Kryesore

Treni i fundit i negociatave  

               Publikuar në : 10:55 - 07/09/19 V Liberale

Dy javët vendimtare për bisedimet e Shqipërisë me Bashkimin Europian.  Një “po”, edhe pse me kushte nga Bundestagu do të duhet të kalojë në lupën e një pjese të CDU/CSU, që do të qëmtojë jo vetëm kushtet, por do të jenë edhe në Tiranë si negociatorë për krizën politike  

Një “po”, edhe pse me kushte nga Bundestagu për çeljen e negociatave, është lajmi më i mirë që Shqipëria ka marrë kohëve të fundit nga kampi i integrimit.

Por megjithë prirjen pozitive të shumicës parlamentare gjermane siç raporton rrjeti kombëtar Deutche Welle, lentja e grupimit CDU/CSU do të qëmtojë me hollësi progresin e kushteve kyç që Shqipërisë i duhet të plotësojë për të marrë më në fund dritën jeshile në procesin e bisedimeve për anëtarësim. Jo vetëm ecuria e Reformës në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drogës apo Reforma Zgjedhore, por kryeministrit Rama do t’i duhet t’u japë sqarime deputetëve që do të gjykojnë nëse Shqipëria e meriton ose jo hapjen e bisedimeve edhe mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe mbi akuzat për shitblerjen e votave, siç pretendon opozita dhe siç janë publikuar nga përgjimet e dosjeve “339” dhe “184”.

Llogarinë mbi ecurinë e prioriteteve kyçe, kryeministri Rama do ta japë përballë gjermanëve, ndërsa pritet që ai të vizitojë Berlinin më 13 shtator dhe të ketë takime me nënkryetarin e grupit CDU/CSU Johann David Wadephul, i cili ka qenë aktiv me qëndrimet e tij gjatë krizës politike shqiptare duke u ofruar edhe si ndërmjetësues për dialog, por edhe me kancelaren Merkel.

Java e dytë e shtatorit, pritet të jetë intensive për deputetët e CDU/CSU-së në lidhje me Shqipërinë, pasi ishin pikërisht ata që ndryshe nga partia tjetër e koalicionit qeverisës, kërkuan që votimet për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyheshin në shtator.

Si aleate e PD-së në familjen e partive popullore europiane, CDU/CSU e cila po këtë muaj do të dërgojë një delegacion deputetësh në Tiranë, e sheh edhe krizën politike që prodhoi zgjedhje lokale pa përfaqësim të opozitës si një pikë kritike për çeljen e negociatave, ndërsa një pakicë me ndikim brenda grupimit, duket se mendon që Shqipëria nuk është ende gati as për një “po” me kushte.

Dy deputetët, Wadephul dhe Schmidt, ndonëse dënonin dhunën në protestat e opozitës, i shihnin këto të fundit si shprehje e pakënaqësive të qytetarëve, ndërsa u bënin thirrje të dy palëve politike të uleshin në dialog pa kushte të paracaktuara dhe pa tema tabu për zgjidhjen e krizës, duke i kujtuar politikës shqiptare se ishte pikërisht Bundestagu që do të vendoste mbi hapjen e bisedimeve.

Ndërsa Wadephul do të shprehej disa muaj më parë se priste rezultatet e progres raportit të Komisionit Europian për të gjykuar ecurinë e Shqipërisë në plotësimin e kushteve, ministri i shtetit, Micheal Roth i SPD-së, në koalicion qeverisës me CDU/CSU, ishte pro çeljes së negociatave me dy vendet kandidatë, duke thënë se ishte koha që Bashkimi Europian duhet të mbante premtimin e dhënë një vit më parë ndaj tyre, duke u dhënë dritën jeshile.

Wadephul, i cili para progres-raportit dhe rekomandimit pozitiv pa kushte të KE-së për Shqipërinë, mendonte se vendi nuk kishte përmbushur asnjë nga kushtet e vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së, qershorin e kaluar duke e vënë gishtin, sipas tij, në plagë si mosfunksionimi i sistemit gjyqësor, mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, por edhe vonesën në krijimin e organit të posaçëm antikorrupsion SPAK apo Byronë Kombëtare të Hetimit. Veç kësaj, CDU/CSU do të analizonin se ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për blerje të votave nuk ishe nisur asnjë procedurë ligjore, ndërsa një pjesë e përgjimeve nga dosjet “339” dhe “184” u publikuan në gazetën gjermane “Bild”.

Para zgjedhjeve të 30 qershorit, Wadephul dhe Schmidt do të propozonin edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale, pasi pa pjesëmarrjen e opozitës do të ishin zgjedhje problematike në aspektin demokratik. Madje pas dekretit të dytë të presidentit Meta, që caktonte 13 tetorin si datë të zgjedhjeve lokale, Wadephul do të sugjeronte që palët të pranonin vendimin e presidentit për të marrë pjesë në garën politike.

Por edhe me publikimin e rekomandimit të Komisionit Europian, mendimi i deputetëve konservatorë nuk pritet të pësojë ndryshim drastik, pasi ata i shohin rekomandimet e Komisionit si zbukurim të gjendjes objektive. Për këtë kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e përparimeve në kushtet e vendosura.

Ndërsa pret të përpilojë përgjigjen përfundimtare për dy vendet kandidate, Wadephul si kreu i grupit të punës në CDU/CSU , i pyetur nga gazeta “Si” ka zgjedhur të mos komentojë as çështjen e negociatave e as krizën politike në Shqipëri.

Rama në Berlin

Kryeministri Rama do të gjendet në Berlin në një lobim të fundit para çeljes së negociatave, ndërsa në prill të këtij viti, gjatë Samitit të Berlinit organizuar nga Merkel dhe Macron, ai do të shprehej se qasja e dy liderëve të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë, ishte në drejtimin e duhur .“Por ama, kush thotë që u mbyllën dyert për negociatat, apo që Shqipëria nuk do t’i çelë zyrtarisht negociatat këtë vit, thjesht thotë atë që dëshiron. Fatkeqësisht, njerëz të dëshpëruar, të cilët duan patjetër dështimin e Shqipërisë”, shprehej kryeministri Rama atëkohë nga pas përfundimit të samitit, ku pati mundësitë takohej edhe me kryetaret e SPD-së Andrea Nahles dhe nënkryetarin e grupit CDU/CSU Wadephul, i cili drejton edhe grupin e punës për Ballkanin Perëndimor. Në prill, Rama shprehej i bindur se Shqipëria nuk do të dështojë këtë vit në çeljen e negociatave, ashtu siç dëshironte opozita, sipas tij.

Pak ditë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha do të shprehej se Shqipërisë nuk do t’i çelen negociatat me BE-në për sa kohë nuk organizon dot zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa ka shtuar se opozita po përgatit një platformë kombëtare për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe perspektivën europiane.

Kryeministrit Rama i duhet që javën e ardhshme t’u japë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të gjermanëve të grupit parlamentar CDU/CSU, të cilët para mbledhjes së Këshillit Europian, do të marrin një vendim përfundimtar më 24 shtator. Vendim që duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD. Kjo e fundit, dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qëndrimet e tyre, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut. Por nisur nga praktika e viteve të shkuara, para se të japin mendimin e tyre përfundimtar, deputetët gjermanë të CDU/CSU do të duhet të jenë konsultuar më parë me Francën, e cila mendon se politikat e zgjerimit nuk janë ide e mirë për unionin dhe më parë do të duhej bërë konsolidimi i brendshëm i BE-së. Nëse Gjermania ka qenë një nga shtetet e fuqishme anëtare që ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pas zgjedhjeve europarlamentare të qershorit, rivaliteti mes Macron dhe Merkel është bërë edhe më i madh nisur edhe nga mosmarrëveshjet për ndarjen e posteve të institucioneve të rëndësishme të unionit, ndërsa liberalët ku bën pjesë edhe partia e presidentit francez ka një pozicion të fuqishëm në Parlamentin Europian.

Megjithatë gjermanëve të CDU/CSU do u duhet të vendosin edhe për fatin e Maqedonisë së Veriut në çeljen ose jo të negociatave, ndërsa pak muaj më parë kishte zëra se për fqinjët do të kishte një “po” të plotë, përballë “po”-së me kushte ndaj Shqipërisë. Edhe skeptiku Macron thuhet se nuk është aq kategorik kundër zgjerimit për rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila shihet se i ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE.

Çelja e negociatave vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe lënia jashtë e Shqipërisë, do të ishte e dëmshme dhe destabilizuese për rajonin, do të argumentonte kryeministri Rama për rrjetin Euronews pak kohë më parë, duke u shprehur se vendimi nuk varet aq në progresin e vendeve kandidate sesa në politikat e brendshme të BE-së.

Pas takimeve me Mercel dhe Macron në Samitin e Berlinit, Rama do të shprehej se u kërkoi dy liderëve mbështetje për çeljen zyrtare të negociatave, që sipas tij Shqipëria e meritonte.

Pak ditë më parë, në Forumin Strategjik që u zhvillua në Bled të Sllovenisë, Përfaqësuesi i Posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, do të shpaloste prioritetet e ShBA-së për rajonin, ku ndër to ishte edhe mundësimi i hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Me përfshirjen e ShBA, në mënyrë aktive në rajon dhe në sfidat e tij integruese në Bashkimin Europian, por edhe politikat e zgjerimit të BE-së, duket se dritat për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga Bundestagu, nuk do të varen thjesht e vetëm nga analiza e ecurive të vendeve në plotësimin e kushteve./Gazeta Liberale

(Visited 89 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *