Editorial

Triumfoftë drejtësia që bota të mos shkatërrohet

Shkruar nga Liberale
Triumfoftë drejtësia që bota të mos shkatërrohet

Fiat iustitia ne pereat mundus!

Florian Çullhaj PhD

Fiat iustitia ne pereat mundus, fjalë për fjalë do të thotë, “Triumfoftë drejtësia që bota të mos shkatërrohet”, është një leitmotif shumë i famshëm që sot përbën bazën e jurisprudencës moderne. Si në versionin origjinal edhe në versionin e Ferdinandit të I-rë Habsburg, i cili thoshte: Fiat iustitia e pereat mundus, pra, “triumfoftë drejtësia dhe bota le të shkatërrohet”, po ashtu edhe në versionin e përdorur nga Kanti në veprën e tij, Mbi Paqen e Përhershme, drejtësia duhet të jetë baza e shoqërisë njerëzore, të paktën ajo në një sistem politik demokratik.

Atëherë, cilën formë drejtësie sociale duhet të marrim në konsideratë, si parim etik për ta sjellë shoqërinë shqiptare në shina legaliteti. Atë drejtësi që vjen me ndërmjetësim ndërsubjektiv apo atë drejtësi që është e aplikuar drejtpërdrejt nga pushtetari i radhës. Në kushtet që Shqipëria gjendet sot dhe me padrejtësinë galoponte që mbisundon thuajse në çdo ndërveprim ndërmjet shtetit dhe shoqërisë, parimi racional që do mëtonim të aplikohej është ai i Ferdinadit të I-rë; “triumfoftë drejtësia dhe bota (Shqipëria) le të shkatërrohet”! Por, a është ky parim i arsyeshëm, a është i legjitimuar nga arsyeja publike, a është i bashkëndarë në mënyrë që akëcili pushtetar të mos të gëzojë idenë se ka të vërtetën në xhep?

Këtyre pyetjeve do të rrekem t’i përgjigjem nëpërmjet një analize të hollë të Max Weberit, i cili qëndron brenda lëmit të aksiologjisë, ku qëllimi fundor i saj - përveç analizës filozofike të vlerave – është parashtrimi i dallimit midis qenies dhe të qenurit, si dhe të identifikojë “politeizmin vleror”. Sipas Weberit, duke u përballur me një botë që në vetvete nuk ka asnjë kuptim dhe për shkak të një gjendje çmagjepsje prej saj, u takon njerëzve që t’i atribuojnë asaj (botës) një kuptim. Njeriu i zhvendosi zotat dhe e transformoi botën në një mjedis të pastër të veprimit racional të tij. Për pasojë, nën këtë larushi dhe papajtueshmëri vlerash të reja, pranimi i një seti syresh çon domosdoshmërish në përjashtimin e një seti tjetër.

Max Weber këtë fenomen e quan “përplasje” vlerash, të cilin,  po ashtu e ndeshim edhe brenda të njëjtës sferë ndërveprimi. Gjegjësisht, në esenë e tij, Between Two Laws, Weberi analizon konceptin e “Politeizmit vleror”, - të cilin e huazoi pjesërisht nga John. S. Mill – koncept i cili, në sferën etike përthyhet nën formën e dualizmit midis etikës së parimeve, e quajtur edhe etika e qëllimeve fundore ose e bindjeve, dhe në etikën e përgjegjshmërisë. Forma e parë e etikës i referohet parimeve absolute, të cilat aplikohen pavarësisht nga pasojat që buisin syresh. Për shembull, etika fetare, etika e revolucionarëve etj., të cilët veprojnë mbi baza parimesh fikse, pa marrë në konsideratë pasojat që do të lindin prej tyre. Nga ana tjetër, ekziston etika e përgjegjshmërisë, e cila në të gjitha rastet merr parasysh marrëdhënien midis qëllimit, mjetit dhe pasojave.

Etika e përgjegjshmërisë vepron kurdoherë duke marrë parasysh pasojat e veprimit të saj, pra, marrja në konsideratë e pasojave është modus operandi i saj. Përkatësisht, etika e parimeve dhe ajo e përgjegjësisë janë dy etika të kundërta dhe të papajtueshme, të cilat i referohen dy mënyrave të ndryshme të të kuptuarit të politikës. SipasWeberit, etika e parimeve është përfundimisht, një etikë apolitike, siç dëshmohet nga cilido që vepron sipas parimeve të tij dhe pa pyetur nëse veprimi i tij mund ta shndërrojë botën. Përkundrazi, etika e përgjegjshmërisë është e lidhur pazgjidhshmërisht me politikën, sepse ajo nuk e humbet kurrë vëmendjen prej pasojave të veprimit.

Si përfundim, përgjatë gjithë viteve të tranzicionit në Shqipëri, drejtësia sociale është parë nën parimin e Ferdinandit të I-rë, ose më saktë e Ferdinandëve të I-rë. Të cilët, bazuar tek etika apolitike e qëllimeve fundore të tyre e kanë aplikuar drejtësinë si gjykim normativ të pa arsyetuar, të pa ndërmjetësuar, si Fiat iustitia e pereat mundus; drejtësi e verbër që nuk i përgjigjet kushteve në të cilën vepron. Asnjëri syresh nuk ka qeverisur duke marrë në konsideratë mendimin ndryshe dhe pluralitetin e tij në shoqëri duke e aplikuar drejtësinë bazuar vetëm tek e vërteta e tyre. Asnjëri nuk ka punuar për ndërtimin e një vizioni politik të bashkëndarë, duke u kufizuar tek idetë e tyre racionale, por jo të arsyeshme. Në këtë mënyrë, ata e kanë nëpërkëmbur dhunshëm etikën e përgjegjshmërisë si një ndër parimet themelore politike të një sistemi demokratik, i cili ka si udhëzues vetëm pasojat e veprimit dhe duhet të udhëhiqet nga konceptimi politik i drejtësisë, nga Fiat iustitia ne pereat mundus. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH