Aktualitet

Turkut iu gjet blloku me emrat që do iu jepte lekë, reagon Luan Rama

               Publikuar në : 12:46 - 21/04/21 liberale

Pas procedimit penal të nisur ndaj shtetasit turk Abdul Gafur Balikci, i cili i kishte dhënë para një vlonjati me qëllim që të siguronte disa vota për LSI-në, në Vlorë ka reaguar edhe kandidati i kësaj force politike, i renditur i pari në listë, Luan Rama.

Në një postim në facebook, Rama i ka kërkuar Prokurorisë që të zbardhë të vërtetën dhe të zbatojë ligjin, pasi sipas tij kjo është një përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së.

Postimi i plotë:

Prokuroria të zbardhë të vërtetën dhe të zbatojë ligjin

Asnjë makinacion, asnjë përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, nuk mund t’i shpëtojë banditët e rilindjes nga humbja e 25 prillit.

Manipulimi mediatik i një lajmi të shitur qëllimisht nga segmente kriminale brenda strukturave të Policisë së Shtetit në Vlorë për shitje e blerje votuesish në emër të LSI-së nga ana e qytetarit Abdulgafur Balikçi, është vetëm përpjekja e rradhës që synon të trembë e frikësojë votuesit.

Abdulgafur Balikçi apo Gafuri siç e njohin në Vlorë është shtetas shqiptar, është qytetar shqiptar me origjinë turke që jeton dhe punon ndershmërisht me profesionin e tij si mjek stomatolog, i angazhuar me shumë pasion në rradhët e LSI-së pasi braktisi sektin e rilindjes, e mu për këtë arsye është vënë në qendër të këtij skenari përbaltjeje dhe manipulimi.

Organet e zbatimit të ligjit të kryejnë detyrën me korrekstësi.

Duke qenë besimplotë se prokuroria do ta zbardhë të vërtetën, besoj se do të marrë në përgjegjësi penale edhe oficerët e policisë që kanë ushqyer portalet me lajme të rreme e politikisht të paragjykuara, duke dëshmuar se militantët e rilindjes në rradhët e policisë së shtetit janë një segment kriminal i saj.

Nëse mjeku Abdulgafur Balikçi apo çdo qytetar tjetër është i implikuar në shkelje të ligjit, le të ndëshkohet sipas ligjit, por këtë nuk mund t’a bëjë policia duke shitur lajme të pa konfirmuara nga organi i akuzës dhe të pa vlerësuara nga gjykata.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back