Kronikë

U tha se ishte "shënjestër" e Laert Haxhiut, flet avokati Doga: Kush ka ndërmend të më vrasi, le të vijë! Tafanin e kam kushëri

Shkruar nga Liberale
U tha se ishte "shënjestër" e Laert Haxhiut, flet avokati

Avokati Adriatik Doga ka folur për atentatin që ishte planifikuar për të, nga Artan Tafani, i penduari i drejtesisë dhe njëkohësisht pjesëtar i bandës së Laert Haxhiut.

Ai pretendon se gjatë punës si avokat nuk është ndjerë asnjëherë i kërcënuar nga Marius Tafani, duke shtuar se përpara arrestimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, ata kanë pirë kafe se bashku sepse sipas tij janë edhe kushërinj.

Sipas Dogës, Artani Tafani është konsumator i lëndëve narkotike dhe duhen parë rrethanat e deklaratave të tij përpara prokurorisë. Mes të tjerash avokati ka thënë se me Laert Haxhiun nuk ka njohje personale dhe asnjëherë nuk ka pasur konflikte as me çështjet e tij dhe as me grupin rival, atë të Aldo Bares.

Në një deklaratë të dhënë për mediet, Doga ka mohuar gjithçka që është thënë për atentatin e planifikuar për të.

Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, e kam marrë vesh nga konferenca për shtyp e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Rrumbullaku dhe jam shokuar. Në momentet e para nuk është se përjetova ndonjë gjë, thashë ç’është ky trillim?! Pastaj duke marrë telefonatat e njerëzve dhe duke parë se çfarë ishte shkruar në portale, sigurisht që frikësohesh. Është hall më vete dhe sqarimi i familjes dhe miqtë sa arrijnë deri aty që më thonë se më është bërë tre herë atentat. Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar dhe nuk më ka marrë ndonjë njeri në telefon.

Në asnjë rast prej 10 vitesh nuk kam pasur asnjë ofendim. Asnjë përplasje dhe marrëdhënie me Laert Haxhiun. Kam qenë avokat i Mariusit, e kam dhe kushëri. Mamaja ime gjyshen e Marjusit e ka vajzë halle. Kemi qenë në çdo sebep familjar. Edhe kur ia vranë të atin, e kemi mbajtur në krahë.  Edhe para tre muajsh, ka qenë për të pirë kafe te lokali im. Gjyshja dhe xhaxhai i Marjusit e kanë shtëpinë këtu afër. Edhe kur u arrestua, xhaxhai më tha mua për avokat. Ditën tjetër, doli që Marjusi donte të më vriste.

Nuk kemi asnjë kontakt me policinë, nuk ka marrë asnjë në telefon. Të parët jeni ju gazetarët. Unë mbrojtje për veten time nuk kërkoj, e mbroj vetë veten time. Unë duhet të mbrohem nga shteti si taksapagues. Nëse shteti e ndien, le të më mbrojë. Kush ka ndërmend të më vrasë le të vijë. Nuk i kam hyrë askujt në hak. Kam qenë mbrojtësi ligjor i Lul Arapit. Marjusin e kam klient. Kush ka dashur mbrojtjen time ligjore, në këmbim të pagesës e kam bërë.”- ka thënë Doga.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH