Globi

U plagos gjatë tensioneve në Zveçan, i amputohet këmba ushtarit hungarez të KFOR-it

Shkruar nga Liberale
U plagos gjatë tensioneve në Zveçan, i amputohet këmba

Gjendja e dy ushtarëve hungarezë  të KFOR-it, të plagosur gjatë përplasjeve në Zveçan më 29 maj, vijon të mbetet e rëndë. Mediat hungazereze, referuar njoftimit të Ministrisë, shkruajnë se njërit prej të plagosurve i është hequr një prej gjymtyrëve, pas një konsuktimi paraprak me pacientin.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë, transmeton Telegrafi.

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave kishte konfirmuar se nga eskalimi i gjendjes në veri më datën 29 maj mbetën të plagosur 30 ushtarë.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit”, kishte konfirmuar KFOR-i.

Aktualisht, situata në katër komunat veriore, Zveçan, Mitrovicë e veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq raportohet të jetë e qetë, ndërkohë KFOR-i dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të kenë trupa të shtuar në këto komuna.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH