Kryesore

Udhëkryqet e Bashkimit Europian

               Publikuar në : 09:00 - 12/02/20 Xhezair Zaganjori

Xhezair Zaganjori

Rreth tre javë më parë, më 22 janar të këtij viti, Presidentja e re e Komisionit të Bashkimit Europian Ursula Von der Leyen deklaroi synimin e institucionit që ajo drejton për organizimin e Konferencës mbi të Ardhmen e Europës. Për herë të parë, ideja e organizimit të kësaj konference doli si produkt i konsultimeve të rregullta ndërqeveritare franko – gjermane, të organizuara këtë radhë në Paris, në nëntor të vitit që kaloi. 1) Konferenca e re do të shpallet zyrtarisht më 9 maj të këtij vitit, në kuadër të 70 vjetorit të Deklaratës së Shumanit mbi krijimin e Komunitetit të Përbashkët të Qymyrit dhe çelikut (9 maj 1950) si dhe 75 vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore (9 maj 1945). Ajo do të paraqitet si projekt i përbashkët madhor i tre prej institucioneve kryesore të Bashkimit: Komisionit, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave. Punimet e saj do të zgjasin dy vjet, pra deri në pranverën e vitit 2022. Të tre këto institucione po punojnë për të përgatitur një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës do të përcaktojnë më qarte e më mirë strukturën, fushat e angazhimit, modalitetet, fazat, parimet dhe objektivat e kësaj konference. Nje rol të rëndësishëm në këtë drejtim, do të luajë edhe presidenca aktuale kroate në Këshillin e Ministrave. Megjithatë, në parim është rënë dakord që të ketë dy grupe të mëdha pune. I pari do të merret me angazhimet kryesore apo prioritetet e punës së Bashkimit Europian, si: Ndryshimet e klimës dhe mbrojtja e ambientit; Mbrojtja e dimensionit të vlerave të BE (parimet e demokracisë, të shtetit të së drejtës, të drejtat e njeriut, e të tjerë); Garantimin e nje tregu të përbashkët që është pranë kërkesave e nevojave të qytetarëve; Barazia dhe drejtësia sociale; Përshtatja më e mirë me revolucionin  dixhital; Rritja e fuqizimi i vendit dhe rolit të BE në rendin botëror, e të tjerë.  Grupi i dytë i punës do të merret me çështjet e ndryshimeve të mundshme me natyrë institucionale, duke i bërë institucionet më transparente, me efiçente dhe më pranë interesave të qytetarëve europiane. Tek këto interesa e vuri theksin edhe von der Leyen në deklaratën e saj, duke shtuar ndër të tjera se “… Njerëzit duhet të jenë në qendër të të gjithë politikave tona. Ndaj do të doja shumë që të gjitha vendet europiane të japin kontribut aktiv në Konferencën mbi të Ardhmen e Europës dhe të luajnë një rol drejtues në përcaktimin e prioriteteve të Bashkimit Europian. Vetëm së bashku ne mund të ndërtojmë një Bashkim të së ardhmes”.

Pikërisht për këto arsye, krahas angazhimit të drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian përmes tre prej  institucioneve kryesore të saj si dhe qeverisë e parlamenteve kombëtare, është  planifikuar të ketë edhe gjashtë forume të zgjeruara qytetare (me emrin agora…) , të cilat do të mbahen në qytete të ndryshme europiane. Në këto forume do të ketë përfaqësues të shoqërisë civile të të gjithë shteteve anëtare. Ato do të diskutojnë çështje të ndryshme me natyrë politike dhe funksionale të kësaj reforme të rëndësishme. Rekomandimet e tyre do ti përcillen më pas Konferencës mbi të Ardhmen e Europës.

Padyshim që reforma e thellë që mendohet të bëhet imponohet nga shumë rrethana e faktorë. Ndër të tjera mund të përmenden:

Së pari, problemet apo impakti i ndryshimeve në anëtarësi. Në këtë aspekt, çështje kryesore mbetet largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian dhe dilema e madhe me shumë të panjohura që mbart me vete rregullimi i marrëdhënieve me të, si për sa i përket çështjeve të Brexit ashtu edhe raporteve mes tyre në të ardhmen. Jo pa rëndësi janë edhe hapësirat apo problemet që krijohen natyrshëm për shkak të këtij largimi si në kuadër të tregut, ashtu edhe në atë të ndërtimit dhe funksionimit institucional. Siç ndodh rëndom edhe brenda një çifti, përballë kemi dy pale që kanë pasur një bashkëjetese normale për 48 vite me radhë, por tani papritur e në  mënyrë paradoksale “kanë frikë” dhe  “i tremben” suksesit të palës tjetër në periudhën pas një divorci në dukje të pakthyeshëm. Nga ana tjetër, Bashkimit Europian i duhet të mos ndalë në asnjë mënyre zgjerimin me anëtarë të rinj. Në këtë drejtim sigurisht që në kushtet aktuale, prioritet ka Ballkani Perëndimor. Anëtarësimi pa vonesë i vendeve të këtij rajoni padyshim që do të jetë një vlerë e shtuar edhe për vetë BE, pavarësisht nevojës së forcimit të kritereve të pranimit apo përshtatjes me metodologjitë e reja lidhur me funksionimin e saj.  E në kuadër, sigurisht që mund të mendohet edhe krijimi i një Europe me dy apo edhe tre shpejtësi ose nivele, ide të hedhura që në vitet 60 të shekullit të kaluar nga ish Presidenti francez De Gol.

Së dyti,  problemet e shumta që shtete të ndryshme anëtare kanë pasur në vijimësi lidhur me respektimin e parimeve kryesore të shtetit të së drejtës, si përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ashtu edhe çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në shtetet anëtare, pavarësisë së gjykatave, lirisë së shprehjes, tendencave politike  të dukshme me natyrë populiste, antidemokratike, raciste, nacionaliste e antisemite. Këto tendenca janë vënë re vitet e fundit jo vetëm në anëtarësinë relativisht të re të Bashkimit Europian, por edhe në vende anëtare me demokraci te konsoliduar. Ndërkaq, reagimi efektiv i BE ndaj këtyre fenomeneve të dëmshme, që cenojnë dukshëm vlerat më të rëndësishme të saj të përcaktuara në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Europian, mbetet minor. BE nuk ka mjete apo organe te posaçme ligj zbatuese. Nuk ka ushtri, polici apo gardën e vet “kombëtare”.  Garancitë e nenit 7 të Traktatit të Bashkimin Europian për vendosjen e dialogut politik të institucioneve kryesore të BE (Komisionit dhe Këshillit) me shtetin anëtar respektiv që shkel dukshëm edhe traktatet, vlerësohen qartësisht si të pamjaftueshme. Edhe roli i Gjykatës Europiane të Drejtësisë mbetet shume i kufizuar në këto çështje, pavarësisht disa vendimeve të saj të fundit lidhur me probleme të shtetit të së drejtës.

Së treti, ndryshimet e nevojshme institucionale, për ti përshtatur ato në përputhje me kërkesat që imponon koha. Vlerësohet se kjo është më se e nevojshme jo vetëm për të reaguar ndaj problemeve lidhur me legjitimimin demokratik, por mbi të gjitha me realizimin efektiv të detyrave që u ngarkojnë atyre traktatet e Bashkmit Europian, si:  Zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë moderne, ku BE e ka për detyrë të jetë në pararojë; çështjet e mbrojtjes, sigurisë dhe rritjes së peshës dhe të rolit të BE si lojtar i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke qenë gjithnjë në bashkëpunim e partneritet të ngushtë me ShBA; çështjet e punësimit, barazisë, mos diskriminimit, mbrojtjes së ambientit dhe rritjes së vazhdueshme të mirëqenies së qytetarëve europiane; çështjet e azilit dhe migracionit… Realizimi i tyre kërkon padyshim mendësi e ndryshime të mëdha. Shtetet anëtare duhet të jenë të gatshme të delegojnë në drejtim të Brukselit porcione edhe më të mëdha e më të rëndësishme të sovranitetit të tyre, bazuar në rregullimet kushtetuese respektive të shteteve anëtare. Projekti ambicioz i Presidentit Makron mbi Europën e konsideron këtë moment si jetik për vetë ekzistencën dhe dinamikën e zhvillimit të kësaj organizate.

Së katërti, kërkohet rritja e dukshme e reale e interesit dhe rolit të parlamenteve kombëtare si dhe e qytetarëve të Bashkimit për çështjet europiane. Më të drejte vlerësohet se në nivel kombëtar të çdo shteti anëtar, ka në masë të gjerë mosnjohje të institucioneve dhe problemeve të BE. Ka mefshtësi dhe përgjumje të shtresave të ndryshme të popullsisë ndaj kësaj organizatë, në një kohë që jeta e përditshme dhe perspektiva e zhvillimit është e lidhur ngushtë me të. Shqetësuese është veçanërisht indiferenca e rinisë. Edhe programet e veçanta e tepër të kushtueshme të BE për ndërgjegjësimin e saj për çështjet europiane, nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. Ndaj synohet një strategji e re në këtë drejtim, me më pak formalizëm e me më shumë substance, për të ndryshuar dukshëm jo thjeshtë mentalitetin, por mbi të gjitha gjetjen e formulave e praktikave të duhura për një angazhim dhe ndikim me të drejtpërdrejtë të saj në çështjet europiane.

Për sa më sipër, në pamje të parë mund të arrihet lehtësisht në konkluzionin se Konferenca mbi të Ardhmen e Europës ka si ambicie kryesore një rilindje të Europës. Një Europe të re që mbështetet në vlerat më të mira të saj dhe që është në shërbim të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Një Europë që mbron arritjet e padiskutueshme, por që nuk heziton njëkohësisht që të përmirësohet dhe të përballet me problemet dhe vështirësitë. Por në praktikë problemet kanë qenë thuajse gjithnjë jo kaq të thjeshta. Eksperienca e deritanishme është zhvilluar në një terren me luhatje të ndjeshme.  Ka pasur edhe formalizëm, zvarritje, propagandë të tepërt e burokraci pa fund. Interesat dhe mendimi i qytetarëve europiane është përdorur jo rralle thjeshte si sfond për legjitimimin e nismave të ndërmarra nga zyrat e BE në Bruksel.  Ndaj këtë radhe po mendohet e punohet seriozisht që gjërat të jenë disi më ndryshe, duke e parë të vërtetën në sy dhe ndërmarrë hapat konkrete për ndryshime pas konsultimeve përmbajtjesore që vijnë nga poshtë, që vijnë nga terreni dhe jeta e përditshme. Një nga filozofët më të shquar bashkëkohore, Jurgen Habermas, theksonte disa kohe më parë se “Europa nuk duhet dhe nuk e meriton të futet në korsenë e dredhive politike europiane…Ne nuk duhet të mbulojmë problemet dhe ti shmangemi përplasjeve, … duke groposur çdo mendim që synon ta çojë Europën përpara, ose duke u orientuar drejtë një procesi të mërzitshëm me biseda teknokratesh”.

Në fakt të bën përshtypje se në këtë linje mendimi është edhe një grup intelektualësh, gazetarësh e profesorësh të universiteteve të ndryshme në Bashkimin Europian. Në një letër të hapur drejtuar pak ditë më parë (3 shkurt 2020) organizatorëve të Konferencës, Presidentëve respektive të Parlamentit Europian, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave, ato theksojnë nevojën e një vlerësimi sa më të shpejtë e serioz të një sërë problemeve që kanë të bëjnë me formën dhe përmbajtjen e kësaj Konference, si një ushtrim demokratik i rëndësishëm, me impakt  të jashtëzakonshëm për Bashkimin Europian.   Shqetësim kryesor i tyre është përfshirja reale e qytetarëve europianë në këtë proces. Aty vihet në dukje se sot më tepër së kurrë, pas largimit të Britanisë nga BE dhe rritjes së skepticizmit të qytetarëve në shumë shtete anëtare, është më se e domosdoshme dëgjimi i mendimeve, halleve dhe problemeve të të gjitha shtresave të popullsisë së vendeve anëtare, qytetare e fshatare, intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë, shoqërisë civile dhe mekanizmave që punojnë e jetojnë me problemet e përditshme. Konkretisht përmendet nevoja e përgatitjes dhe organizimit sa më mirë të gjashtë asambleve qytetare në qytete të ndryshme europiane në vitet 2020 – 2021, me pjesëmarrjen aktive edhe të botës akademike europiane, të cilat duhet ti përcjellin Konferencës propozime konkrete  mbi reformat që do të ndërmerren. Për më tepër kërkohet me ngulm që ky dialog të mos jetë thjeshtë një proces ad hoc, por të jetë i vazhdueshëm  gjatë gjithë periudhës dy vjeçare të punimeve të Konferencës, duke i dhënë mundësinë zërit qytetar, veçanërisht rinisë, të elaborojë qëndrimet e të këtë edhe të drejtë vote në  takimet plenare të këtij forumi.  Sigurisht që nisma për organizimin e Konferencës mbi të Ardhmen e Europës ndodhet tashmë në hapat e saj të parë. Shpresohet shumë që ajo do të dijë të ndërmarre reformat e duhura për tju përgjigjur si duhet sfidave jo të pakta me të cilat përballet aktualisht Bashkimi Europian.

Kjo nismë e re nuk duhet të ngatërrohet me Konventën mbi të Ardhmen e Europës të organizuar në vitet 2001 – 2003, që prodhoi Projekt – Kushtetutën e BE, e cila dështoi më pas për shkak të mos ratifikimit të saj nga Franca dhe Holanda. Referendumet e organizuara në këto dy vende në vitin 2005 i thanë jo këtij projekti, megjithëse idetë apo risitë e tij kryesore u rifutën në kuadrin kushtetues (traktatet) e BE-së. /Gazeta Liberale

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back