Aktualitet

Tutela amerikane e SPAK

Shkruar nga Liberale
Tutela amerikane e SPAK

Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet të marrë jetë zyrtarisht më 19 dhjetor, kur tetë prokurorët e zgjedhur do të betohen tek Presidenti.  Një ditë më pas, siç ka njoftuar kreu i KLP-së, shkrihet Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, megjithëse ende nuk ka marrë formë Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, që do të gjykojë zyrtarët e korruptuar. Por edhe pse formalisht shënohet ngritja e një tjetër institucioni të drejtësisë së re, ajo nuk do të nisë punën konkretisht, pa marrë më parë trajnimin e  35 prokurorëve amerikanë, ndërsa ShBA duket se po mbron investimin e saj

Më 19 dhjetor, kur  tetë prokurorët e zgjedhur do të  betohen tek presidenti, merr jetë zyrtarisht edhe e shumëpritura Strukturë e Posaçme Antikorrupsion, institucioni i ri i krijuar  nga Reforma në Drejtësi që  do të hetojë dosjet e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.

Fillimisht SPAK do ta nisë punën me gjysmë kapaciteti dhe ende pa pasur Byronë Kombëtare të Hetimit, por megjithatë kjo nuk  ka ndaluar që në po të njëjtën datë të pushojnë së ekzistuari Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa KLP ka nisur transferimet e prokurorëve, mes tyre Donika Prelën, aktualisht në krye të kësaj prokurorie dhe Arta Markun, ish-kryeprokuroren e përkohshme të Përgjithshme.

Ndërsa një ditë përpara betimit tek Presidenti, KLP do të intervistojë tre kandidatë që kanë shprehur  ambicien për të  qenë në krye të SPAK,  ambasada e ShBA-së në Tiranë përmes një videoje ka njoftuar dje se anëtarët e prokurorisë speciale do të trajnohen nga  35 prokurorë që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nisur nga kritikat e opozitës, por edhe të presidentit Meta për kapje të Reformës në Drejtësi nga maxhoranca, duket se ShBA duan të sigurojnë investimin e tyre prej 2 milionë dollarësh.

Në vazhdën e videove informuese rreth institucioneve të reja të Drejtësisë dhe vetë Reformës, ambasada e ShBA-së në Tiranë ka shpjeguar dje hapin e radhës, si edhe ka paralajmëruar edhe njëherë “të paprekshmit” dhe “bosët e krimit” , të cilëve po u vjen fundi.

“Me t’u ngritur, do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit të lartë. Kjo video tregon se si mbështetja prej 2 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara po përdoret për të siguruar që SPAK do të ngrihet dhe do të funksionojë në mënyrë të pavarur”, shpjegon ambasada amerikane, e cila siguron se ShBA po ndërton kështu themelet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

“Këshilltarët ligjorë të Ambasadës së SHBA po punojnë me institucionet shqiptare të drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë për të zhvilluar themelet e SPAK dhe do të mbështesim hetimet dhe ndjekjet penale.  Rregullat do të ndërtojnë një proces të bazuar në meritë dhe garanton promovime që janë të lira nga ndërhyrje politike apo të ndonjë lloji tjetër të papërshtatshëm”, thuhet në njoftim duke zbuluar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojë mbikqyrje për raste hetimore.

Sipas kësaj videoje aktualisht po punohet  nëpërmjet programit të Partneritetit Nju Xhërsi/ Shqipëri për të identifikuar 35 prokurorë dhe hetues nga Nju Xhërsi dhe federalë për t'u trajnuar mbi legjislacionin e ri penal shqiptar.

“Nga fillimi i vitit 2020, prokurorët amerikanë do të ofrojnë trajnim për SPAK mbi çështje të tilla si lufta ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, trafikimit të njerëzve”, përfundon njoftimi i SHBA.

Por ndonëse kreu i KLP-së Gent Ibrahimi ka bërë të ditur se me 20 dhjetor  nisin punën zyrtarisht  tetë prokurorët e zgjedhur të SPAK dhe shkrihet Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, duket se gjithçka do të jetë krejt formale të paktën deri në përfundim të trajnimit me prokurorët amerikanë.  E  po ashtu megjithë dosjet e nxehta që presin hetimin nga SPAK nuk do të jetë e mundur pa u krijuar më parë Byroja Kombëtare e Hetimit, që ende nuk ka nisur të marrë formë dhe vetë Prokuroria Speciale po e nis punën me gjysmën e prokurorëve,  ndërsa të tjerët do të duhet të kalojnë më parë vetingun.

“Me datën 19 do të fillojnë punë  tetë prokurorët që kemi zgjedhur. Kur bëhet fjalë për ristrukturim nuk shohim kërkesat e prokurorëve, por nevojat e sistemit. Nevojat më të mëdha janë më shumë në Tiranë, por edhe në Durrës ka probleme. Problemet në Tiranë janë më të mëdha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë ligjërisht si prokurori karriere. Jo të gjithë kanë shkuar në SPAK”, do të thoshte Ibrahimi, ndërsa lista e transferimeve përveç Markut dhe Prelës përfshin prokurorë si Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj, Vladimir Mara e shumë të tjerë. Vendimet e KLP-së, do të hyjnë në fuqi më 19 dhjetor ka bërë të ditur Ibrahimi, ndërsa çështjet do t’u kalojnë prokurorive dhe gjykatave të rretheve.

Ndërsa mbëritja e SPAK e paralajmëruar në fillim të vjeshtës nga kreu i KLP-së vonoi, Ibrahimi pak kohë më parë lajmëronte se procesi i  krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të jetë nën varësinë e SPAK, do të jetë i gjatë. Vetë Ibrahimi parashikonte mbingarkesë të këtyre tetë prokurorëve që do të përbëjnë fillimisht SPAK, që parashikohet të ketë në total 15 prokurorë.

Ibrahimi gjithashtu do ta paralajmëronte publikun se do të duhet të presin, pasi anëtarët e BKH-së pasi të përzgjidhen përmes kritereve dhe testimeve nga një komision i posaçëm , do t’u nënshtrohen trajnimeve nga forcat speciale amerikane të FBI për disa muaj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe Përfaqësuesi i Posaçëm për Ballkanin, Mattheë Palmer do  të lajmëronte gjatë vizitës së tij në Tiranë, gjatë muajit prill, se zyrtarët e korruptuari do të duhet t’i druhen Reformës në Drejtësi.

Sipas Palmer-it, Reforma në Drejtësi ishte jo vetëm një investim i ShBA-së , por edhe zemra dhe shpirti i të gjithë përpjekjeve për reforma në Shqipëri.

“Jemi të përkushtuar për të punuar për t’i forcuar këto institucione dhe për t’u siguruar që askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk i largohet llogaridhënies, e se pavarësisht çfarë burimesh përdorin dhe sa parà kanë, ligji do të aplikohet në mënyrë të barabartë, që ligji do të aplikohet drejt dhe të gjithë japin llogari”, do të thoshte Palmer, ndërsa kryeministri Rama është shprehur në disa raste se Reforma në Drejtësi nuk diskutohej, por vetëm pranohej. Edhe pse pak ditë më parë do të propozonte  Paketën AntiKÇK, kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar që vijojnë të përfitojnë përmes vendimeve korruptive në system.

Pas zgjedhjes së Olsian Çelës si Prokuror iPërgjithshëm , me mandate 7 vjeçar, betimi i prokurorëve të SPAK do të shënojë edhe institucionin e dytë të Drejtësisë së Re, edhe pse  ende nuk është i plotë, nuk ka strukturën në varësi si BKH që do të merret me hetimet e dosjeve të nxehta, siç edhe ka lajmëruar më herët kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mbi të gjitha do të duhet t’i nënshtrohet trajnimeve me prokurorë amerikanë, si një vulë garancie që ShBA dëshiron t’i japë Reformës në Drejtësi.

Kritikave të opozitës se kryeministri po tentona ta kapë reformën dhe atyre të presidentit Meta që e ka etiketuar si “Ramaformë” duke shënuar edhe përplasjet me Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dy anëtare për një vend dhe kallëzimit penal që kreu i shtetit i bëri kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të ngarkuarën me punë të ShBA-së në Tiranë Reforma në Drejtësi po funksionon me sukses dhe se zbrazja e Gjykatës Kushtetuese është tregues. Në tre vite pas miratimit në Kuvend, me vota unanime, Reforma në Drejtësi ka vetuar më shumë se 15 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit dhe është pranë ngritjes së institucioneve të reja, edhe pse Kushtetuesja është në një ngërç që do të zgjidhet nga vetë ajo kur të jetë plotësuar me anëtarët e nevojshëm për quorum dhe Gjykata e Lartë ka aktualisht vetëm një anëtar, Ardian Dvoranin  që është kallëzuar në prokurori nga kreu i Shtetit.

Ngritja dhe funksionimi i SPAK, që shkriu me krijimin e tij Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda do të thotë edhe ngritjen e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, e cila do të gjykojë çëshjet e  hetuara nga SPAK.

Megjithëse në strategjinë e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit parashikohej të ecej paralelisht me proceset e KLP-së, e cila në dhjetor shënoi ngritjen e dy institucioneve, deri më tani kjo gjykatë nuk është konstituar.

Ajo që dihet është se çështjet që janë në gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me korrupsionin ose krimin e organizuar,  mbeten sërish në kompetencën e Gjykatës së Posaçme.

Vitin e kaluar, KLGJ njoftonte se kishte nisur procedurën për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke i hapur rrugë krijimit të këtyre gjykatave.

Pranë KLGJ-së kanë dhënë pëlqimin 14 nga 15 gjyqtarë të cilët ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ndërkohë nga 11 gjyqtarë që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, kanë dhënë pëlqimin 8 gjyqtarë.

Por që Gjykata Speciale të marrë jetë, do të duhet që në dyert e saj të kenë mbërritur dosjet e para të hetimeve mbi zyrtarë të korruptuar apo të përfshirë në krimin e organizuar apo “peshqit e mëdhenj”, siç do t’i emërtonte kohë më par ëish-ambasadori amerikan Donald Lu. Por për të mbërritur deri aty, edhe pse SPAK po merr formë zyrtarisht, do të duhet kohë që të shihen rezultatet, edhe pse Bundestagu Gjerman e ka renditur mes nëntë kushteve prioritare për çeljen e negociatave.

Funksionet e SPAK dhe BKH

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe Gjykatës së Lartë, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj.

Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj

Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.

Byroja Kombëtare e Hetimit ka në përbërje të saj hetuesit dhe Shërbimet e Policisë Gjyqësore sipas këtij ligji. 3. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetuesit dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore drejtohen dhe kontrollohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokuroria e Posaçme janë kompetente për të shqyrtuar, hetuar dhe ndjekur penalisht çdo vepër penale, sipas pikës 1, të këtij neni, edhe në rastet kur nuk ngrihet akuzë kundër një zyrtari, sipas nenit 135, pika 2, të Kushtetutës, ose kundër një drejtuesi të një institucioni qendror ose të pavarur, sipas këtij ligji, ose nëse ai zyrtar publik ose zyrtar i lartë largohet gjatë kohëzgjatjes së hetimi.

Ibrahimi: Nga  20 dhjetori, nuk do ketë Pokurori dhe as Gjykatë të Krimeve të Rënda

Një javë nga ngritja e SPAK KLP vendosi  transferimin në Prokuroritë e rretheve të prokurorëve të Krimeve të Rënda që kanë mbajtur në duar edhe dosjet më të bujshme të drejtësisë në vend. Ibrahimi tha se ky transferim nuk është bërë duke marrë pëlqimin e prokurorëve, për shkak se parësore është struktura dhe jo interesat individuale.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është shprehur se me datë 18 Dhjetor do të intervistohen kanidatët për SPAK, Edvin Kondilli Arben Kraja dhe Altin Dumani. Ai tha se procesi i intervistimit të tyre do të jetë i ngjashëm me atë të kandidatëve për kryeprokuror. Ibrahimi deklaroi se SPAK do të jetë funksionale me datë 19, pavarësisht se nuk ka ende 10 anëtarë. Ndërsa për emërimin e prokurorëve në rrethe, Ibrahimi u shpreh se nuk është marrë pëlqëmi i tyre pasi është parësor sistemimi dhe jo interesi individual.

"Në datën 18 do bëjmë intervistat me 3 kandidatët. Dosjet e tyre janë tashmë në këshill. Do t'i dëgjojmë ata. Seancat dëgjimore do jenë publike. Metedologji rrjedh nga rregullorja jonë. Ne kemi marrë një vendim në bllok për të sistemuar në bllok këta  prokurorë. Caktimet e përkohshëm nuk kërkojnë pëlqimet e prokurorëve. Primar është sistemi dhe jo interesin individuale. Në datë 19 do fillojnë punën ata 8 prokurorë që kemi caktuar. Më pak do ketë më shumë se 10. Do ketë transferimin e disa drejtuesve të tjerë. Ne kur bëhet fjalë për ristrukturim neglizhojnë ambiciet personale. Këta prokurorë kanë shërbyer si prokurorë karriere. Ata do duhet t'i trajtojmë në një mënyrë që nuk i përgjigjet atyre. Pavarësisht problematikave të Durrësit, ngarkesa në Tiranë është më e madhe. Në datë 20 nuk do ketë prokurori dhe as gjykatë të Krimeve të Rënda.  Sot jemi para një situate se nuk kemi marrë një vendim individual për Donika Prelën por në kuadër të strukturimit", tha Ibrahimi./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH