Aktualitet

Tri Shqipëritë e publikut shqiptar dhe një skaner sociologjik

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS- 15 Vjet

titulli: MEDIA, POLITIKA DHE SHOQËRIA SHQIPTARE

Autor: Roland Lami

Nga Kosta Barjaba/ Akademik i Asociuar

Ky libër, që merr në dorë lexuesi, është shkruar nga një autor tek i cili janë shkrirë në një të vetme kërkuesi shkencor, profesori i universitetit dhe analisti i medias. Siç ndodh në vendet e qytetëruara, ku ekranet dhe OP-Ed-et nuk u lihen diletantëve dhe të kudondodhurve, por profesionistëve, të cilët dijet dhe ekspertizën e vënë në shërbim të publikut. Në Shqipëri ka pak syresh dhe Dr. Roland Lami është njeri prej këtyre të paktëve.

Publiku shqiptar jeton aktualisht në tri Shqipëri: Shqipërinë reale, Shqipërinë e ekranit dhe të gazetave dhe Shqipërinë që ndodhet midis tyre. Kjo e fundit nuk është as e para, as e dyta. Me librin e vet Roland Lami na jep pak nga të tria Shqipëritë. Por më shumë përpiqet të na zbërtheje sesi Shqipëria reale “përkthehet” në Shqipërinë e ekraneve, duke na zbuluar me esetë e tij një pjesë të këtij mekanizmi shndërrues. Duke vendosur në qendër të analizave të veta disa prej dukurive shoqërore më të spikatura, që kanë një rol të caktuar në këtë mekanizëm, autori na i jep ato në një optikë interesante: optikën e sociologjisë së komunikimit.

Në fakt, komunikimi po shndërrohet në një modë në shoqërinë ende të paformë shqiptare. Universitetet, partitë, kompanitë e mëdha të sipërmarrjes, personazhe të jetës publike, por edhe njerëz të thjeshtë, madje edhe nga ata më të ngeshmit që, në mungesë të një pune ose interesi tjetër, e shtyjnë kohën nëpër internet-kafetë e kryeqytetit, janë shndërruar në protagonistë, sponsorë a konsumatorë të komunikimit. Facebook-u dhe celulari, që në Shqipëri janë përhapur “me shpejtësinë e dritës”, këta indikatorë hijerëndë të demokratizimit të komunikimit, e kanë bërë shoqërinë shqiptare më të përçueshme, por edhe më të thyeshme. Të përçueshme, sepse gjithkush është ose mund të vihet në kontakt me këdo. Dhjetëra-mijëra njerëz ndjekin protagonistët e jetës shqiptare në të gjitha trajektoret dhe skutat e jetës së tyre! Të thyeshme, sepse demokratizimi i komunikimit, sidomos kostot e ulëta të tij, i ndan vetëm një hap nga ajo që Fareed Zakaria e quan “demokratizimi i dhunës”. Sa e sa herë, sa e sa njerëz ka goditur dhuna “e demokratizuar” mediatike e ekraneve dhe e gazetave!

Një ndër idetë më të spikatura që më ka mbetur në mendje gjatë leximit të eseve të Roland Lamit është shtjellimi i dukurisë së “vasalizimit të publikut” ose e “somnambulizimit të qytetarit”. Dhe në veten time këtë mbresë të fortë e gjej plotësisht të përligjur. Sepse me këtë akt, pra me “vasalizimin” ose “somnambulizimin”, shtypi, masmedia, përgjithësisht procesi i komunikimit, bën të kundërtën e misionit të vet: ikën nga ndriçimi dhe çlirimi i publikut drejt skllavërimit të tij mediatik, informativ dhe komunikativ. Skllavëria në emër të lirisë dhe nënshtrimi në emër të çlirimit janë ndër befasitë më të dhimbshme në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e qytetëruar.

Të gjithë jemi nën pushtetin e lajmit që vjen nga media. Të ulur në mbrëmje përballë ekraneve nuk shohim e nuk dëgjojmë gjë tjetër veçse ato që kemi lexuar gjatë ditës nëpër faqet e gazetave. Thënë ndryshe, jemi viktima të zinxhirëve të komunikimit. Gjithë arsenali mediatik dhe komunikativ derdhet me furi mbi shqisat tona, duke na imponuar atë që përmenda që në fillim: realitetin që vjen te secili prej nesh i shndërruar, shpeshherë edhe i konvertuar. Shqipëria e ekraneve dhe ajo e mjediseve na pengon të shohim, të ndiejmë dhe të ndryshojmë Shqipërinë reale.

Gjatë dy dekadave të fundit, dua, s’dua, jam edhe unë i detyruar ta përmend një nga fjalët që, për lexuesit mund të jetë e konsumuar, në mos e urryer, pra termin “tranzicion”; shoqëria shqiptare ka njohur disa “zbulime”. Njëri prej tyre ishte ambivalenca e problematikave etnike të vendit. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, por edhe në pjesën e parë të tij, Shqipëria nuk kishte pasur implikime nacionalizmi ose situata etnike inkandeshente. Shqiptarët dhe ato grupe të vogla etnikisht joshqiptare, që jetonin dhe jetojnë në këtë vend, kishin kufizuar ose ndrydhur brenda vetes reagimet e mundshme ndaj tjetrit etnikisht të ndryshëm. Por liria i çliroi të gjithë dhe si pasojë edhe demonët e vjetër nacionalistë, të cilët, ndryshe nga gjithë periudhat e mëparshme, kanë pasur një valence të dukshme në jetën e shoqërisë shqiptare. Ndoshta këtë ka pasur parasysh autori, kur ka vendosur që me lentet e sociologut, të qëmtojë me kujdes peizazhet multikulturore, multifetare, multiedukative, multigjuhësore dhe mozaikun etnik brenda territorit kaq të vogël të Shqipërisë dhe mënyrën sesi këto realitete, po shpesh mirazhi i tyre, u jepen njerëzve nëpërmjet produkteve mediatike.

Nëse flasim për një shqetësim shoqëror mbi pasojat e mediatizimit dhe komunikimit intensiv politik, kjo nuk është një dukuri endogjene e medias dhe e vetë procesit të komunikimit. “Djallëzia” qëndron në përdorimin e qëllimshëm të këtyre shpikjeve gjeniale të njerëzimit në shërbim të interesave partikulariste politike. Mëkatarët nuk janë, pra, ekranet dhe kryelajmet, por partitë. Duket se edhe vetë autori e ka këtë shqetësim dhe kjo kuptohet nga hapësira e gjerë që i jep në librin e vet rolit ndërmjetësues të medias si një përcjellës midis partive politike dhe publikut, pamjeve dhe risqeve të konfliktualitetit ligjërues dhe komunikativ, ndikimit të medias dhe komunikimit në krijimin e sjelljes dhe veprimeve populiste, pasqyrimit prej tyre të strukturimit ideologjik të partive etj.

Dhe, si për të plotësuar kuadrin e zonave të reja që po pushtojnë dita-ditës proceset dhe produktet mediatike dhe komunikative, autori shkel edhe në zonat që dikur konsideroheshin tabu, por sot jo: në edukatën dhe shëndetin seksual, sidomos të adoleshentëve dhe rinisë. Dr. Lami, si shumica e njerëzve të emancipuar dhe e intelektualëve të këtij vendi, mendon se media jo vetëm nuk duhet të druhet në penetrimin përtej kufijve të panatyrshëm që kishte imponuar një gjendje kulturore tradicionale e shoqërisë shqiptare në raport me këto dukuri, por e ka për detyrë t’i kapërcejë këta kufij.

Teknologjitë e reja të komunikimit dhe të medias nuk janë një dukuri e shkëputur nga zhvillimet e tjera bashkëkohore. Madje, nuk duhet të përjetohen e të përqafohen me droje, siç mund të krijohet ideja gjatë leximit të disa paragrafëve të kësaj parathënieje. Revolucioni mediatik dhe komunikativ është një ndër visaret më të reja të krijuara nga njerëzimi dhe që janë vënë në shërbim të tij. Këto teknika e teknologji i kanë sjellë njerëzit më afër, e kanë bërë botën më të vogël, dhe njëkohësisht me të madhe e më të pasur, i kanë sjellë arritjet e njerëzimit më pranë njerëzve, kanë ndriçuar mendjet e njerëzve dhe i kanë ndihmuar ata të zgjedhin e të bëjnë të tyret vlerat më të mira që njerëzimi krijon në kohë reale. Në rastin konkret, këto teknologji kanë shërbyer si një katalizator edhe për koherencën dhe mirëkuptimin e diasporave shqiptare në rajon, konsolidimin e vlerave dhe koncertimin e përpjekjeve të tyre për një botë më të mirë dhe më shqiptardashëse, sidomos në këtë pjesë të botës. Ndoshta këtë ka pasur parasysh autori, kur ka vendosur t’iu japë vendin që iu ka dhënë problematikave e kontributeve mediatike ndër shqiptarët e rajonit.

Do të vazhdojmë ende për shumë kohë të jemi nën pushtetin kontradiktor të medias. Media vetë, duke qenë një lloj pushteti jo i mirëfilltë, pushteti i katërt, e ka të vështirë t’i vetëpërcaktojë kufijtë dhe kahjet e ndikimit të saj në shoqërinë e sotme. Kjo edhe për faktin se është një pushtet i pavotuar, i pazgjedhshëm dhe për këtë arsye jollogaridhënës. Një pushtet që i fut hundët kudo dhe nuk kontrollohet nga askush. Shpesh as nga ligji.

Në fund, në plotësim të paragrafit të parë, edhe dy fjalë për autorin e këtij libri. Dr. Lami është nga të paktët përfaqësues të rinj të shkollës shqiptare të sociologjisë që po krijon profilin e tij dhe konkurron me produkte serioze dhe origjinale. Ky libër që autori i jep lexuesit është qershia mbi tortë pas mbrojtjes prej tij të gradës Doktor i Shkencave në Sociologji Politike. Por sociologu Lami jo vetëm teorizon. Me nuhatjen, finesën, pasionin dhe vullnetin që kërkon profesioni që ka zgjedhur, ai ka qëmtuar copëza nga realiteti shoqëror dhe i analizon ato me dijet, mjeshtërinë dhe teknikat e sociologut.

Ky studiues dhe profesor i ri, por premtues, po krijon kantierin e tij të kërkimeve. Unë hyra dhe i rashë cep më cep ofiçinës së tij sociologjike. Dhe u mrekullova. Jam i bindur që edhe lexuesit e tjerë do të provojnë të njëjtën kënaqësi që të jep puna e një shkencëtari të ri, të mençur dhe këmbëngulës. Roland Lami nuk është i panjohur për lexuesin. Prej vitesh publiku ka mirëpritur analizat e tij inteligjente për çështje të politikës dhe të shoqërisë në disa ekrane televizive. Por nuk ndodh gjithmonë që suksesi në ekran të pasohet ose të plotësohet nga suksesi në krijimtarinë e shkruar. Shumë krijuesve dhe intelektualëve Zoti iu ka dhënë ose njërën (aftësinë komunikuese), ose tjetrën (aftësinë e të shkruarit). Me Rolandin është treguar bujar: ia ka dhënë të dyja. Prandaj ne në Universitetin Europian të Tiranës kemi një arsye më shumë të krenohemi për kolegun tonë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH