Koment

Trump drejt rizgjedhjes, por Bloomberg mund t’a ndalë

               Publikuar në : 08:57 - 17/02/20 Alberto Alesina

Nga Alberto Alesina

 Siç thonte Mark Twain është shumë e vështirë të bëhen parashikime, mbi të gjitha rreth s‘ardhmes,  por un po kuturis të bëj një të tillë. Donald Trump do të fitojë zgjedhjet e nëntorit nëse Partia Demokratike nuk emëron ish-kryetarin e bashkisë së New Yorkut, Mike Bloomberg, si kandidat.

Përse? Fillojmë nga arsyet, në sajë të të cilave Trump ka mundësi shumë të mëdha për t’u rizgjedhur. Tradicionalisht, presidenti në fuqi  është i ndihmuar veçanërisht kur ekonomia shkon mirë, që do të thotë rritje e lartë dhe papunësi e ulët. Në këtë kah ekonomia ndihmon Trump-in, edhe duke tkurrur përshkrimet mahnitëse të presidentit, simbas të cilit Shtetet e Bashkuara kanë arritur një lloj Nirvane. Ka 11 vite që Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënie t ‘ekonomisë, por prej tyre vetëm tre ishin me Trump-in president. Treguesi i rritjes gjatë presidencës Trump është rreth 2,5 % dhe është i njëjtë me atë të viteve të fundit të Obamës e qëndron poshtë atij 3 % që quhet pak a shumë pika që ndan rritjen e lartë nga ajo e ulët, duke paraqitur mesataren e historisë amerikane të viteve të fundit. Jo vetëm kaq, por këta tregues rritjeje janë për çastin relativisht zhgënjyes duke mbajtur parasysh ngacmimin e fuqishëm fiskal të Trump-it. Jemi shumë larg nga 6 përqindëshi i hatashëm që premtonte. Papunësia është në minimumin historik të 3,6 përqind, por kur Trump-i u ngjit në qeveri ajo ishte 5 % dhe kishte prirje zbritëse. Pagat më së fundi po shtohen pak, rreth 0,4 % mbi inflacionin. Tregu aksionar ka shpërthyer.

Vështrimet më pak pozitivë t ‘ekonomisë amerikane janë të një periudhe më të gjatë e më pak të dukshme për votuesin mesatar. Duke lënë mënjanë politikat (kundër) mjedisore të Trump-it (për shembull një kundër reformë të sistemit të mbrojtjes së ujrave te pijshme të Vendit), mbetet borxhi publik që vazhdon të shtohet. Ulja e taksave për ndërmarrjet ka një kuptim, sepse ishin relativisht të larta. Por kësaj uljeje Trump-i duhej t’i pasonte shtimin e përparimit të sistemit taksor mbi familjet, duke pakësuar peshën mbi shtresat e ndërmjetme, duke mbyllur njëmijë kanalet me të cilët të mbi pasurit arrijnë të paguajnë përkatësisht pak taksa; veç shenjës së drejtësisë kjo gjë do të kishte nxitur më shumë edhe konsumet. Nga ana e harxhimeve Trump-i ka bërë shumë pak. Programi i ndihmës mjekësore falas për të gjithë të moshuarit të pasur e të varfër (Medicare) është një bombë me sahat për bilancin. Nuk është bërë asgjë. Ndërsa Trump-i po sulmon Medicaid-in, programin e ndihmës mjekësore falas për të varfrit që është një problem taksor shumë i lehtë. Përse? Sigurisht, të moshuarit votojnë Trump-in, veçanërisht në shtetet kryesorë si Florida, ndërsa të vobektit jo, madje ata shpesh nuk shkojnë as të votojnë.

Më pas është shtimi i pabarazisë në Shtetet e Bashkuara. Më 1980 një përqindëshi më i pasur kishte në dorë 10 % e t ‘ardhurave të përgjithshme, sot dyfishin, rreth 20 %. Gjysma më e varfër, gjithmonë në 1980, kishte 21 % të të ardhurave të përgjithshme, sot rreth 13. Është e habitshme se si në një Vend me një ecuri të tillë të pabarazisë, një pjesë e mirë e zgjedhësve vazhdojnë të ndihmojnë Partinë Republikane, për më tepër në një vit zgjedhor në të cilin madje Trump-i premton shkurtime të welfare amerikan. Arsyet janë dy: njëra e natyrës kulturore / historike, tjetra e lidhur me politikat e tanishme të dy partive e të kandidatëve demokratë.

Arsyeja e parë është që amerikanët, në kundërshtim me evropianët, janë më të prirur të pranojnë pabarazinë si një nevojë dhe brenda disa caqeve e quajnë “të drejtë”. Simbas World Value Survey (një sondazh opinioni shumë i vlerësuar) më shumë se 70 % e amerikanëve mendojnë se të varfrit nuk do të ishin të tillë nëse do të përkushtoheshin më shumë për të dalë nga varfëria, e këto mundësi të lëvizshmërisë shoqërore janë. Numri i evropianëve që kanë mendime të tilla është pak më shumë se gjysma (40 %). Ideja e “ëndrrës amerikane”, mbi të cilën ky Vend është krijuar historikisht mbetet e ngulitur në zemrat e shumë amerikanëve edhe më shumë se sa realiteti e vërteton sot. Natyrisht Trump-i rreh gjithmonë mbi këtë pikë, duke u vetë lavdëruar për rilindjen e “Ëndrrës”.

Arsyeja tjetër rrjedh nga strategjitë e dy partive, ngadhënjyese ato të republikanëve, rrënuese ato të demokratëve. Partia Republikane ka përqafuar kultin e personalitetit për Trump-in, i cili hakmerret pa mëshirë me ata që nuk janë të një mendjeje me të. Edhe krahu i partisë i të ashtuquajturës “verilindje”, pra krahu i elitës qytetare, lartëson një president që e mbron nga rishpërndarja e frikshme taksore. E pranon edhe me çmimin e mungesës së respektit për bazat e kushtetutshmërisë amerikane që po krijon precedentë mjaft të rrezikshëm për demokracinë amerikane.

Partia Demokratike është në çoroditje. Zgjedhjet parake kanë filluar me një duzinë kandidatësh, të cilët në pjesën më të madhe janë të panjohur dhe nuk bëjnë tjetër, veç rrëmujës. Dështimi organizativ i Iowa-s qe mbresëlënës. Ndërmjet kandidatëve të vërtetë janë dy ekstremistë (për standardet amerikane) Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren. I pari shpallet haptas socialist (një no starter për Shtetet e Bashkuara) dhe është një ideolog i stlit Corbyn që, me tone triumfuese dhe të tepruara, premton gjithçka pa shpjeguar se si do t’i financojë premtimet e tij të jashtëzakonshme. Trump-i bën tifo haptas për të, sepse e di se do t’a gëlltiste me një kafshatë, nëse ai do të fitonte paraket demokrate. Warren na thotë se si do të paguajë premtimet e saj: taksa të fuqishme mbi pasurinë, e taksa mbi rrogat e larta, (por jo shumë të larta), deri në 75 %. Është një program i pranueshëm përsosmërisht në Francë, por që nuk e çon n ‘asnjë anë në SHBA, e në fakt po shkon shumë keq. (Nuk është e rastit që këshilltarë ekonomikë të saj janë dy profesorë francezë të universitetit Berkeley, ekonomistë shumë të mirë, por me shumë pak perceptime të politikës amerikane). Kandidati i të moderuarve duhej t ‘ishte Joe Biden, por duket gjithnjë e më pak energjik, (Trump-i e quan me ndonjë arsye “Biden i ngadalshmi”). Ngjan pa ide dhe “i vjetër”, jo vetëm në kuptimin moshor të fjalës por edhe n’atë të “godinë e vjetër”; ka humbur thellësisht garat e para në Iowa e New Hampshire. Buttigieg  është një flakë kashte: mbasi ka marrë pak mijëra vota në ata dy shtete të vegjël flet si t ‘ishte Obama i ri pa thënë asgjë konkrete, veç disa premtimeve të paqarta, të mërzitshme e të përsëritura për “ndryshim”. Sa më parë të tërhiqet e të pushojë së ndari votën e moderuar, aq më mirë është për të dhe për partinë e tij. Ndërsa është shfaqur në skenë një senatore shumë e mirë e Minnesotës, Amy Klobuchar, që un do t’a shihja me shumë dëshirë si presidente, por ka gjasë që nuk do t’i a dilte e vetme kundër Trump-it. Mbetet atëherë meteori Bloomberg, që ka zgjedhur një strategji të re: mos pjesëmarrje në paraket fillestare në Shtetet e vegjël, për t’u përqendruar tek ata të mëdhenjtë që arrijnë mbas pak javësh, duke vënë në përdorim pasuri pa fund që e bëjnë të pavarur nga financuesit. A do të arrijë të fitojë emërimin?  Është e vështirë të parashikohet, por gjërat do të fillojnë të sqarohen mbas më pak se një muaji me “Mbi të Martën”, me parake në shumë Shtete të mëdha. Nëse Biden do të tërhiqej para “Mbi të Martës”, mbas ndonjë zhgënjimi tjetër në paraket, (Nevada e South Carolina) e t’i kalonte votat e tij tek Bloombergu, e nëse ky i fundit, Bloombergu do të zgjidhte relativisht shpejt Klobuchar-in, si nën presidente, (që është me origjinë të ulët e do të kundërpeshonte profilin e mbi të pasurit njujorkas) mund të fitonin paraket. Do të stërfitonin nëse Worren, kur të tërhiqej do të vendoste të kalonte votat e saj tek Bloombergu, meqë ajo është pranë qëndrimeve politike të Sandersit, por nuk e honeps si njeri. E gjithë kjo do të kërkonte në Partinë Demokratike një bashkërendim që nuk është. Ndoshta ndonjë fjalë e Obamës në këtë drejtim do të ishte shumë e dobishme për të shëruar kundërshtitë ndërmjet afro-amerikanëve e Bloombergut, të krijuara kur ishte kryetar bashkie i New Yorkut. Shkurt, besoj se një dyshe Bloomberg e Clobuchar do të ishte e vetmja që mund të mundte Trump-in dhe Pence-in.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika  

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back