesore të projektit

Projekti tashmë ka nisur, çdo partner ka zhvilluar kërkimin në nivel kombëtar, që ka të bëjë me të kuptuarit e kompetencave të lidhura me shërbimin, aktorët kryesorë të lidhur me sektorin e shërbimeve; institucione dhe organizata që suportojnë krijimin dhe validimin e kompetencës në shërbime në nivel kombëtar, kërkesat që vijnë nga sektori i biznesit në lidhje me kompetenca specifike në shërbime; metoda dhe instrumente të përdorura në nivel kombëtar për përparimin në kompetenca në shërbime, si dhe njohja e kompetencave, të cilat janë më të rëndësishme për punëdhënësit.

Paketa e parë e projektit ka si synim kryesor futjen e kompetencave sociale, personale dhe organizacionale të lidhura me shërbimet në kurrikulën akademike dhe në vendosjen e bazave të të mësuarit.

Paketa e dytë, synon transferimin e njohurive dhe rritjen e kapacitetit të stafit akademik të përfshirë në projekt, për të vijuar më pas me aplikimin dhe pilotimin e metodologjive të zhvilluara në dy paketat e para me rreth 300 studentë, që do të përcaktojnë një tërësi kompetencash kyç, për të cilat do të vlerësohet përmirësimi dhe do të bëhet validimi i tyre. Në kuadrin e veprimtarive me studentë, rreth 100 studentë nga universitetet që u përkasin vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të të kryejnë vizita studimore në universitetet partnere, të vendeve pjesë e BE-së për afro dy javë, të cilët do të marrin certifikatat që vlerësojnë kompetencat e tyre.

Projekti do të shtrihet më pas në rreth 300 studentë të tjerë, të cilët do të vlerësojnë kompetencat e tyre në shërbime dhe do të marrin certifikatat që i validojnë ato. Pjesë e rëndësishme e projektit do të jetë shtrirja e tij në lëndë, programe mësimore të lidhura me sektorin e shërbimeve, qoftë ky IT, Turizëm, Komunikim etj.

Partnerët e-VIVA:

Universiteti Europian i Tiranës

University of Duisburg Essen

Univesidade Nova de Lisboa

University of Sarajevo “School of Science and Technology”

die Berater (Austri)

The Ss. Cyril and Methodius University

Blinc eG (Maqedoni)

Mother Teresa University

University of Donja Gorica

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan

The University of Montenegro

University of Nis

Universiteti “Kadri Zeka”

Universum College/Gazeta Liberale

(Visited 412 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *