Kryesore

UET ALUMNI, kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit

               Publikuar në : 10:05 - 17/04/21 liberale

Investimi në dije nuk është kurrë i humbur. Ai vilet me kohën. Investimi i bërë nga Universiteti Europian i Tiranës në cilësi, përgatitje, standarde profesionale, për rreth një dekade e gjysmë, ka filluar të japë frytet në drejtimin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ndër vite ky universitet ka diplomuar studentë që kanë shkëlqyer dhe kanë bërë emër në fusha të ndryshme profesionale.

Por tashmë, duket se këto fryte suksesi po ndihen edhe në fushën e politikës, ku në zgjedhjet e 25 prillit, më shumë se kurrë vihet re përfshirja e studentëve dhe ish-studentëve të UET-së, në listat e kandidatëve për deputetë nga partitë kryesore në vend. Disa emra të UET ALUMNI janë të njohur për publikun, e të tjerë dalin për herë të parë në skenën politike. Më poshtë po sjellim një jetëshkrim të shkurtër për disa prej kandidatëve për deputetë, renditjen në listë dhe qarkun ku kandidojnë.

Ardit Çela udhëheq listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Beratit. Njëkohësisht, në nëntor të 2020, është caktuar drejtues politik për këtë qark. Gjimnazin e përfundoi në Tiranë ku më pas konkurroi dhe fitoi të drejtën e studimit në degën e Inxhinierisë së Telekomunikacionit, në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe më pas ndoqi edhe studimet master shkencor, në të njëjtën degë. Po ashtu, ai ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet Master në Administrim Biznes pranë Universitetit Europian të Tiranës. Ka mbajtur disa poste të rëndësishme në sektorin privat dhe publik, si drejtues i kompanisë mediatike “Panorama group”, dhe më pas drejtues i Postës Shqiptare.

Angazhimi i tij brenda LSI është i gjatë, duke filluar që në ditët e para të themelimit të kësaj partie, në shtator të 2004. Ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të LRI dhe Nënkryetar i saj për rreth 7 vite. Ka qenë anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënien me Publikun në LSI si dhe ka drejtuar Komisionin e Mjedisit pranë kësaj forcë politike. Prej vitit 2012 ka drejtuar LSI-në e Njësisë 6 në Tiranë dhe prej 2016 është Nënkryetar i LSI Tiranë.

Ervin Salianji, renditet i treti në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së, për Qarkun e Korçës. Edukimi i tij në arsimin e lartë është kryer në Universitetin Europian të Tiranës, ku ka ndjekur studimet bachelor, master shkencor dhe doktoraturë për Drejtësi. Brenda këtij universiteti ka mbajtur detyrat e Presidentit të Qeverisë Studentore dhe President i ALUMNI-t. Pas mbarimit të studimeve, në vitet 2011-2015 ka qenë avokat i Qytetit, Bashkia Tiranë, si dhe lektor me kohë të pjesshme në UET.

Angazhimi i tij politik brenda PD-së është disavjeçar, ku ndër të tjera ka mbajtur disa poste dhe ka qenë deputet. Gjatë viteve 2013-2015 ka qenë drejtues departamenti dhe anëtar i Këshillit Kombëtar në PD. Po në këtë vit ka kandiduar për kryetar të FRPD-së. Gjatë viteve 2015-2017 ka qenë Sekretar për Aksionin Qytetar. Në zgjedhjet e 2017 u zgjodh deputet nga lista shumëemërore e PD-së për qarkun Korçë. Pas djegies së mandateve nga opozita, rikthehet në zgjedhjet e 25 prillit në të njëjtin qytet, për një mandat tjetër.

Grisejda Myslimi, e dyta në listën e kandidatëve të LSI-së për Qarkun e Vlorës. Pas mbarimit të bachelorit për Ekonomi në Universitetin “Ismail Qemali”, ajo ndoqi studimet në master shkencor në degën në Financë- Bankë, profili “Bankë dhe Tregje Financiare” në Universitetin Europian të Tiranës. Me mbylljen e dy vjeçarit, Myslimi mori një propozim prej universitetit për të punuar si Asistent/Lektore, pranë Departamentit të Financës dhe Ekonomiksit, Fakulteti Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, ku prej 6 vitesh qëndron në auditorët e tij. Aktivizimi i saj brenda LSI-së është i hershëm, e influencuar edhe nga prindërit e saj, të cilët kanë qenë pjesë e kësaj partie që prej themelimit.

Halit Valteri mban numrin 35 në listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës, tashmë nën siglën e PS-së. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Europian të Tiranës. Aktiviteti i tij profesional ka qenë kryesisht në sektorin privat. Lidhur me angazhimin e tij politike, fillimisht ka qenë pranë PD-së dhe ka mbajtur postin e kryetarit të FRPD-së, në njësinë 7, Tiranë. Në zgjedhjet e 2017-ës, Valteri ka qenë i përfshirë në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë të PD-së, i renditur i 41-ti. Me djegien e mandateve nga opozita dhe daljen nga Parlamenti, Halit Valteri pranoi mandatin e deputetit, duke u bërë kështu pjesë e asaj që u quajt më vonë opozitë parlamentare. Në tetor të 2020, do të ishte një nga 4 deputetët e opozitës së re, që do të themelonin partinë politike Lëvizja Demokratike Shqiptare. Por pavarësisht këtij projekti, në zgjedhjet e 25 prillit, Valteri do të jetë kandidat i PS-së, i renditur i fundit në listën e saj.

Ina Zhupa është renditur e dyta në listën e kandidatëve të PD-së, për Qarkun e Vlorës. Është ndër të paktat kandidate, që lë qytetin e lindjes për të përfaqësuar një qytet tjetër. Ka mbaruar bachelor në degën Politikë dhe Qeverisje dhe master shkencor në Teori Politike në Universitetin e Tiranës. Pas një masteri të dytë për Komunikimin Politik të ofruar nga Universiteti La Sapienza Romë, ka mbrojtur titullin e doktorantes në Shkencat Politike, në Universitetin Europian të Tiranës. Ka mbajtur detyrën e Dekanes së Studentëve dhe Drejtueses së Zyrës së Karrierës në UET, si dhe ka punuar si pedagoge në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Sa i përket angazhimit të saj politik, ka qenë gjithmonë brenda PD-së. Ka qenë koordinatore kombëtare, anëtare e Këshillit kombëtar PD, anëtare kryesie dhe së fundi zëdhënëse e PD-së. Për herë të parë përfshihet në listat e kandidatëve për deputetë, duke u renditur në një pozicion mjaft të favorshëm.

Kandidadë të tjerë studentë apo të diplomuar në UET

Aurela Kalivaçi,  nr.6 në listën LSI-së për Qarkun e Beratit

– Eueda Molla, nr.6 në listat e PS për Qarkun e Lezhës

– Erald Alika, nr.5 në listën LSI për Qarkun e Gjirokastrës

Besmir Gropa, nr.18 në listën e LSI për Qarkun e Fierit

– Endri Pepa, nr.14 në listën e PS në Qarkun e Elbasanit

Eriona Bizha, nr.13 në listën e LSI për Qarkun e Tiranës

– Sara Kau, nr.27 në listën e LSI për Qarkun e Tiranës

Alert Zhurda, nr. 34 në listën e LSI për Qarkun e Tiranës/Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back