Krye

UET përmbyll projektin e madh kërkimor SHQIPËRIA INOVATIVE ’15- ’20

               Publikuar në : 09:43 - 21/11/20 liberale

Në 5 vjet u angazhuan më shumë se 250 pedagogë dhe kërkues, u dhanë më shumë se 2.5 milionë euro grante kërkimore nga donatorët dhe UET.

Në një kohë të pazakontë, ku mësimi është online dhe pandemia është problemi kryesor i ditë, universitetet, megjithatë, nuk rreshtin së funksionuari në një nga aspektet e tyre kryesore që është kërkimi shkencor. Në një ceremoni modeste, sipas protokollit shëndetësor, u promovua në Universitetin Europian të Tiranës përmbyllja e Projektit të Madh Kërkimor 5 vjeçar “Shqipëria inovative” dhe u lançua programi i ri kërkimor 5 vjeçar, 2020- 2025, “ZHVILLIMI I TREGJEVE: Universiteti- Kërkimi- Shteti”.

Universiteti Europian i Tiranës, me një profil tashmë të theksuar kërkimor, për shkak edhe të studimeve të ciklit të tretë doktoral, ka përmbyllur programin e dytë kërkimor 2015-2020, jashtëzakonisht pozitiv, në lidhje me projektet, kërkimin shkencor, në lidhje me tregun e punës dhe impaktin e këtyre projekteve në shoqëri.

Universiteti ka vënë në dispozicion në formën e granteve kërkimore një buxhet më shumë se 1 milionë e 250 mijë euro, si dhe ka arritur të partnerizojë me donatorë dhe projekte ndërkombëtare, në formën e granteve kërkimore më shumë se 1 milionë e 250 euro për pedagogët dhe kërkuesit shkencor të tij.

Ky bilanc ka sjellë agregimin e një numri të rëndësishëm artikujsh, botimesh, librash, përfshirë këtu edhe referencat më të mira ndërkombëtare, siç janë ClarivateAnalytics, ElsevierScopus, etj.

Më shumë se 250 artikuj shkencor, kapituj në libra apo botime janë produkt i “Shqipërisë inovative”, Projektit të Madh Kërkimor të UET në këto 5 vjet.

E pranishme në këtë ceremoni, Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Mirela Muça, pasi vuri në dukje rëndësinë e kërkimit shkencor, vlerësoi perspektivën e programit të ri të kërkimit dhe u shpreh optimiste për një bashkëpunim të ngushtë me UET-në në fushën e kërkimit shkencor.

“Ne kemi qenë të fokusuar te institucionet e arsimit të lartë publik, por besoj që në vazhdim ne do t’i kthejmë sytë edhe te cilësia e kërkimit shkencor. Nuk do të synojmë vetëm mbështetjen për hir të publikes, por duam që ne të jemi të drejtuar edhe në tregun rajonal, pse edhe më gjerë, në atë evropian e ndërkombëtar, me rezultate dhe projekte dinjitoze”, tha Muça.

Presidenti i UET, Selami Xhepa vlerësoi, se sfida e re e universitetit në projektin e ri kërkimor, do t’i dedikohet kombinimit të rolit mes universiteteve, kërkimit shkencor dhe shtetit, në funksion të detyrës themelore që ka shoqëria shqiptare për zhvillim, që janë zhvillimi i tregjeve.

Së fundi, projekti i ri kërkimor, projekti i ri 5 vjeçar, e gjen Universitetin Europian të Tiranës, një universitet të kompletuar, polivalent, me thuajse të gjitha fushat themelore të studimit, të të gjitha shkencave. Programi i Madh Kërkimor, 2020-2025 do të jetë i zbërthyer në 5 drejtime të mëdha kërkimore, sipas fakulteteve që ky universitet ka, tashmë që prej vitit 2018.

Bilanci në shifra

Programi i Madh Kërkimor 2015- 2020, “Shqipëria Inovative”

-1 milionë e 250 mijë euro financim nga UET

– 1 milionë e 250 euro grante nga donatorët

– 150 kërkues përfitues të këtyre granteve

-1750 outpute shkencore (artikuj, libra, kapituj, prezantime në konferenca), ku ndër të tjera, përfshihen:

– 10 botime në revista të indeksuara në ClarivateAnalytics

– 12 botime në revista të indeksuara në ElsevierScopus

– 10 libra dhe kapituj botuar nga shtëpi botuese të rankuara nga SENSE RankingofAcademicPublishers (Springer, Routledge, De Gruyter, etj)

– 250 artikuj shkencor, kapituj në libra apo botime, produkt i “Shqipërisë inovative”.

Presidenti i UET, Selami Xhepa ‘zbulon’ titullin e Projektit të Madh Kërkimor ’20- ’25: Kryefjala është ‘Zhvillimi i tregjeve’

Presidenti i UET-së Selami Xhepa shpjegoi se vendosja e tregut në fonadamentin e këtij kërkimi shkencor vjen për dy arsye fondamentale: e para ka të bëjë me arsye të brendshme të tregut shqiptar dhe e dyta ka të bëjë me vendosjen e tij në kontekstin e madh dhe zhvillimet globale.

Xhepa theksoi, se edhe pse tregu shqiptar ka një  rrugëtim prej 3 dekadash, mungesa e konkurrencës “perfekte” ka çuar në deformime serioze, jo vetëm në tregjet ekzistuese, të cilat lënë shumë për të dëshiruar për mënyrën e tyre të funksionimit,  por edhe në ato tregje që janë më të reja dhe për rrjedhojë edhe më të paqëndrueshme dhe kanë ngërçe të rëndësishme ligjore dhe institucionale.

“Situata të sjelljes pothuajse monopoliste sot gjenden të përhapura në shumë tregje, gjë që prodhon pasoja serioze negative si për konsumatorin sot, por mbi të gjitha me pasoja serioze afatgjata. Në mënyrë të veçantë, goditet aftësia e vendit për të investuar në ndërtimin e sistemeve ekonomike konkurruese, aftësia për inovacion dhe krijimin e strukturave ekonomike të përshtatshme për një shoqëri moderne të shekullit të 21-të.

Nga kjo pikëpamje, kontributi i kërkimit shkencor në fushën e zhvillimit të tregjeve, do të eksplorojë pikërisht mënyrën e funksionimit të këtyre tregjeve dhe roli që ka rregullimi qeveritar në raport me ekzistencën e tyre”, tregoi Presidenti i UET-së.

Sa i përket faktorit të dytë, parë tashmë në një këndvështrim më të gjerë, në atë global, Xhepa shpjegoi, se tashmë ka një ridiminesionim të marrëdhënies së shtetit me vet tregjet, që merr shkas nga krizat e forta ekonomike dhe në veçanti nga krizat financiare.

“Në një botë që është bërë më komplekse dhe më e ndërlidhur, edhe funksionimi tregjeve është i tillë. Për pasojë, dështimet e tregjeve shpeshherë ndodhin edhe për shkak të paaftësisë sonë për ti njohur ato dhe për pasojë për të ndërtuar strategji të përshtatshme të mbrojtjes ndaj aksidenteve potenciale, siç janë krizat e mundshme. Është ky konteksti i projektit tonë kërkimor për pesë vitet në vazhdim: eksplorimi i natyrës së funksionimit dhe rregullimit të tregjeve. E gjithë kjo situatë e re ekonomike e shoqërore, plotësohet edhe me një diskutim të natyrës së tregjeve në kushtet e këtij përparimi teknologjik të paprecedentë, të ridimensionimit të rolit të shtetit në raport me tregjet, teknologjinë dhe lirinë e individit”, përmbylli Xhepa.

Drejtorja e AKKSHI, Mirela Muça: Qeveria mbështet kërkimet doktorale ndër- universitare dhe të lidhura me tregun

Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), Mirela Muça zbuloi dy drejtime të rëndësishme në të cilin po punon qeveria. I pari ka të bëjë me ngritjen e një ligji për ndërmarrjet start up dhe inovative. Ndërsa aspekti tjetër, është zhvillimi i një strategjie që quhet smart specilisation strategy, strategjia e zhvillimit inteligjent të vendit, që është një proces inovativ për vendet evropiane dhe sidomos për vendet e Ballkanit.

Me miratimin e kësaj strategjie edhe nga qeveria ne dhe operatorët e ndryshëm do të kenë mundësi të orientohen mirë në veprimtarinë ekonomike.

Më tej Muça tha se institucioni që drejton ka riorganizuar mënyrën e hapjes së thirrjeve për të thithur grante, mbështetur në 3 aspekte, në përputhje të programit të doktoraturës me kërkimin shkencor.

 “Kemi prioritet të mbështesim ato projekte të kërkimit shkencor që zhvillohen paralelisht me programin e doktoraturës, në mënyrë që të angazhojmë studentët, profesorët, kërkuesit shkencor brenda institucioneve të arsimit të lartë.

Kemi prioritet për të mbështetur ato programe të kërkim- zhvillimit që mbështeten në bazë të bashkëpunimit të dy ose më shumë universiteteve, në mënyrë që të mos e izolojmë kërkimin shkencor brenda një institucioni të arsimit të lartë, por të kemi mundësi ta ndajmë rezultatin e kërkimit shkencor mes sa më shumë aktorëve në tregun e institucioneve të arsimit të lartë. Prioriteti i tretë do të jetë bashkëpunimi i kërkuesve shkencorë me aktivitetin ekonomik. Do të mbështesim ato projekte të cilat mbështesin një kërkesë të ndërmarrjeve apo të kompanive që kërkojnë zhvillim teknologjik ose të proceseve, shërbimeve, në varësi të profilit të operatorit ekonomik”, tha Muça. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back