Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilëson tronditëse e revoltuese dhënien e çmimit “Nobel” për shkrimtarin austriak, Peter Handke.
Në një mesazh në anglisht në “Twitter”, Basha thotë se kjo është një ditë e trishtë për vlerat tona.
“20 vjet më parë shërbeva si pjesë e ekipit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, që ngriti aktakuzën kundër Milosheviçit për krime lufte dhe gjenocid. Të shohësh çmimin Nobel të shkojë për dikë që mbronte dhe justifikonte autorin e tmerreve më të mëdha në Europë pas Holokaustit, është tronditëse dhe revoltuese. Ditë e trishtë për vlerat tona”, shkruan Basha në “Twitter”
Kujtojmë që Handke mbronte dhe justifikonte krimet e Sllobodan Millosheviçit në Europë.
Marrja e Nobelit për Letërsi nga Peter Handke ka ngjallur reagime të shumta mes shqiptarëve. /Gazeta Liberale