Kryesore

UET Band, kur muzika bashkon studentët e talentuar

               Publikuar në : 09:21 - 09/07/19 Elda Dedja

Elda Dedja

UET Band është iniciativa më e fundit e Universitetit Europian të Tiranës, një grup studentësh të pasionuar pas muzikës, jo vetëm të Arteve Muzikore, që ka në fokus promovimin e tyre

Me ristrukturimin e tij, Universiteti Europian i Tiranës ka përfshirë në ofertën akademike edhe degët e artit të strehuara në Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve. Ndonëse lidhja me to ka qenë e kahershme, që prej vitit të kaluar këto programe kanë marrë një vëmendje të veçantë. Tashmë në UET mund të zgjedhësh nga profile të ndryshme, për degët Arte Pamore, Arte Skenike dhe Arte Muzikore në të dyja ciklet e studimit, Bachelor dhe Master.

Kohët e fundit, në kuadër të këtyre zhvillimeve është krijuar edhe UET Band, një grup i përbërë prej studentëve të UET, të talentuar në fushën e muzikës, të cilët studiojnë jo vetëm në Arte Muzikore, por edhe në programe të tjera. Performanca e parë e këtij grupi u realizua përgjatë UET Alumni Festival, një festë e cila bashkoi dhe riktheu në ambientet e universitetit, ish-studentët e UET, ku fokusi këtë vit ishte brezi i parë i të diplomuarve. Në një performancë, e cila zgjati për më shumë se një orë, të gjithë studentët e UET Band u prezantuan për të pranishmit me talentin e tyre, duke “rrëfyer” kështu mbi një aspekt të ri të një universiteti të “ri” e gjithëpërfshirës.

“UET Band lindi si pjesë e Klubeve Studentore, me synimin për të sjellë një risi, ndryshe nga formati i klubeve deri më sot, por gjithashtu edhe për të qenë pjesë integrale e aktiviteteve të shumta që organizohen në universitet. Edhe përse termi ‘Band’ në përgjithësi nënkupton një bandë muzikore, UET Band nuk është vetëm e tillë, por një grup studentësh të pasionuar pas muzikës dhe artit në tërësi, të cilët po realizojnë interpretime muzikore të njohura dhe në një të ardhme të afërt do të kenë dhe prodhimet e tyre muzikore duke eksperimentuar në rrymat më të fundit muzikore”, tregon Kristi Bello, pedagog pranë Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale të UET për Artet Muzikore, njëkohësisht mentor i UET Band.

Sa i përket performancës së parë ai shprehet: “UET Alumni Festival ishte dhe sfida më kryesore, pasi UET Band kishte performancën e parë dhe për të qenë i sinqertë jam i lumtur që në aq pak kohë ia dolëm të sillnim diçka vërtet ndryshe në atë aktivitetet. UET Band u prit jashtë mase mirë nga pjesëmarrësit, organizimi shkoi më së miri dhe sigurisht që është një shtysë shumë e madhe për aktivitetet në vazhdim.”

Hygert Sparthi, student i Kantos për më shumë se 9 vite, që tashmë ndjek studimet për këtë profil pranë UET, shprehet mbi pjesëmarrjen e tij në këtë grup: “Mendoj se krijimi i një bande është një iniciativë shumë e bukur, sepse një grup gjithmonë e arrin atë që do, sepse të jesh një grup do të thotë të jesh një forcë e madhe. Kjo ishte hera ime e parë që performova si pjesë e UET Band dhe gjithçka shkoi mirë, performanca live shkoi perfekt dhe besoj se kjo erdhi edhe sepse publiku na dha një mbështetje shumë të madhe. Tashmë po kaloj eksperienca të reja, por që mendoj se më presin shumë më tepër dhe që janë tepër të vlefshme për një të ardhme të suksesshme në profilin tim.”

Ajo çfarë është më interesante në këtë iniciativë është fakti se në të mund të përfshihen të gjithë studentët e talentuar të UET, të cilët jo domosdoshmërish studiojnë për arte muzikore dhe kjo është një mënyrë e mirë për t’i përfshirë ata në pasionin e tyre pa i shkëputur nga fokusi akademik që kanë përzgjedhur për veten.

“Në UET, përveç studentëve të Arteve, ka këngëtarë profesionistë të skenës shqiptare, por edhe studentë të fakulteteve të tjera, të cilët kanë një pasion dhe talent muzikor për t’u admiruar”, thotë Bello.
Klinti Çollaku, një prej emrave më në zë të momentit në skenën shqiptare, fitues i “The Voice of Albania”, student në degën Menaxhim Biznesi, rrëfen mbi arsyet që e shtynë të bëhej pjesë e kësaj iniciative.

“Më erdhi ftesa për t’u bërë pjesë e UET Band dhe m’u duk një ide shumë e mirë për ta bërë grupin e artistëve të shkollës më të bashkuar dhe për të nxjerrë në pah një aspekt të bukur të universitetit. Unë jam i mendimit se grupi ynë i jep një emër tjetër universitetit, pasi kontribuon edhe më shumë në multidimensionalitetin e tij. Ditët e provave kanë qenë shumë të bukura për mua, pasi tani po i bëj me të vërtetë të dyja, po merrem edhe me menaxhimin e biznesit edhe me muzikën brenda shkollës. Nuk ka ku shkon më mirë dhe jam entuziast për çdo aktivitet tjetër që do të ketë në UET”, rrëfen Klinti.

Artet muzikore sapo kanë përfunduar vitin e tyre të parë. Ka qenë një vit akademik i mbushur me shumë sfida, por pedagogu Bello shprehet se ato janë realizuar me sukses.

“Sigurisht që përkushtimi ka qenë i dyanshëm jo vetëm nga pedagogët, por edhe studentët. Sigurisht që mbetet edhe shumë punë për të bërë, por duke parë përkushtimin e pedagogëve dhe studentëve mendoj se jemi në rrugën e duhur”, thotë ai në lidhje me artet muzikore në UET.

Ndërkohë që Irvi Gjata, studente në Kanto, tregon se krijimin e UET Band e sheh si një hapësirë më shumë, “për t’u angazhuar në aktivitete të ndryshme dhe jo vetëm për ne studentët e arteve, por edhe për studentët e talentuar që vazhdojnë studimet e tyre në degë të tjera.”

Ndërkohë që shton se ky vit i parë për të i ka plotësuar pritshmëritë e saj më së miri: “Është një shkollë që ka shumë disiplinë, rregull dhe korrektësi nga ana e pedagogëve. Deri më tani jam e kënaqur nga mësimdhënia dhe ecuria që kam pasur”./Gazeta Liberale

(Visited 163 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *