Aktualitet

UET dhe Credins sjellin Master Fintech në Shqipëri/ Bursë, internship të paguar dhe punësim nga banka

Shkruar nga Liberale
UET dhe Credins sjellin Master Fintech në Shqipëri/ Bursë,

Një program master, i pari i këtij lloj në Shqipëri në Fintech vjen jo vetëm si një risi e një martese mes botës akademike dhe industrisë, por edhe si një paketë e plotë mundësish për këdo që do ta zgjedhë.

Bursë, praktikë, pune gjashtë mujore e paguar dhe për më të mirët e programit, punësim i sigurt në Bankën Credins. Ky Master Profesional, më i riu që i shtohet gamës së gjerë të programeve që Universiteti Europian i Tiranës ofron në të pestë fakultetet e tij, vjen pas një pune të gjatë dhe bashkëpunimit të frytshëm me një prej bankave më të mëdha në këtë sektor, në Shqipëri.

I njohur dhe i aplikuar gjerësisht në universitetet perëndimore, ky program vjen për herë të parë në vend,  nga UET dhe Credins, të cilët prej kohësh kanë kuptuar rëndësinë e ndërtimit të programeve që ofrojnë më të renë nga fusha e dijeve në përputhje me kërkesën e industrisë dhe tregut të punës.

Ky program i specializuar do t’i mundojë çdo të riu që ka ambicie t’i bashkohet bankës Credins dhe  industrisë financiare , të kuptojë më shumë mbi zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të informacionit, inxhinierisë softuerike, bazës së të dhënave dhe rrjeteve kompjuterike, modeleve të biznesit të sektorit bankar apo të menaxhimit të projekteve.

Kandidatët për studentë do të rekrutohen përmes grupeve të përbashkëta mes UET dhe Credins e po ashtu do të ndiqet performanca dhe rezultatet e të nxënit gjatë rrugëtimit akademik.

Ky master vjen si një mundësi për çdo të diplomuar bachelor, në Shkenca Kompjuterike, Inxhinieri, Data Science, Sisteme Informacioni, Informatikë Ekonomike apo edhe degë të tjera të ngjashme.

Cilido kandidat që përmbush kriteret akademike do të mund të përballojë lehtë kostot e studimit, përmes bursës së ofruar nga Banka Credins, si edhe ka rastin të marrë aftësi praktike, ndërsa ndjek programin studimor dhe në fund të programit të punësohet si pjesë e stafit të kësaj banke.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, profesor Selami Xhepa, e cilësoi si një projekt pionier masterin në Fintech. “ Ky projekt përpiqet të materializojë dhe të ndërtojë një urë komunikimi midis botës akademike dhe industrisë”, u shpreh zoti Xhepa.

Ai nënvizoi si problem thelbësor në ekonomitë e rajonit hendekun mes dijeve akademike dhe tregut të punës.

Selami Xhepa: Programet studimore në të ardhmen të burojnë nga industria

“Ka disa dekada që bota akademike dhe industritë janë shkrirë. Janë  një laborator i përbashkët,  në të cilën prodhojnë dhe disiplinojnë dijen. Një pjesë e rëndësishme e dijes nuk prodhohet vetëm nga bota akademike, por prodhohet në fakt nga industria, nga sektori privat  i industrisë”, shtoi presidenti i UET.

Sipas presidentit, bashkëpunimi i industrisë me botën akademike, e ka bërë prodhimin dhe përhapjen e dijes më eficiente dhe e ka bërë ekonominë  të jetë më konkurruese  sot në botë. “Uroj që ky model i bashkëpunimit midis universitetit tonë dhe bankës Credins të jetë gjithashtu një model pionier edhe për universitetet dhe industritë e tjera”, uroi zoti Xhepa.

Sipas Selami Xhepës, i cili është njëherazi edhe ekspert në fushë të ekonomisë, janë ndërmarrjet e mëdha, si Banka Credins që lehtësojnë dhe mundësojnë këtë lloj kooperimi mes dy botëve, ndërsa kërkoi lehtësim të bashkëpunimeve të këtij lloji nga qeveria.

Pas prezantimit të këtij masteri, që është pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, UET  pret ta zgjerojë nismën edhe në katër fakultetet e tjerë, ku në bashkëpunim me industrinë të sjellë të tjera programe si ai në Fintech. “...për të kaluar në një filozofi që kem dashur gjithmonë në UET, ku  programet të mos burojnë nga ne, por nga industritë . Janë industritë ato që e  dinë farë kërkojnë dhe jemi ne,  si universitete,   bashkë me industritë dhe kapacitetet njerëzore të jashtëzakonshme që ka vetë industria , që mund t’i kontribuojmë për të formuar breza të rinj, që do të jenë pjesë e zhvillimit të ardhshëm të shoqërisë”, përfundoi presidenti i UET.

Valbona Guri: Ky model të ndiqet edhe nga korporatat e tjera të mëdha, në vend

Drejtoresha e Marketingut pranë Bankës Credins, Valbona Guri, e cila është gjithashtu pjesë e grupit hartues të këtij programi master është e mendimit se bashkëpunimi mes botës akademike dhe korporatave më të mëdha në vend, duhet të jetë i ngushtë.

“Jemi një nga korporatat më të mëdha në tregun bankar shqiptar dhe jemi lider për të krijuar këtë model  që,  në vazhdimësi do të ndiqet pa diskutim nga të gjitha korporatat e  tjera të mëdha, të cilat operojnë në vend”, tha zonja Guri.

Ky master, vijoi më tej ajo, synon të aftësojë punonjësit aktualë,  por edhe të ardhshmit në fushën e teknologjive më të fundit të sistemeve të informacionit. “Dihet të industria bankare sot në botë, po kalon zhvillime të jashtëzakonshme dhe këto duhet të përkrahen nga ne që punojmë çdo ditë dhe jemi pjesë përbërëse e kësaj industrie dhe jemi vazhdimisht në institucionin tonë duke ndërmarrë projekte novative,  siç është lançimi i këtij masteri”, u shpreh zonja Guri.

Gjatë prezantimit të këtij programi master, pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik 2022-2023, zonja Guri zbuloi edhe disa nga avantazhet e tij, në tri pika kyçe.

“Avantazhet  e ofruara nga Credins  për çdo student që do të bëhet pjesë e këtij programi, janë jo vetëm në mbështetjen financiare , që ne do të japim për sa i takon kostove të këtij programi master, por edhe në ofrimin e një praktike mësimore pune prej gjashtë muajsh, pra internship të paguar nga banka”, shtoi më tej drejtoresha.

Gjithashtu,   këta studentë do të kenë mundësi të kenë një mentorim  nga ekspertët dhe drejtuesit më të mirë të bankës Credins dhe në fund, studentët më të mirë të këtij programi, do të kenë mundësi të punësohen pranë kësaj banke.

“Çdo i ri që do i bashkohet këtij programi do të jetë pjesë e korporatës sonë dhe do të ketë mundësi të punojë në një ambient profesional pune, do të ketë mundësi për zhvillime e trajnime të vazhdueshme dhe do të ketë një work-life balance shumë të kënaqshme , stimuluar me politika që garantojnë kushte mjaft të mira pune në institucionin tonë”, përfundoi drejtoresha e Marketingut.

Banka Credins operon në tregun bankar shqiptar prej 20 vitesh tashmë, e njohur prej sloganit “Ne flasim gjuhën tuaj”. Kjo bankë është e pranishme në vend përmes 57 degëve në qytetet kryesore, ka mbi 360 mijë klientë dhe është një prej punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me më shumë se 1 mijë punonjës.

Tildi Çadri: Fintech, një master tailor-made

Për administratorin e Universitetit Europian të Tiranës, Tildi Çadri, çelja e këtij masteri vjen si lajmi i dytë i mirë i këtij sezoni, pas vlerësimit pozitiv që ky universitet mori nga agjencia britanike QAA me një përmbushje të të dhjetë standardeve  europiane të cilësisë për institucionet e arsimit të lartë.

Zoti Çadri tha se Masteri në Fintech vjen si materializim i fokusit  të universitetit, që me nisjen e projektit “UET-universitet i Biznesit”. Një program studimor për ciklin e dytë, që sipas administratorit, i kapërcen edhe parashikimet e universitetit.

“Veçantia unike e këtij programi është ndjekja e parimit tailor made, duke plotësuar kështu kërkesën e Credins, për të aftësuar punonjësit e saj aktualë dhe potencialë, në fushën e teknologjive më të fundit të informacionit, përmes ekspertizës,  garancisë dhe cilësisë së mësimdhënies së ofruar nga UET’, u shpreh administratori.

Ky master, shtoi ai, ka kurrikulën më të përditësuar në fushën e IT-së dhe sistemeve të sektorit financiar,  si edhe kanë veçantinë që  50 përqind të ngarkesës mësimore është në punë  individuale me ekspertët e Bankës Credins.

“Programi, përtej risisë së formimit akademik, mbështet në trinomin;  bursë,  praktikë dhe punësim, që do të krijojë një habitat të përshtatshëm , jo vetëm për të përthithur studentët më të mirë, por edhe për të fituar në  konceptin praktik specialistë të aftë në fushën e teknologjisë së informacionit”, shtoi  Çadri. Administratori e cilësoi masterin si një vlerë të shtuar, jo vetëm për Universitetin Europian të Tiranës, por për të gjithë sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Dekani i Fakutetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, Petraq Papajorgji, pjesë e grupit të punës për hartimin e këtij masteri,  tha se  ndërtimi i një programi studimor që siguron një punësim të shpejtë dhe efikas  është një problem që diskutohet sot në  të në gjithë botën. “ Fakti që Credins dhe UET ishin të parët në rajon që bënë një martesë të suksesshme tregon për vizionin e madh që kanë të dy institucionet dhe për dëshirën që të zgjidhin një problem të rëndësishëm siç është aktualizimi i procesit të edukimit dhe formimit të kuadrove të rinj, në mënyrë efikase, por edhe zgjidhjen e problemeve që ka sot tregu i punës”. Papajorgji tha se për hartimin e këtij programi master janë marrë në shqyrtim modelet më të mira botërore, por që vijnë të përshtatura më së miri për kontekstin social, ekonomik dhe kulturor të vendit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH