Pak momente pasi është arrestuar Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, si dhe një tjetër zyrtare e kësaj ministrie nën akuzë për korrupsion, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Rama.
Kryeministri Edi Rama, i cili vijon në turin e tij të falënderimeve në Tiranë, u shpreh se është e tmerrshme mungesa e sensit të etikës dhe të bihet në këtë nivel.
“Pak më parë dëgjova një lajm.”
“Një sekretare e përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë. Ana e pëlqyeshme e medaljes është që kapet një zyrtar që nuk është i denjë që të qëndroje në zyrë shteti. Uroj që të ketë më shumë të tilla, por nuk uroj që sa më shumë njerëz të bëjnë gjëra të tilla”.
“Mungesa e sensit të patriotizmit, detyrës, etikës, në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë nivel, është e tmerrshëm”, tha Rama.
Bashkë me sekretaren e përgjithshme të Minsitrisë së Shëndetësisë, në pranga ra edhe një specialiste e kësaj ministrie.