Krye

UET hedh hapin e dytë të ndërkombëtarizimit: 3 programe në anglisht

               Publikuar në : 09:58 - 24/07/21 liberale

Universiteti Evropian i Tiranës e nis vitin akademik 2021-2022 me një ofertë të shtuar akademike, duke sjellë 3 programe të reja studimi bachelor, të ofruara në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Në kuadër të planit të zhvillimit për periudhën 2020- 2025, vijnë të licensuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë programet: Informatikë Ekonomike, Financë dhe Inxhinieri Informatike.

Kjo nismë, risi për arsimin e lartë në Shqipëri, vijon procesin e ndërkombëtarizimit që tashmë është bërë element identifikues i UET-së. Rektori Tonin Gjuraj e cilëson hapjen e programeve të reja si kolonën e dytë të ndërkombëtarizimit, që shoqëron proceset e deritanishme të shkëmbimeve dhe projekteve ndërkombëtare.

Më tej, profesor Gjuraj thekson, se synohet që brenda këtij 5 vjeçari, të trefishohen programet në gjuhën angleze dhe të rritet numri i studentëve të huaj që zgjedhin UET për formimin e tyre akademik.

“Synohet që deri në fund të 2025, të kemi të paktën 10 programe në gjuhën angleze. Duam të tërheqim dy kategori studentësh. Së pari, për studentët shqiptarë që duan një diplomë në gjuhën angleze, sepse rriten shancet për punësim në vendin tonë dhe rekrutimin në tregun rajonal dhe atë evropian e botëror. Së dyti, të mund të tërhqim studentët e huaj. Ambicja jonë është e qartë, duam që sa më shpejt, UET të ketë të paktën 1/5 e studentëve të huaj, ose jo më pak se 1000 të tillë”, shprehet Gjuraj.

Për administratorin e UET-së, Tildi Çadri, ky është momenti i duhur që UET të hedhë këtë hap të rëndësishëm në rritjen e cilësisë, duke u futur në ligën e institucioneve më prestigjoze ndërkombëtare. Puna e bërë gjatë këtij 15-vjeçari, shtron rrugën e kalimit në një tjetër nivel me shumë benefite, si për studentët ashtu edhe për universitetin.

“Ardhja e studentëve të huaj krijon një presion pozitiv për studentët dhe stafin tonë. Anglishtja, sa mund të jetë një avantazh, është edhe një sforco e madhe dhe do të krijojë dinamizëm. Studentët shqiptarë e pedagogët do të kërkojnë të balancohen e të jenë në konkurrencë me ata të universiteteve të huaja. Ky proces rrit cilësinë e mësimdhënies dhe pedagogëve tanë, duke iu dhënë mundësi të përditësojnë dijet, leteraturën, etj. Profesorët që do të përfshihen në programet e ofruara, janë profesorë që kanë studiuar dhe kanë bashkëpunuar me universitetet jashtë. Në këtë kontekst, ne e përgatisim stafin që të hyjë në mënyrë të barabartë, të ekuilibruar, në marrëveshje me institucionet e tjera“, tregon administratori i UET-së.

Sa iu përket studentëve të huaj, Çadri thekson se kërkesat janë në rritje nga vende të ndryshme evropiane e botërore, të cilët shohin tek ardhja në Shqipëri një mundësi atraktive dhe me kosto më të ulët.

“Kërkesa ka shumë, nga disa vende. Sipas statistikave tona, kërkesat vijnë nga shumë vende të Ballkanit, Azisë dhe Lindjes së Largët, vende të Evropës Lindore, të cilëve iu duket më tepër atraktive të marrin një diplomë në UET të ofruar ndërkombëtarisht, në gjuhën angleze, me një kosto relativisht më të ulët sesa në institucioent e tjera që ofrojnë këtë. Po ashtu, kostoja jetësore është më e ulët dhe shërben si një shkëmbim kulturor, duke marrë një eksperiencë ndryshe. Kjo është e ardhmja e arsimit në Shqipëri, të ofrojë lokalisht një cilësi evropaine”, shprehet ai.

Këto programe krijojnë lehtësira për projektet, shkëmbiemt Erasmus, partneritetet me universitetet e huaja, si dhe ardhjen e pedagogëve të huaj. Gjithashtu, UET do të kujdeset për aftësimin e plotë gjuhësor, duke organizuar kurse intensive në gjuhën angleze, të posaçme për lëndët dhe programet.

Ky plan zhvillimi është afatgjatë dhe synon që 20% e programeve të ofruara nga UET, të jenë edhe në gjuhën angleze. Së fundi, Çadri sqaron arsyen, pse UET ka zgjedhur fillimisht këto 3 programe, për të qenë në të dyja gjuhët.

“Janë degë prioritare dhe më të kërkuara në vend. Janë programe pragmtiste, që lidhen edhe me partneritetet që kemi me bizneset. Janë rreth 250 biznese me të cilët bashkëpunojmë në kuadër të praktikave, intershipit, punësimit etj. Po mendojmë edhe për pjesën e humaniteteve, që edhe ato janë shumë të kërkuara, si Komunikimi, Psikologjia, ndërsa më tej do të shkohet në programe të tilla si Inxhinieritë e ndërtimit, Arkitektura etj”, shprehet Çadri.

Kujtojmë që UET ofron 54 programe studimi, në të trija nivelet e studimit, të organizuara në 5 fakultete dhe 11 departamente.

Ndërkombëtarizimi i UET

Shifrat e 5 vitevet të fundit kanë treguar se UET është kampion në procesin e ndërkombëtraizmit. Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të Erasmus+ dhe KA1, janë realizuar shkëmbime studentore dhe të stafit akademik.

Rreth 300 studentë shqiptar kanë kryer shkëmbime në një nga universitetet partnere, ndërsa janë akorduar 1.2 mln euro bursa nga BE. Po ashtu, rreth 50 studentë ndërkombëtarë kanë kryer shkëmbime në UET.

Sa i përket stafit akademik, rreth 150 persona (staf akademik apo administrativ) kanë kryer shkëmin 1 javor për mësimdhënie apo trajnim në një nga universitetet partnere dhe janë akorduar nga BE 300 mijë euro bursa.

Rreth 80 persona (staf akademik apo administrativ) kanë kryer shkëmin 1 javor për mësimdhënie apo trajnim në UET.

Në kuadër të marrëveshjeve të dyfishta dhe të përbashkëta janë realizuar 9 të tilla me universitetet e huaja.

Sa i përket ndërtimit të kapaciteteve Erasmus+ dhe KA2, UET ka implementuar 25 projekte, që kanë kapur një buxhet prej 1.7 milone euro.

Vlen të përmendet edhe aktiviteti i UET Centre, e cila gjatë viteve 2011- 2020 ka implementuar 40 projekte, duke përfshirë një buxhet prej 750 mijë euro.

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back