Aktualitet

Trishtimi i një gjenerali për Hurmànë

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Sekush ka një histori për të rrëfyer, histori jete, pa u paragjykuar, cilado qoftë historia e tij/saj.Për S.XH. ishte bërë varësi tashmë gjetja e historive në kontrarrymë e me ndiesinë e të jetuarit në këtë hakmarrje të dhelët ndaj gjërave që servireshin si ushqim për tregun në media , një akt i shpifur e komercial sakaq, i ngjashëm me frymën e revolucioneve në modë tash e në kohë paralele të ngjashme si kohë përmbysjesh të mëdha.Sipas tij të gjitha humbjet kishin shijen e një humusi pas katastrofës apo një rrëzimi fatal ku do mund të ndërtohej një qasje e madhe  totale e një bote në bjerrje në vlerë po kaq njerëzore.

-----------------------------

Sheme Duka, burri shatlartë e i shtyrë në moshë, u kap beftë në rrjedhën e shfletimit të albumit familjar me fotografi, diku në aneksin  e vogël të kuzhinës; i pushtuar i gjithi nga mallëngjimi për jetën e bërë udhë mbi atë dëshmi të vjetër e plot histori të përziera. Qe hepuar kruspull mbi objektin e pluhurosur e gati të rrethekuar me trup, si çudia më e zgjatur e mejtimeve me ndriçime të brendshme. Kurse nga përsipër fekste drita elektrike, duke shpërndarë përposh tij disa pllanga hijeje të shkapërdara. Iu rreshtuan në kujtesë ngjarje të ëmbëlsuara e të thekshme, që i shfaqeshin me sy hapur – ngjarje të hershme të pasluftës: përjetimet gjatë fundit të saj, mbërritja jashtë këtyre sinorëve si fitimtarë, parakalimet dehëse dhe jeta e pandalur në kufijtë e ditës dhe natës; gjindje e përzier, burra, djem, të rinj, gra e vajza të bukura e shtatlarta, që do e rrethonin gjithandej me spërkatje dashurish e vështrimesh ndjellëse, që i tingëllonin nga brenda si ishuj të fosfortë. Dekoret e zgjeruara me veshjet e fundluftës, si garderobat e zgjatura, nga ato të zhyerat e zgërlyerat në varganë mundimesh djerse tek ato më të ricikluarat e të derdhura gjerazi në gjeste dekorimesh festive, deri me modën e ditës në krye; rrugët e zhurmshme e të populluara përtej kufirit me ushtarakë shumënacionalë; megafonët e lirisë që shungullonin pa pra e në tone të larta; turma të hallakatura nga lufta, që gjakonin me padurim drejt një çlirimi të madh nga përgjegjësitë e saj dhe lidhur  ngushtë tashmë me të ardhmen , për të lulëzuar e zhauritur nga ky lloj parakalimi gjysëmndiesor, si të qe i shumëfishuar me ngjyrime ushtarake ditësh të zhurmuara me rezyme si triumfuese.

Sheme Duka, i fundmi i dëshmive të këtij brezi të luftës, gjendej në një kapërcyell jetik, në një pozitë të hedhur në qoshe të rrugëtimit të gjatë, krejt i drobitur dhe i lënë në harresë. Diku mu pranë rrugës “Myslym Shyri”, me pak gjëra e orendi, i dorëzuar përpara një sëmundjeje kronike, si parajmërim për ditët e tij të numëruara – një kënd qorr e pa kurrfarë strukture intime njerëzore, në një përhedhje pa plan e krejt rastësore, që nuk do e kish marrë kurrë me mend si banesë të fundit. Kapluar nga  ngërçe që të përplas jeta, tanimë ai qe shtrirë gjerazi, me shpatulla pas murit, i poshtëruar në gradën e fundit të rënies, ku kish prekur bash në gji të mizerjes. Mejtoi se si do mund të shkartisej më keq një kalvar jete, në qëndresa kaq të luhatshme e të zhvendosura çnjerëzisht. I vetmi ngushëllim që ia lehtësonte disi këtë kënd fundor të jetës ishte e kaluara e tij e largët, trofetë e ndarë të pasluftës dhe ndonjë kënaqësi e terratisur larg në malet e ashpra e thatime të jugut, ku edhe kish mbështetur kokën në vogëli. Një ngushëlllim që i jepte frymë, si  hapat e parë në jetë. Asokohe takonte në mjedise krejt të varfëruara e të virgjërta, me bukuri marramendëse; mjedise ku shquheshin burrëri dhe grari soji, me tabiate e zakone që e mbanin të mbërthyer atë bashkësi malesh përmes ligjesh të pashkruara, në një mënyrë të jetuari egër, e stolisur thjeshtë, me përvoja parake e gojëdhëna të përcjella dorë më dorë, për të ruajtur pikërisht ndonjë shenjë që na kujton sëpari origjinën, natyrisht jo vetëm në kuptimin krahinor. E vetmja gjë që e çliroi asokohe dhe i dha perspektivë lëvizëse jetës së tij qe një luftë që behu ndër ato pragje të harruara, një luftë e cila preku shumë lëkurë njerëzore, të pakura e të rralluara nëpër gërxhe e sokakë, si këngë a si jehonë përmbushëse. Frymë propagande në një vend asull, të përtharë nga mungesa e jetës dhe prania njerëzore, ku rrodhën përplasje me rrënjë të largëta. Arrinin deri lart në male, si muzikim i tripluar e i mbivendosur për shkak të largësisë si sindromë yshtëse për të drejtën e njeriut dhe barazinë. Kjo varfëri e gjeti Sheme Dukën krejt kanakar e në hedhje të një moshe, krej nët të ri, një moshë kur kish filluar e lëçiste nga pak ndër faqe të grisura vjedhurazi librash të rrallë. Jeta e ndihu për ta shfytëzuar këtë mundësi për punësim, poshtë në prefekturë, nga ku mësoi disa mënyra të rafinuara sjelljeje, dhe shpeshherë në kontakte me libra të ndaluar, që vinin nga Lindja e largët. Në zemër të maleve, në ajër tejet të ftohtë e në një thatësirë të ngrirë dimërake, kalonte ditët e tij të vështira me shpresën se po trokisnin ditë të favorshme. Dhe kështu ngjarjet i erdhën me rrokulli dhe ditë pas dite u bë pjesë e historisë së njohur të luftës. Çfarë nuk i panë sytë më pas në paqen e zgjatur të rinisë së tij në lulëzim, pasi të gjitha ngjarjet e luftës i kish në një farë mënyre më të kujdesura dhe me mall të çliruar. Një mori njohjesh e kishin rafinuar duke u përplasur me ngjarje kontraverse e të hidhura, sidomos në rrugët e panjohura, herë-herë me ngjyrime të njomëzuara e sentimentale. Lufta ishte gjëja më e bukur derimëatëherë që i kish ndodhur në jetë, si një vrundull i pakontrolluar, si ndërvarje jetësh të përbashkëta; si diafragmë e gjerë me komunikim të madh, me epërsinë e fitimtarit, por edhe me llojin e statusit të përkrahur e të mbushur me adrenalinë: pushtet, para e histori ngrefëse si në fshehtësi, me mbarsje mallëngjimesh të hedhura, me gazmim e sinqeritet me okë. Jetohej në grupime, zgjeruar dhe  lidhur me zinxhirë në një mbarëvajtje të organizuar më së miri. Ajo kohë i ngjante si grupime  soji, të stërzmadhuara, rrethuar me dashuri. Asnjë ndarje me vickla të vogla, por e gjerë dhe me ide të përbashkëta, si puthje e papërshkrueshme. Lufta e pat hedhur sa në njërin vend e sa në tjetrin, ku dhe mori edukimet e para dhe bëri një jetë mjaft aktive. Më pas lufta preku fundin me bëmat e saj dhe jeta që ishte vetëm e Shemes iu mbush me thirrjen e të parëve për t’u marrë me ormisjen në vëllazëri e për t’i rregulluar në punëra e shtëpi në kryeqytet. Mori rolin e të madhit dhe kryefamiljarit që prin. Një kalvar i zgjatur dertesh që nuk mbaron, se jeta ngatërrohej nëpër këmbë me lidhje e zgjidhje martesash e fejesash, lindje dhe andralla të njerëzishme. Po zinin vend pothuaj të gjithë dhe iu desh një lëvizje e zmadhuar e perspektive e të gjitha halleve që kishte në kurriz. E gjithë kjo zulmë lëvizëse e kish lumturuar sërish me dekorin e saj me tinguj të hershëm. Vazhda kujton bukën e misrit, byrekët, harapashin dhe gjuetinë e goricave; festat e shumta, bashkimi i barkut të stërmadh e familjar dhe një jetë e rrëmujshme, që ai e përballonte i vetëm, me fisnikërinë e të madhit në familje, që po drejtonte gjithë atë mal njerëzor, me soj e sorollop.

Sheme Duka përflitej si njeri zemërgjerë e barkmadh për nga hallet që mbartëte në kurriz, dhe si shtyllë e shtëpisë dhe e krahinës. – Por, për çfarë do mund të jetojë një njeri, – mejtohej me veten, – pa këtë kolorit kaq të dhembshur e të dashur njëkohësisht. Kish gjithnjë ngasjen për të qenë i kujdesshëm me më të mëdhenjtë në hierarki, dhe sa herë që kishte ndonjë shkëmbim vizitash me ndonjë më të lartë në gradë, shtëpia zbrazej dhe të gjithë mbrehnin këmbët nëpër kushërinj të afërt, që shtëpia e madhe e Sheme Dukës të ishte në nivel të lartë mikpritjeje. E merrte malli për atë kohë. Erërat në shtëpi, rrëmuja e fundjavës me larjen në radhë të fëmijëve dhe të të rriturve, dyshekët e pshurrur nga kalamajtë e përzier ditëve të ngatërruara dhe aroma e trahanasë dhe e copave të dhjamura djegur në gjalpë. Sado që shfaqej i sofistikuar, prapëseprapë gjërat më pikante i ishin stampuar në mendje, si vendqëndrime, ku ushqente instinktin për të kaluarën dhe fëmininë. Nuk do donte ta ndërronte me asnjë gjë tjetër në botë këtë ëndërrim të fshehtë. Ishte jeta e tij, identiteti, thirrja e hershme që e bënte të pakthyeshëm nga këto tundime parake të strukura larg. Rrodhi ujë e shumë kërcurë në vijën e jetës së tij, nga ku erdhi një cektinë ekonomike dhe një shpatë këputëse në rangjet e pushtetit, saqë e tkurri disi pozicionin e tij në shkallët e hierarkisë. U dha urdhër njehsimi  në ushtri për fshirje dallimesh në grada dhe në një rol edhe më masiv, gjë që e detyroi pak nga pak të lëshonte terren e të spostohej në pensionin e tij . E gjithë ajo lavdi, me dekorata e dëshmi trimërie, u zbeh, dhe dalëngadalë pushteti  u përqendrua vetëm te një grup i vogël të besuarish. Pozicionimi në rolin e njeriut të paangazhuar e përplasi shapllakosur në një hedhurinë të shtrydhur të sistemit, që nuk qe më në gjendje të mbijetonte me vëmendjen e me krenarinë e  tij. Prania e një rrallimi të dukshëm në rreshtat e miqësive dhe të njerëzve të afërt po e pezmatonte disi, por ja që secili kishte hallin e vet, në pamundësi për të shkëmbyer një vëmendje më intime. Për Sheme Dukën kish marrë udhë një sfidë e re.

Gruaja e Shemes, Hurmàja,  ishte shtatshkurtër e me ndriçim hënor në lëkurë, veçmas në sytë e saj. Hurmàja jetonte si dëshmia e zgjatur në kohë e të gjithë pulsit të jetës së Sheme Dukës. E heshtur dhe e pafjalë, ndoqi fillin e familjes së të shoqit me një përkushtim zellplotë e të pangjashmëm. Hija e të shoqit e kontrollonte deri dhe në grimasat më të holla, për të kuptuar gjithnjë se diç nuk shkonte në atë bashkësi e bosht familjar. Ashtu e dorëzuar me gjithësej, në  familjen e madhe ritmonte si zembereku i gjithë asaj që quhet trashëgimi, duke punuar pa u lodhur për të mbajtur në këmbë konakun e madh e në zë të Dukajve.

Hurmà Duka u shndërrua dalëngadalë në krahun mbrojtës të burrit, si një çelës kyç i derteve e sekreteve të pathëna të familjes. Nuk kish fjalë për ta përshkruar mënyrën se si zgjatej kur numëronte orët e zhbërjes së familjes së saj të madhe në një rrëpirë varfërie ku numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Pleqëroi dhe asistoi idhullin e saj, që po varej ligsht si një arrë e moçme.  Priti e përcolli shumë e shumë njerëz pa iu dëgjuar zëri dhe me buzë në gaz, si nikoqire soji dhe malësore e flashkur me këmbë të ngulura në tokë. Hurmà Duka nuk mund ta duronte rrënimin e lavdisë së një ushtaraku që kishte qenë kohë e mot një nga krenaritë e dhelëta të saj. Aktin e perënduar, se si mund të shëmbej përdhe gjithë ai div i plakur tashmë, që dikur vinte në rresht me qindra njerëz. Një pabesi e trishtë që i bënte koha, si gjëmë e zezë, si një poshtërim i pamerituar.

Duke e pranuar gjendjen e trishtë, kryente me lehtësi shërbime të thjeshta, që ta ndihmonte për t’u ndjerë mirë shpirtërisht. Tanimë që të dy rrinin në qosh si dy desh, në një pushim të zgjatur e të zvargur për nga pleqëria. Hurmàja i bënte muhabet dhe molloiste gjëra të largëta, me aroma livadhesh të prame e të virgjëra. Të gjithë heronjtë e perënduar silleshin në një rreth të ngushtë me të tilla shenja në ajër, që e lidhnin këtë bashkësi dhe e intononin duke e bërë njësh.

Rrallëherë dëgjohej një tog bëzitjesh a këngësh të vjetra fshatçe, që e ngrinin peshë me ngazëllim gjithë atë dashuri të hedhur e spërkatur në kohë, si melhem shërues, gjë që u sillte ndërmend korije të vetmuara të kohës. Një krenari natyrore e shpërndarë në portretet e tyre të nxira e të rrullosura, në një pleksje të shurdhët e të përtharë të vragave të kohës. Ushtarakisht  të plasaritura në sipërfaqet e tyre të zbruara të një historie të perënduar hijesh e mërmërimash. Por, shumë vonë. Nuk kish mbetur gjë nga ajo kohë, veç një biblioteke të vjetëruar, me tituj e shkresa patetike kohësh të mbushura me erë baruti e tym. Diç më tepër folklor ngushëllues dhe disa lloj fletoresh me shënime të luftës, të ngjashme me pafuqinë për të ngjizur një libër dhe portrete të Gorkit, Majakovskit, Stalinit, Krushovit, Titos dhe Enver Hoxhës; fletë të verdha të daktilografuara në kohë të vjetër e pa rregull. Diku tej ca sprova për të shkruar, si pasuri jete për t’ua lënë dëshmi pasardhësve.

Të tilla përzjerje i ndërmendeshin teksa mendoi të shkonte kah tregu i dorës së tretë, për të kapur ndonjë kokërr mollë dhe bimë medicinale me të lirë. Në të tillë brerje dhe në një kalvar ecjesh të gjata vargonte drejt kapitullimit të një jete të dështuar, me krenarinë e vetme të të qenurit dëshmi e këtij kthimi të historisë me kokë poshtë, të një ëndrre që e kish adhuruar e bërë lajtmotiv të jetës. I panënshtruar ballë ndjesisë që Perëndia kujdesej të ishte ende ndër të gjallë e në mundim të ndërgjegjes, ngrysej e zgjohej me shpresën për të kuptuar se ku e kish rokanisur fati. Por, ka fate e fate. Ka keq e më keq. Mund të ishte vrarë në luftë. Mund të ishte sëmurë rëndë e kështu me radhë. Apo mund t’i vdiste Hurmàja, ose Hajnua (i vëllai),Myrtezani, ose qeni në fshat. Kësisoj e mbante veten me gajret. Gjithsesi, ishte i lumtur për nipërit që e rrethonin çdo ditë, që e bënin të harronte për pak thellësinë e disfatës tij.

Mori frymë thellë. Çtendosej me vështrim nga dritarja, krejt pa kuptim, si një somnambul që nuk përputhej në kohë reale. U shkund nga roitje të tilla si jashtë kohës e hapësirës, dhe nisi të shfletonte diç sa për të ardhur në vete. Më shumë se i përqendruar, dukej si i zënë në pusi nga një kohë shurdhuese dhe krejt e pakuptimtë.

Sheme Duka u mor sërishmi me gjërat që kish psonisur në një tjetër përzgjedhje mollësh të dëmtuara e të kalbura, nga më të ruajturat e deri te ato që nuk mund të përdoreshin as edhe për uthull. Gjithsesi, mendoi për udhën e gjatë të jetës, që kishte një kuptim të madh: një kuptim njerëzor, të ngrohtë, me gropa të shkëlqyera. Jo gjithçka do shkonte vaj dhe jo gjithherë njeriu ka një mision të dukshëm e të shenjtë, por diç më thjeshtë, si shkak njerëzor, shoqëruar me pika loti – lot të pafuqisë së tij për të ndrequr a vënë në vend diçka; diçka që mund të ndreqte apo një gjë që duhej qartësuar në robërimin e pafajsisë së tij, në një zgjedhje që ende nuk e kishte të qartë, se a ishte e drejtë apo e gabuar. Ngashërimet e tij ishin eliksiri që e mbante ende në jetë. E tillë ishte edhe besnikëria Hurmàsë, një besnikëri si cak njerëzor, i prekur nga rrallëkush që nuk pati fuqinë ta bënte të lumtur përgjithmonë, duke i afruar kriza varfërie e pasigurie. Diçka e trishtë, e ngjashme me fundin e paparashikuar të tij për të lumturuar në pafuqi të plotë dikë, pikërisht Hurmànë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH