Globi

U nis nga Spanja në këmbë për të parë Botërorin e Katarit, kaloi në Shqipëri... “Don Kishoti modern” arrestohet në Iran

Shkruar nga Liberale

Ëndërrimtar dhe aventurier si Don Kishoti, por pa parzmore dhe pa shpatë. Në vendin e tyre, ai pastron rrugët dhe mbjell pemë kudo që shkon, gjatë shëtitjeve nëpër botë. Santiago Sànchez Cogedor, 40 vjeç, u largua nga Alcalà de Henares, qyteti i Miguel de Cervantes Saavedra, në janar, për të shkuar në këmbë deri në Katar, me qëllim për të ndjekur nga afër Kampionatin Botëror të futbollit.

Por më 2 tetor ai u ndalua në kufirin midis Iranit dhe Kurdistanit, madje për tre ditë kishte humbur. Të enjten, pas lajmeve të para të transmetuara nga televizioni Iran International, mësohet se ai po mbahet në një burg të Teheranit. Spanjolli u arrestua dhe u dërgua në burg, sepse vizitoi varrin ku prehet Masha Amini, vajza e vrarë nga policia islamike më 16 shtator për mos-mbajtjen e duhur të mbulesës islame.

Santiago u dërgua në burg së bashku me përkthyesin e tij. Autoritetet në Teheran i raportuan ambasadës spanjolle se nuk ka asnjë akuzë ndaj tij dhe kjo lë të kuptohet se ai duhet të lirohet së shpejti, pasi të përfundojnë procedurat. “Atmosfera është e ngrohtë, gjithçka në rregull”, ishte mesazhi i fundit i tij dërguar një miku më 2 tetor në Whatsapp. Pastaj heshtja dhe ankthi i familjes. Motra e tij, Natalia, tha: “Vëllai im po udhëtonte. Nuk ka asnjë lidhje me atë që po ndodh në Iran”.

Santiago është një ish-ushtar i cili, pasi mori pjesë në finalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite në vitin 2019, kishte planifikuar këtë udhëtim maratonë për të arritur në Katar me qëllim për të ndjekur Kupën e Botës. Ai është një tifoz i Realit dhe u nis me një karrocë, ku edhe mbante një flamur spanjoll, mbushur me rroba, libra dhe mban një tendë për të fjetur. Pasi kaloi përmes Francës, Italisë, Greqisë, Shqipërisë, Turqisë dhe Irakut, më 1 tetor ai kaloi kufirin për t'u nisur drejt Kurdistanit iranian.

Në profilin e tij në Instagram, ai ka 48,2 mijë ndjekës, ku edhe publikon pamje nga aventurat e tij. Një familje kurde e priti atë disa orë para arrestimit: I kemi ofruar ushqim. Na kërkoi një peshqir për të bërë dush”.

Mesazhi i fundit i dërguar familjes ishte qetësues: “Nesër do të shkoj në Teheran. Ata do të më intervistojnë për një raport”. Në Facebook, një foto e hyrjes së tij në Iran, ku shfaqej i buzëqeshur. Kurse në një video në fillim të aventurës, ai deklaroi: “Po shkoj në Doha në këmbë, për të mbështetur kombëtaren spanjolle”. Gjithsesi, edhe “Don Kishoti” i Servantesit u përball me të papritura të shumta gjatë aventurave të tij.

Kampionati Botëror do të nisë më 20 nëntor me ndeshjen Katar-Ekuador.  /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH