Krye

UET diplomon studentët e brezit 2021. Lançohet projekti i zhvillimit

               Publikuar në : 09:56 - 17/07/21 liberale

Nën kapelat dhe pelerinat bojë qielli, të njehsuar e të bërë njësh, dhjetëra studentë të Universitetit Europian të Tiranës, kremtuan të enjten përfundimin e studimeve. Mes qindra syresh, shquhej emocioni, krenaria dhe lumturia e prekjes së kësaj dite domethënëse, që përmbyll një cikël jetësor. Një pjesë e vendosur në puzzl-in e jetës së gjithsecilit, e cila shton etjen për të jetësuar pjesët e tjera.

Pas shkëputjes nga pandemia e COVID-19, e cila kufizoi jetën njerëzore në shumë aspekte, ashtu si edhe jetën akademike e studentore, UET, në 15 vjetorin e themelimit të tij, riktheu këtë traditë të kurorëzimit të suksesit, arritjeve e përpjekjeve të studentëve dhe stafit akademik.

Kjo ceremoni diplomimi ishte një ngjarje e veçantë, sepse shënjoi diplomimin e brezit të parë të diplomave të reja, të programeve që u hapën në vitin akademik 2018- 2019. Në këtë vit, 3 fakulteteve të UET-së, iu shtuan 2 fakultete të reja, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike dhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, duke e bërë kështu një institucion të përplotësuar në ofertën e vet akademike, me më shumë mundësi studimi për të rinjtë.

Të diplomuarit bachelor nga 5 fakultetet e UET-së, patën mundësinë të marrin vlerësimet dhe urimet e përfaqësuesve më të lartë të UET-së dhe pedagogëve të tyre, si dhe të përjetojnë mes shumë emocionesh hedhjen e kapelës, një moment festimi, që njëherësh dikton një rrugëtim të gjatë profesional. E ndërsa vitet kalojnë dhe UET vulos emrin e tij në historinë e arsimit të lartë shqiptar, dinamizma të reja shfaqen në sfond, bashkë me përkushtimin dhe dëshirën për të qenë gjithmonë të parët dhe për të sjellë sërish e vazhdimisht gjëra të mëdha për Shqipërinë.

Në kohë sfidash, gjërat mund të ndryshojnë, por UET do të mbetet gjithmonë një brand, i pari dhe i vetmi universitet privat, që diferencohet syresh me lehtësi, falë vizionit që e ka lindur dhe drejtuar ndër vite. Aty ku qëndron vullneti dhe dëshira, shkërmoqet pamundësia. Me shpresën e ditëve më mira për shoqërinë shqiptare, UET vijon përpara, frymëzues dhe novator, sepse gjëra të mëdha na presin!

Përgëzime dhe këshilla për të diplomuarit

Ceremonia e diplomimit u shoqërua me përshëndetjen e disa prej drejtuesve të UET-së, të cilët përveçse i përgëzuan studentët për finalizimin me sukses të studimeve, dhanë këshilla të vyera për fazën e re të jetës, e cila shtron para tyre sa vështirësi aq edhe zhvillime personale.

Rektori i UET-së Prof. Dr. Tonin Gjuraj: “Diplomimi juaj është fillim, një arritje e gërmëzuar të çdo dite tuajën në UET, një shkollim që iu hap portën për t’iu bashkuar botës së profesionistëve. Jeni në prag të bashkimit të një prej komuniteteve më të mëdha. Universiteti çdo vit rivlerëson veten, duke ju diplomuar ju. Çdo ditë rritet e përmirësohet. Është ky një rrugëtim, ku secili përmirësohet në bashkëpunimin e ndërsjellët. Pa këtë sinergji, do të mbeteshim në vend. T’i gëzoheni arritjes suaj! Sillni ndërmend atë që keni sakrifikuar dhe atë që keni fituar! Sillni ndërmend ditën kur erdhët dhe tani që po largoheni, ku jeni rritur në dituri dhe mençuri dhe kjo ju jep shpresë për të qenë konkurrues aty ku do të shkoni! Jini të hapur ndaj mendimit të lirë dhe duroni me durim ata që mendojnë ndryshe! Bota është e juaja, siç thotë edhe Migjeni, por ju lipset ta bëni atë edhe më të mirë. Qofshin sukseset tuaja të vazhdueshme dhe të ndritshme!”.

Prof. Ferit Duka, rektori i parë i UET-së: “Ndjehem shumë i lumtur që sot nga kjo faltore, në jubileun e 15-të të UET-së, kam kënaqësinë t’i drejtohem këtij brezi të mrekullueshëm, i cili konkludon një periudhë shumë të rëndësishme të jetës, siç janë studimet universitare. Tashmë një periudhë më e rëndësishme fillon për ju, ku duhet të ndërtoni një koncept të drejtë për punën e shoqërinë. Fillon një periudhë ku ju do të përfshiheni në valën e madhe të jetës, do të ndesheni me vështirësi dhe sfida të mëdha, por unë kam bindjen e patundur, se ju, në çdo qelizë të shoqërisë ku do të punoni, nuk do të largoheni nga etja për dije dhe kulturë. Do të lartësoheni gjithmonë profesionalisht dhe kulturalisht, e në këtë mënyrë do ta bëni UET-në krenar për produktin e vet, ashtu si dhe UET, me ecurinë e tij të suksesshme që ka treguar në këto 15 vite, do të vazhdojë të lartësohet e do të ecë më tej. Besoj se ju, deri në fund, do të luftoni dhe do të bëni më të mirën, për shtetin, shoqërinë dhe Shqipërinë”.

Prof. Nevila Nika, ish- rektore e UET-së: “Në 15 vjetorin e themelimit të këtij institucioni të veçantë, kam pasur kënaqësinë që të jem që në fillim, jo si pedagoge, por si pjesë e bordit. E kujtoj entuziazmin. Kërkoj edhe prej jush të keni vizion, dëshirë, entuziazëm dhe këmbëngulje për të bërë diçka në Shqipëri. Guxim për të qëndruar. Ju këshillojmë të gjithë: bota është e madhe, por vendlindja kurrë nuk harrohet, edhe vendi ku ke bërë universitetin nuk harrohet. UET është një brand, një histori suksesi që ka pasur zigzaget e veta, por fakti që ju jeni kaq shumë tregon për suksesin tonë”.

Administratori i UET-së, Tildi Çadri: Është privilegj që kam mundësi të mbaj fjalimin në këtë ceremoni diplomimi. Jam po aq i emocionuar sa ju, pasi edhe për ne është pikënisja e një rrugëtimi të gjatë. Teksa jam këtu, mendja më shkoi te ceremonia e diplomimit tim, një ngjarje jo fort e largët, e shoqëruar me shumë ankth për të ardhmen, shpresë e pritshmëri euforike. Fatkeqësisht, shumë prej pritshmërive nuk u realizuan dot dhe disa prej ëndrrave u moderuan me kohën. Jam i sigurt që kështu do të ndodhë edhe me disa prej jush, por kjo nuk duhet t’ju frikësojë, do të jenë sprova të jetës suaj, në të cilat kujtimet e universitetit do të kenë rol të madh. Universiteti është një yll polar, ku mund të orientohesh në çdo kohë. Pikërisht këtë kemi dashur të realizojmë gjatë këtyre viteve. Të hapim dyert për çdo student, apo ish-student tonin, të jemi frymëzues dhe mbështetës për ju, nëpërmjet stafit, klubeve studentore, aktiviteteve të panumërta akademike, por jo vetëm, ndërkombëtarizimin e studimeve dhe shkëmbimin studentor, bursave tj. Këto padyshim që do të vijojnë të jenë të pranishme për studentët që do të vijnë, sepse duam të jemi pranë jush kur dizajnoni të ardhmen tuaj. Dëshirojmë të jeni qytetarë të denjë, empatikë dhe të udhëhequr nga busulla e moralit, me dëshirën për të lënë gjurmë kudo që të jeni”.

Studentët rrëfejnë emocionet e diplomimit

Disa studentë, ndanë gjithashtu, emocionet e tyre, rrugëtimin e 3 viteve dhe shpresën për të qenë po kaq të suksesshëm në jetë, sa ishin në auditorë.

Erik Dabulla:” Këto 3 vite në UET kanë qenë vitet më të bukura të jetës sime, pavarësisht se u ndërprenë papritur nga pandemia. Për gjithë këtë eksperiencë, dua të falenderoj familjen time për mbështetjen, pedagogët që më kanë dhënë mësim, të cilët na kanë qëndruar afër, pavarësisht kushteve. Falenderimi i fundit për gjithë shokët e shoqet, që kemi ndarë bashkë auditorët”.

Samanta Ademaj: “Diplomimi është një çelës, që hap një derë të re për jetën time. Më kujtohet mirë, kur para 3 vitesh isha duke menduar për të zgjedhur profesionin dhe universitetin në të cilin do të studioja. Sot e them me plot bindjen, se kam bërë zgjedhjen më të mirë të jetës sime. E shoh Psikologjinë si profesionin që më përshtatet më tepër dhe UET-në si universitetin e mundësive që ka përmbushur pritshmëritë e mia dhe ma ka bërë më të lehtë zgjedhjen e ciklit të Master. Falenderoj stafin pedagogjik, dhe në veçanti pedagogët e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Po ashtu, falenderoj edhe familjen time. Suksese gjithë të diplomuarve!”.

Xhulia Meta: “Të jem sot e diplomuar përballë jush, është arritja e çdo sekonde të kaluar këtu. Kthej kokën pas për të parë ku isha para tre viteve, por vazhdoj të eci përsëri. Nuk ka fillim, shtjellim apo mbarim të një rrugëtimi. Çdo gjë në jetë, duhet të jetë një fillim, për të kuptuar sesa shumë rrugë kemi përpara. Mos prit të arrish fundin, sepse atëherë nuk do të motivojë asnjë gjë e do të kënaqesh me aq sa more! Sot suksesi im më i madh, gjendet në këto rreshta që i kam shkruar te blloku i babait, i cili nuk është më. Suksesi ndodhet te sytë e nënës sime që shprehin shumë e më shumë se këto rreshta”.

Artiola Spahiu: “Jam e nderuar që më jepet fjala para jush. Ky rrugëtim 3-vjeçar i ka dhënë shumë secilit prej nesh. Kemi marrë dije dhe jemi zhvilluar profesionalisht. Dija e dhënë nga një staf dinjitoz, ka kontribuar fuqishëm në zhvillimin tonë profesional. Falenderoj prindërit, pasi ëndrrat e mia u realizuan falë inkurajimit të tyre”.

Presidenti i UET, Selami Xhepa lançon projektin e zhvillimit: Në partneritet me KPT-në

Në fjalën e tij, presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa tha se prej 13 vitesh që UET ka ndarë diplomat e para, më shumë se 15 mijë ekonomistë, juristë, inxhinierë, profesionistë të të gjitha fushave të dijes, kanë zgjedhur të ndërtojnë karrierën e tyre të ardhshme duke u formuar pranë UET. Për këtë arsye, ai falenderoi gjithë të rinjtë që ia kanë besuar formimin profesional dhe të ardhmen UET-së. Më tej, Xhepa lançoi projektin e zhvillimit, i cili përfshin partneritetin me Kolegjin Profesional të Tiranës dhe zhvendosjen në kampusin tjetër.

“Prej më shumë se 3 vitesh, jemi futur në një rrugë zhvillimi, polivalent, me më shumë programe  mundësi zgjedhjeje për studentët tanë. Kemi përmirësuar ndjeshëm kurrikulën tonë mësimore, duke u përshtatur me kërkesat e sotme të ekonomisë dhe shoqërisë. Kemi ruajtur standardet e mësimdhënies, duke inkurajuar, lirinë e mendimit dhe gjykimin kritik. Jemi duke realizuar edhe një hap tjetër të rëndësishëm, atë të zhvendosjes drejt një kampusi të ri universitar, i cili plotëson në mënyrë më të përshtatshme nevojat e zhvillimit institucional. Deri në përfundim të kampusit të ri, universiteti do të vazhdojë të funksionojë në ambientet e simotrës së vet, Kolegjit Profesional të Tiranës, që bëhet zgjatim i universitetit tonë. Ky partneritet i ri, jo vetëm që rrit qëndrueshmërinë tonë të universitetit, por njëherësh zgjeron mundësitë e zgjedhjes së studentëve, pasi portofoli ynë do të përfshijë në këtë mënyrë, të gjithë ciklin e studimeve, që ndjek individi  pas shkollës së mesme, nga diplomat e formimit profesional, deri te studimet doktorale, që janë niveli më i lartë i studimeve akademike. Duke u rilokuar në premisa të reja, universiteti ynë do të kontribuojë në zgjerimet e jetës sociale të kryeqytetit, duke përçuar vlerat më të mira që ne kemi krijuar ndër vite. Ekosistemi që krijon UET, kudo ku janë vendosur, janë themelore, jo vetëm për suksesin tuaj, por edhe një model për komunitetin ku ne punojmë”, deklaroi Xhepa.

Commencement speech

UET solli në këtë ceremoni dy figura të njohura të sipërmarrjes dhe jetës publike, për të dhënë mesazhe frymëzimi dhe kurajoje për studentët, në nisje të një rrugëtimi të ri jetësor.

Aksioneri kryesor i One Telecommunications, Elvin Guri, një investitor dhe sipërmarrës me përvojë 25 vjeçare, i cili e ka përqendruar veprimtarinë e tij në ndërmarrje industriale, kujtoi për studentët periudhën kur ai ishte në të njëjtën moshë dhe gjendej mes shumë pikëpyetjeve për jetën dhe të ardhmen. Tashmë që ai gjetur veten dhe u ka dhënë përgjigje të gjithave pyetjeve që rëndonin në kokën e tij, është në gjendje të udhëzojë të rinjtë, që vetëm nëpërmjet punës dhe përgatitjes do të zbulojnë dhe ndjekin rrugën së cilës i përkasin.

Nga ana tjetër, gazetari dhe analisti i njohur, Baton Haxhiu zgjodhi të mbante një fjalim para studentëve të titulluar “Pse nuk duhet ta lini Shqipërinë”, duke prekur kështu një çështje përvëluese, që djeg sa herë që bëhet temë diskutimi. “Ky është vendi më i bukur, që mund të përjetoni dhe e shijoni në jetën tuaj”, tha Haxhiu, duke shtuar se largimi do të ishte një nisje e gabuar e jetës. “Po ju them me bindje, se Shqipëria ka nevojë për ju, ju i duheni Shqipërisë dhe do ta bëni më të mirë, nëse e shijoni atë në veçantitë e saj”, shtoi më tej gazetari, i cili rrëfeu, se me profesionin e tij, kishte pasur mundësi të zgjidhte të jetonte në shumë vende të Evropës dhe botës, por qëndroi në Shqipëri, për të kontribuar për të dhe shqiptarët që e duan.

“Ikja dhe intelektualiteti nuk kanë gjë të përbashkët. Ik, dhe bëhu profesionist i madh diku tjetër, por intelektual nuk do  bëhesh kurrë, sepse ke refuzuar ta bësh betejën dhe kjo s’ka lidhje me intelektualin. Marrim si shembull Arben Xhaferrin. A nuk do të ishte sociolog i përmasave botërore, po të merrej vetëm me studimin, i shkëputur nga konteksti në të cilin është rritur? Patjetër që po. Por ai ka zgjedhur ta bëjë intelektualin patriot, para sociologut profesionist. Kush ikën, mund t’i tregojë vetes arsye sa të dojë, por thellë-thellë secili e di se ka  braktisur betejën e tij personale dhe në njëfarë forme ka braktisur veten. Por, vetëm edhe një gjë. Nuk po them se është mëkatare të largohesh, e kam menduar edhe vetë normalisht. Këtu futet edhe  rrugëtimi pastaj, njerëzit që takon dhe të inspirojnë, njerëzit që të japin shansin. Por ikja, nëse duhet të jetë alternative, duhet të jetë krejt e fundit, pasi janë shterur të gjitha të tjerat”, përmbylli Haxhiu.

 

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back